2015-03-25 16:48:00

“Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve. Rrëfimi


 Në rubrikën e sotme “Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve, nga doracaku i Papës Françesku, që na përgatit për udhën kreshmore, shfletojmë një kapitull tjetër, tejet të rëndësishëm për jetën tonë si besimtarë të krishterë. Titullohet “Rrëfimi e falja e mëkateve”. Nis me pyetjen: “Pse duhet të rrëfehemi?”. Pasuar nga përgjigjja: “Sepse jemi mëkatarë!”. E kjo do të thotë se mendojmë e veprojmë në kundërshtim me Ungjillin. Kush e mban veten njeri pa mëkat, është gënjeshtar, ose i verbër. Në sakrament, Zoti i fal gjithnjë bijtë që, si  kanë vepruar në kundërshtim me natyrën e tyre, i pranojnë mjerimet e shpirtit të vet e njëherësh, edhe mëshirën e Zotit.  Duke pranuar se mëkati i njërit, dëmton Korpin e Krishtit, që është Kisha, sakramenti ka si pasojë edhe pajtimin me vëllezërit.

Si të rrëfehemi

Nuk është gjithnjë e lehtë të rrëfehesh: nuk di ç’të thuash, të duket e panevojshme të gjunjëzohesh para meshtarit… E  edhe më vështirë, të rrëfehesh mirë: sot, si dje, vështirësia më e madhe është kërkesa për t’u penduar me gjithë zemër për të gjitha mendimet, fjalët e veprat, që janë fajësisht larg nga Ungjilli. Kërkohet kthesa e sinqertë, që përfshin si aspektin e çlirimit nga mëkati, ashtu edhe aspektin pozitiv të zgjedhjes të së mirës, sipas mësimeve të Ungjillit të Jezusit. Kështu mund të kremtohet denjësisht Sakramenti i Rrëfimit, sakrament pendese, faljeje e pajtimi me Zotin e me njeriun.

Rruga, që të çon në rrëfyestore, nis me dëgjimin e zërit të Zotit e vijon me rrëmimin e ndërgjegjes për mëkataet e bëra, me premtimin për të mos i përsëritur kurrë më, me rrëfimin para meshtarit të të gjitha mëkateve dhe me pranimin e pendesës, që të jep rrëfyesi. Pas kësaj, vjen falja e jeta e re, e përtërirë








All the contents on this site are copyrighted ©.