2015-03-27 16:22:00

Papa shkon në Prato e Firence në nëntor. Programi i vizitës


“Duke ofruar dhuratën e fjalës dhe të gatishmërisë së tij”, do të jetë Papa Françesku ai, që do të mbyllë më 21 maj, Asamblenë e Përgjithshme të ipeshkvijve italianë, e cila do të mbahet në Vatikan, duke filluar nga data 18. Lajmin e jep me një komunikatë për shtyp, Konferenca Ipeshkvnore Italiane, njëkohësisht me Sallën e Shtypit të Vatikanit. Njoftohet edhe programi i vizitës së Atit të Shenjtë në Firence, me rastin e Kuvendit Kishtar Kombëtar, që do të mbahet nga 9 deri më 13 nëntor.

Të martën, më 10 nëntor, Papa Françesku do të vizitojë Praton, qendrën industriale pranë Firences. Në orën 8.00, Ati i Shenjtë arrin në sheshin e Duomos. Në katedralen e qytetit, do të nderojë reliken, që është simbol fetar e civil i Pratos, Brezin e Shenjtë të Zojës. Më pas do të takohet me bashkësinë dioqezane e me të gjithë banorët vendas, duke i kushtuar vëmendje të veçantë botës së punës. Kujtojmë se në këtë zonë, ka shumë fabrika tekstili, shumë prej të cilave kineze, megjithëse zona banohet nga 123 kombësi të ndryshme nga e gjithë bota. Vizita e fundit e një pape në Prato ka qenë ajo e shën Gjon Palit II, 30 vjet më parë, më 19 mars 1986.

Në orën 9.00, Papa Françesku do të largohet nga Prato për të shkuar në Firence, ku do të marrë pjesë në mbledhjen e ipeshkvijve italianë, me temë “Në Jezu Krishtin, humanizmi i ri”. Në orën 10.00, do të takohet me pjesëmarrësit në katedralen e qytetit, ndërsa në orën 15.30 do të kremtojë meshën në stadiumin “Artemio Franchi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.