2015-03-23 15:00:00

Dita e Misionarëve Martirë: 1.062 të vrarë nga 1980 në 2014


Nesër, 24 mars, kremtohet “Dita e lutjes dhe e agjërimit në kujtim të Misionarëve Martirë”, organizuar nga Lëvizja Rinore e Veprave Papnore Misionare, në përvjetorin e vrasjes së kryeipeshkvit të San Salvadorit, imzot Oscar Arnulfo Romero (24 mars 1980), i cili do të shpallet i Lum më 23 maj. Me këtë nismë të përvitshme, Kisha kujton të gjithë misionarët e veprimtarët baritorë, që kanë derdhur gjakun kudo në botë për të dëshmuar Ungjillin e Krishtit. Tema e sivjetme është “Nën shenjën e Kryqit”.

1.062 të vrarë nga 1980 në 2014

         Sipas statistikave të agjensisë Fides, në dhjetëvjeçarin 1980-1989 kanë humbur jetën në botë 115 misionarë. Në priudhën 1990-2000 janë vrarë për shkak të dëshmisë së tyre për Krishtin, 604 misionarë. Numri është gati 6 herë më i madh se në dhjetëvjeçarin e mëparshëm. Është rritur sidomos pas genocidit në Ruandë (1994), që shkaktoi së paku 248 viktima ndërmjet klerit. Në vitet 2001-2014, veprimtarët baritorë vrarë për shkak të fesë kanë arritur numrin 343 vetë. Vetëm gjatë vitit të kaluar kanë humbur jetën 17 meshtarë, 1 rregulltar, 6 rregulltare, 1 seminarist, 1 laik. Shifra të tilla duhen konsideruar të përafërta, sepse kanë të bëjnë vetëm me rastet e sigurta, për të cilat ka lajm zyrtar.








All the contents on this site are copyrighted ©.