2015-03-24 13:24:00

Suedi: lutje ekumenike për të krishterët e persekutuar


“Për besimtarët, lutja është forcë e madhe e prandaj kërkojmë që në kremtimin e së Dielës së Larit, më 29 mars, një lutje e përbashkët të lartohet për të krishterët e persekutuar në Lindjen e Mesme”: janë fjalët e Karin Wiborn, sekretare e përgjithshme e Këshillit të krishterë të Suedisë, cituar nga agjencia Sir. “Jemi të shqetësuar e plot ankth për motrat dhe vëllezërit tanë të krishterë, shumica e të cilëve i përkasin Kishës së lashtë të Lindjes”, vijon Wiborn, duke nënvizuar se lutja mund ta ndryshojë këtë situatë martirizimi. E nëse lutemi së bashku, kisha e tradita të ndryshme, në të gjithë vendin, thekson, jemi të sigurt se të martirizuarit do ta ndjejnë forcën e lutjes sonë e do të mbushen me shpresë.

Të vihemi në lëvizje për lirinë fetare në botë

“Shumë anëtarë të Kishave dhe organizatave po punojnë në Lindjen e Mesme për t’i ndihmuar njerëzit e vënë në provë të rëndë nga  pasojat e luftës” shpjegon sekretarja e Këshillit të krishterë të Suedisë, duke theksuar, megjithatë, se, pavarësisht nga përpjekjet, situata mbetet jashtëzakonisht e rëndë”.

Ndjejmë, pohojnë të krishterët suedezë, një dhimbje të thellë për tmerret, që vijojnë të ndodhin para syve tanë e të mbarë botës. Prandaj Kishat e Suedisë u bëjnë thirrje politikanëve ta shfrytëzojnë gjithë ndikimin e tyre për t’i mbrojtur njerëzit e kërcënuar, pa asnjë dallim, si dhe për të garantuar paqen e drejtësinë. Muajt e kaluar, Kishat e nxitën, përmes letrave, këshillimeve e takimeve, Ministrinë e Jashtme, të punojë për mbrojtjen e lirisë së fesë ose të besojmës, përmes nismave të politikës së saj në marrëdhëniet ndërkombëtare.








All the contents on this site are copyrighted ©.