Ju qi keqas t'vorrosun keq fleni ndër muràna
mbi shpate t'pjerrta n'pyje, n'breg deti ase n'breg lumi,
deshmor', q'emën t'lavdishem keni thadrue n'gojdhàna,
nën dhé me gjak t'uej t'rimun idhnìm' nuk u a shuen gjumi.
Ju qi n'vorre t'vetmueme keq fleni e nuk pushoni e
as deka varrt e shtatit nuk thau as nuk u a mbylli,
qi eshtnat vrik ju dridhen kur del nji zà nga pylli,
a kur nji zhapllim' hapash përbri muran's ndëgjoni.
Ju qi n'msime fisnike t'lahutës jeni rritun,
ju qi burrnìn e patët si mësuese,
ju qi lirìn kreshnike zgjedh' e kishi per nuse,
ju qi n'mprojen e nderit botën keni çuditun,
sot n'murana t'harrueme kërkoni kot pushimin:
ju qi epopé t'panjoftun shkruet me gjakun e kuq,
plot vrumullisje n'eshtna rrini tue bluem idhnimin,
fatosa orzez, per flijen e jetës q'u shkoi huq.
U rrzuet tue rrokun armën dhe u rrzue me ju edhe fisi;
ato q'atdheut i kjenë ndër mote gardh çeliku,
parzmat vigàne t'ueja, jo, nuk i mposhti anmiku,
por nàma e fatit, nàma qi befas mbi né krisi.
N' heshtim t'natës shqiptare s'ndëgjohet kund zà njerit,
pran' votres s'fikun nanat n' vaj nuk e njomin bukën,
por me sy t'papërplotun plot shkndija mnije, sunkën,
tue prit' furìn ahmarrse qi t'thej' t'primunt e mnerit.
Jo vàj por gjamë e ahté prej pyjesh sjell jehona,
zhumhura e rrebtë e lumit kushtrim zà - mbytun ngjanë,
shpirtnat errson e ballet vrugon, ndiell mort zezona,
q'atdheut palcet gjallnuese ma t'mshefta po i a thanë.
O Perendi, na tokën pranuem qi Ti na fale,
n' tè tash tridhet' qindvjeta na u end e ndershme jeta.
Jetuem m' kto troje t'vobta, n'kto brigje t'thata e t'shkreta,
ngujue larg botës tjetër tue ruejtun dhèn mbi male.
Me mzi strehueme trupin nga shiu e breshni e marrdha,
n' kasolle e stane t'brishta qi shpërthejshin duhìnat,
pa dijt' qejfet e holla, pa dijt' ç' janë miradinat,
pa njoft' doket e lmueta të kombeve fatbardha.
E, pra, t' ushqyem n'kto gryka me bukë kollomoqe,
qi e zbutshim n' uj të kronit, s'lypshim kurrgjà mà shum,
sepse bylmet na kishim nji lirì t' thjesht t'pashoqe,
qi me hiret e veta na e bànte gjakun t'lum.
Nanat me qumsht' të paster andjen n'shpirt t'on' dikojshin,
me fluturue si shqipe në qiell t' nderit shqiptar,
n' flak't dokeve m'u kndellun e n'zjarm t'buzmit bujar,
qi kobin e zvetnimit nga votra na e largojshin.
O Perendi, ndër shekuj ùja buzën na e zverdhi,
shpesh u errem pa hangër bukën m'e ruejt' per fmin
e mitun q' ish n'e rritun, por n'qe se 'i mik në shpin
na msyni, ia vùm para at buk mikut kur erdhi.
Pse kshtu na e randon jetën me dhunë e me krajata?
Lirìn e dy gisht nderi n'shtek t'ballit, s'kishim tjetër:
kto dy të mira zdritshin vobeksìn t' on' të vjetër.
Po pse, o i Lumi i Qiellvet, na i rrmbeve kto dhurata?
Deshmorve u dridhen eshtnat n'vetmina plot murana
e qetì n'vorr nuk njofin as tash qi ata kan' vdekë:
e, pra, gjat' jetës luta T’ naltuen, Zot, n' qiell't e gjàna
e n'shekull udhën t' Ande përhera shkuen tue ndjekë.
Pse nuk i a kput' Ti kombit vargun e ditve t'zeza?
pse nanave kërcùna, mbështjellun n' futa zije,
s' i a zbardh' ftyrat e zëmrat me nji reze lirije?
Pse nuk i fal' deshmorve nji gjum të qet' n' vorreza?
Rome, 1967 Ernest KOLIQI
Poema Lute e deshprueshme nga i mirënjoftuni poet e shkrimtar Ernest Koliqi u botue së pari në revistën JETA KATOLIKE SHQIPTARE të Monsinjor Zef Oroshit në New York me 1968. Me aktet vandale të "revolucjonit kulturor" të stillit kinez, në pranveren e vjetit 1967, Enver Hoxha me shokë u vërsulën kundër atyne pak intelektualve e klerikve (sidomos katolikë) qi ende kishin mbetë gjallë për të krijue "shtetin e parë ateist" në botë!
"Fletë Rrufét", denoncimet e mëshefta e publike, arrestimet, exekutimet e dënimet e randa me burg, internim e pushim nga puna krijuen nji atmosferë shantazhi e frige të pashembullt në historìn kombtare. Në ketë fushatë tmerri të pashoq, skuadra të rinìs, policìs, Sigurimit e t'intelektualve "përparimtarë" (të tipit Jup Kastrati, Rakip Beqaj, Agim Bejleri, Anesti Boçka, Hamid Beqja, Hulusi Hako, Hajredin Celiku e shum e shum të tjerë të kësaj kategorije), çuen në vend "porosit e Partìs e të shokut Enver" e rrafshuen përdhé kisha e xhamija, rrahën, çburrnuen e tortumen me qinda e qinda besimtarë e klerikë qi kundërshtuen rrenirnin e institucjoneve fetare e djegëjen publike të librave fetàr e teksteve tjera me përmbajtje të dijes e kulturës prendimore.
Poeti Ernest Koliqi, i ndieshëm për damin e madh qi po i bàhej traditës fetare e kulturore e në të vërtetë mbarë kombit, shpreh me fjalë e rrymë të fuqishme e prekse gjendjen e tij shpirtnore. Lute e deshprueshme àsht njiherit uratë e protestë për fatin e keq e tragjik qi n'atë kohë po përjetonte populli shqiptar.
Poema rënqethse e Koliqit u përkthye edhe n'anglisht nga Prof. Zef V. Nekaj e me 1976 u botue në librin THE FULFILLED PROMISE - A documentary account of religious persecution in Albania, Ignatius Press, San Francisco, California 1976, (Premtimi i mbajtun - Nji dokumentar i salvimit fetàr në Shqipni). Shenojmë se poema u pëkthye edhe në gjuhën suedeze nga shkrimtari i mirënjoftun Alfred Berglund dhe u botue në Buletini Katolik Shqiptar'(Vol. VII-VIII, 1986-7).
All the contents on this site are copyrighted ©. |