2015-03-24 13:53:00

Me Papën, drejt Pashkëve. “Ruaje zemrën!”


 Në rubrikën e sotme “Me Papën, drejt Pashkëve, vijojmë shfletimin e kapitullit “Praktika shpirtërore” nga doracaku i Françeskut, që na përgatit për udhën tonë kreshmore. Ka të njëjtin titull, që zgjodhëm për këtë rubrikë e që e kemi përsëritur ditë për ditë: “Ruaje zemrën!”. Është shkëputur nga një meditim i Papës në Shtëpinë e Shën Martës. Nis me një pyetje:

 “A e ruaj zemrën time?”. E vijon me përgjigjen: “Duhet ta ruajmë këtë thesar, ku banon Shpirti Shenjt, që të mos hyjnë shpirtra të tjerë. Sa herë hyjnë atje mendime të këqija, ndjete të këqija, zili, ligësi, smirë”. “Po kush ua hapi këtë portë? Nga na  erdhën?”. “Zemra bëhet, kështu, shesh, ku  mund të hyjë e të dalë gjithkush. E atje Zoti nuk mund të flasë, e as të dëgjohet”.

Në këtë rast këshillohet rrëmimi i ndërgjegjes. Cili prej nesh, para se të bjerë muzgu, i  bën vetes pyetjen: “Ç’ka ndodhur sot në zemrën time? Kush më ka zbritur në angrrat e shpirtit? Ç’ këmbë kanë shkelur nëpër shtigjet e pafundme të mendimeve të mia?”.

Është ushtrim i rëndësishëm, sepse “djajtë kthehen përsëri e përsëri. Edhe në fund të jetës”. Duhet të heshtësh shpesh para syve të vetvetes e syve të Zotit, të përgjosh në se të ka hyrë ndokush, që nuk e njeh. Kjo do të na ndihmojë të mbrohemi nga shumë ligësi, që mund të na i bëjnë “miqtë’ e paftuar”, por edhe që mund t’ua bëjmë të tjerëve”.

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.