2015-03-24 13:16:00

Indi: sulme të reja kundër dy kishave katolike


“Jam shumë i tronditur nga sulmet kundër dy kishave katolike në Indi. Duke i dënuar me forcë këto vepra barbare e të rrezikshme kundër njerëzve tanë, të lutemi për Indinë, që dialogu ndërfetar, bashkëjetesa paqësore dhe respekti reciprok ndërmjet qytetarëve të sjellin progresin dhe zhvillimin në bashkësi, në shoqëri dhe në mbarë kombin”. E pohon, përmes agjencisë AsiaNews, kardinali Oswald Gracias, kryeipeshkëv i Mumbait dhe kryetar i Konferencës të ipeshkvijve katolikë të Indisë (Ccbi), duke komentuar dy sulmet kundër një kishe në Mumbai (Maharashtara) e të një katedraleje, në Jabalpur (Madhya Pradesh), dy ditë më parë.

Sulmi mbi kishën katolike të Shën Gjergjit në Mumbai

Mëngjesin e 22 marsit tre vetë gjuajtën me gurë shtatoren e Shën Gjergjit, të cilit i kushtohet kisha katolike në lagjen New Panvel të Mumbait. Telekamerat i morën vandalët që, për fat të keq, ishin të maskuar.

Sulme në lokalet e katedrales të Shën Palit në Jabalpur

Ndonjë orë para ngarjes së Shën Gjergjit, një grup njerëzish hyri në oborrin e katedrales së shën Pjetrit e Shën Palit, ku po flinin pjesëmarrësit e një seminari biblik. Imzot Gerald Almeida, ipeshkëv i Jabalpurit, tregon për AziaNews: “E organizuam seminarin, pasi kërkuam e morëm lejet e nevojshme nga administrata e nga policia. Të premten e kaluar pjesëmarrësit, që jetojnë në zonë, shkuan të flenë në shtëpitë e tyre, ndërsa 200 të tjerë, ardhur nga të gjitha zonat e dioqezës, mbetën në fjetoren e katedrales. Policia qe lajmëruar, por dërgoi vetëm pak policë, që na thanë: “Ju të krishterët jeni njerëz paqësorë”. E shkuan në punë të vet. Rreth orës 13.00, një numër i madh njerëzish u sul brenda, nisi t’i rrahë besimtarët e t’u vjedhë sendet personale. Pas kësaj, keqbërësit rrënuan portën e katedrales dhe ç’gjetën rreth saj. Forcat e rendit arritën vetëm disa orë më pas, kur gjithçka kishte marrë fund.

Heshtja e qeverisë qëndrore

Imzot Leo Cornelius, kryeipeshkëv i Bhopalit (Madhya Pradesh) deklaroi, për AsiaNews: “Disa elementë po bëhen gjithnjë më agresivë kundër nesh, edhe pse askush nuk po merr masa kundër tyre, qëkur  Bharatiya Janata Party, e djathta nacionaliste hinduiste, është në krye të qeverisë qëndrore. E kjo i dëmton  rëndë vlerat demokratike, duke inkurajuar njerëz si këta, që dëmtuan katedralen, të kryejnë veprimtari kundër shoqërisë. Nuk kanë synime fetare, por e përdorin fenë për të polarizuar shoqërinë. Qeveria qëndrore nuk është serioze. Kryeministri ka deklaruar se nuk do të ketë intolerancë fetare e as përçarje, por këta elementë vijojnë punën e tyre, të inkurajuar nga fakti se New Delhi nuk merr masat e duhura kundër tyre. Prej këndej, mund të themi me gojë plot se ndër ne liria fetare është vërtet e brishtë e situata e bashkësisë së krishterë, gjithnjë e trazuar nga përfaqësues të padënuar të terrorit, kryesisht hinduistë, që shfrytëzojnë ligjin kundër kthimit në fe të tjera e, nën mbrojtjen e qeverisë, vënë në rrezik jetën e bashkësisë së krishterë.








All the contents on this site are copyrighted ©.