2015-03-26 11:41:00

400 vetë rrëmbehen nga Boko Harami në Nigeri


Nigeria është akoma teatër i dhunës së ekstremistëve islamikë të organizatës Boko Haram. Në prag të zgjedhjeve presidenciale e legjislative të së shtunës, terroristët islamikë rrëmbyen mëse 400 gra e fëmijë në Damasak, në shtetin e Bornos. Para se të largoheshin, vranë rreth 50 vetë. Kujtojmë se në prill të vitit të kaluar, terroristët rrëmbyen 300 nxënëse të shkollës së mesme, shumë prej të cilave janë akoma në duart e milicëve. Pikërisht për shkak të sigurisë, data e votimit u shty për të shtunën, që nga 14 shkurti. Kësaj ardhe, në të gjithë vendin do të ndalohet qarkullimi i automjeteve private, përveç ambulancave e mjeteve të ndihmës së shpejtë. Nuk dihet si do të zhvillohen zgjedhjet në zonat e kontrolluara nga Boko Harami, sidomos në verilindje të Nigerisë, ku ka shumë të shpërngulur për shkak të dhunës. Për ta flitet sot e nesër në Romë, në një takim të Karitasit Ndërkombëtar, për koordinimin e veprimtarisë humanitare me Karitasin nigerian e me ata të vendeve fqinjë. Kriza rëndon edhe mbi rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Përballë njëri-tjetrit janë presidenti aktual, Goodluck Jonathan, i Partisë Demokratike Popullore, dhe kandidati i opozitës, Muhammadu Buhari, i Kongresit Progresist. Për gjendjen e tensionit, krijuar në vend nga Boko Haram, intervistuam kreun e Konferencës Ipeshkvnore të Nigerisë, imzot Ignatius Kaigama:

         Akoma një tragjedi tjetër. Menduam se situata do të përmirësohej, sepse ushtarët kanë bërë përparime në rimarrjen e vendeve të kontrolluara nga Boko Haram. Por, kjo histori e re tani, na shqetëson shumë e pak ditë para zgjedhjeve, mbjell frikë.

         Pse këta terroristë vazhdojnë të rrëmbejnë gra e fëmijë, sipas jush?

         Të hysh në mendjen e tyre është e vështirë, ashtu si nuk mund të imagjinohet se një grup njerëzish mund të bëjë këto gjëra. Mënyra e të menduarit, këndvështrimi i tyre, janë të ndryshme nga tonat, prandaj është e vështirë të kuptohet pse vrasin, ose pse rrëmbejnë gra e fëmijë. Njeriu normal nuk i bën këto gjëra. Ata i përkasin një kategorie jo njerëzore, nëse mund të themi kështu. Fillimisht pretenduan një Kalifat për gjithë Nigerinë, e cila duhej të kthehej në fenë islamike. Në këtë çast, nuk dinë as ata vetë çfarë duan. Pajtimi ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve të moderuar nuk është problem. Edhe këto ditë, isha bashkë me një hoxhë në televizion. Flisnim si duhet t’u japim shpresë njerëzve, si fetë duhet të frymëzojnë për gjëra të mira. Por fanatikët si ata të Boko Haramit nuk dëgjojnë, nuk shohin, nuk ndjejnë e nuk duan të dialogojnë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.