2015-03-23 13:56:00

Papa: ku nuk ka mëshirë, nuk ka as drejtësi


Ku nuk ka mëshirë, nuk ka as drejtësi e shumë herë populli i Zotit vuan nga gjykime pa pikë mëshire: kështu, thënë përmbledhtas, u shpreh Papa Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Njerëzit e sertë kanë jetë të dyfishtë

Duke komentuar leximet e ditës e edhe një fragment tjetër ungjillor, Françesku foli për tri gra e tre gjykatës: për një grua të pafajshme, Suzana, një mëkatare e një vejushë e varfër nevojtare. Të trija, shpjegoi, sipas disa prej Etërve të Kishës, janë figura alegorike të Kishës: “Kisha e Shenjtë, Kisha mëkatare e Kisha nevojtare”. Tre gjykatësit janë të këqij e të korruptuar, vërejti Papa. Së pari ndeshemi me gjykimin e skribëve e të farizejve, të cilët e çojnë gruan e pabesë tek Jezusi. Zemra e tyre ishte e kalbur, e ngurrosur. Ndjeheshin të pastër thjesht sepse e zbatonin Ligjin fjalë për fjalë. Ligji thotë kështu, e kështu edhe duhet bërë!

Por nuk ishin shenjtorë, këta njerëz, ishin të korruptuar, sepse një rreptësi e tillë mund të shkojë përpara vetëm me një jetë të dyzuar, si e tyrja. Po këta burra, pasi i dënonin gratë e pabesa, i ndiqnin pas fshehurazi, për t’u dëfryer sadopak me ta. I dënonin e u shkonin mbrapa. Të sertët, janë, po përdor epitetin që përdor vetë Krishti, hipokritë, njerëz me jetë të dyfishtë. Të trija gratë janë figura alegorike të Kishës; ata, që e gjykojnë me rreptësi Kishën, kanë jetë të dyfishtë. Me zemër guri nuk mund të marrësh as frymë.

Populli i Zotit shumë herë nuk gjen mëshirë

Pastaj janë dy gjykatësit pleq, që kërcënojnë një grua, Suzanën, thjesht sepse e lakmojnë, po ajo u kundërshton, nuk u bie në dorë: “Ishin gjykatës me vese të këqija, nënvizoi Papa, kishin në shpirt vesin e fëlligështisë. E thonë se ai që e ka këtë ves të ndyrë, me kalimin e viteve bëhet edhe më i keq, më i tërbuar".

Së fundi është gjykatësi, që do të gjykonte vejushën e varfër. Ky gjykatës nuk kishte frikë nga Zoti, as nga robi, nuk e çante kokën për askënd. Mendonte vetëm për vete, ishte afarist, që e kishte kthyer zanatin e gjykatësit në atë të tregtarit. Ishte korruptuar nga paraja, nga dëshira për të dalë mbi të gjithë. Këta gjykatës, shpjegoi Papa, afaristë, vesemëdhenj e zemërgur, nuk e dinin as ç’do të thotë fjala mëshirë.

Korrupsioni i çonte shumë larg mëshirës, nuk mund ta kuptonin këtë fjalë, e aq më pak të ishin të mëshirshëm. Bibla na kujton se pikërisht tek mëshira gjindet gjykimi i drejtë. E tri gratë: shenjtorja, mëkatarja e nevojtarja, figura alegorike të Kishës, vuajnë pikërisht nga kjo mungesë e mëshirës. Edhe sot populli i Zotit, kur i gjen këta tre gjykatës, si në jetën civile, ashtu edhe në atë kishtare, vuan  nga gjykimi i tyre pa pikë mëshire. Kur populli i Zotit afrohet vullnetarisht për të kërkuar ndjesë, për t’u gjykuar, sa herë, sa herë gjen ndonjë prej tyre.

Një nga fjalët më të bukura të Ungjillit: “As unë nuk po të dënoj”

Gjen veseli, që arrijnë deri atje, sa të përpiqen ta shfrytëzojnë, e ky është një nga mëkatet më të rënda; gjen afaristë, që nuk i japin oksigjen atij shpirti, nuk i japin shpresë: e gjejnë zemërgur, të cilët i dënojnë pendestarët, për mëkatet që fshehin në shpirtin e tyre. Kjo, theksoi me forcë Papa, quhet mungesë mëshire. E përfundoi:

“Dëshiroj të them vetëm një nga fjalët më të bukura të Ungjillit, që mua më prek në shpirt: “Askush nuk të dënoi?’- ‘Jo, askush, o Zot’ – ‘As unë nuk po të dënoj’. ‘As unë!’. Një nga fjalët më të bukura, sepse përplot me mëshirë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.