2015-03-22 15:37:00

G. Kolaj e D. Markprekaj: Shërbesa e Lektorit dhe Akolitit të vënë përball Misterit të Hyjit


Seminaristët shqiptarë, Gaspër Kolaj e Daniell Markprekaj, ndajnë me ne mbresat dhe emocionet që përjetuan, së bashku me seminaristët tjerë, gjatë marrjes së ‘shërbesës së lektorit dhe akolitit’,  të enjten më 12 mars të kaluar, në Meshën kremtuar në kapelën e Seminarit ndërdioqezan të Shkodrës “Zoja Këshillit të Mirë”.

Po kujtojmë se dy ‘shërbesat’ ajo e ‘lektorit’ e 'Akolitit’, me përmbajtje shpirtërore, njerëzore, teologjike e baritore,  përbëjnë hapat e rëndësishëm të formimit gjatë udhës drejt meshtarisë. Këto dy ‘shërbesa’ janë momente themelore të përshkimit të shtegut formues të seminarit, vendit ku edukohen e formohet të rinjtë e besimtarët e krishterë për meshtari.  Mi këtë botojmë dëshminë e dy të rinjve shkodranë, që na flasin edhe për thirrjen e tyre në udhën e meshtarisë.

Së pari Gasper Kolaj për ‘shërbenën e lektoratit’. 

““Vërtet, fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcën, edhe shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës”. (Heb 4,12) 

Quhem Gasper Kolaj, i lindur në Dajç të Bregut të Bunës, Samrish i Vjetër nga prindërit, Kel dhe Lina Kolaj. Jam seminarist i Arqidioqezes Shkodër-Pult, në vitin e II të Teologjisë. Ditën e Enjte, me datë 12 mars 2015, mua, Gasper Kolaj, së bashku me seminaristin Mark Pashkja, nga e njëjta dioqezë, na u besua nëpërmjet duarve të Sh. Tij. Mons. Angelo Massafra, në praninë e klerit dioqezan, të rregulltarëve, të familjarëve dhe miqve tanë, shërbesa e Lektoratit. Kjo shërbesë e Kishës, u jepet kandidatëve në meshtari (dhe jo vetëm) nën detyrën e lexuesve apo të shpallësve zyrtarë të Fjalës së Zotit në liturgjinë e shenjtë.

Nuk është e lehtë të përshkruash  mbresat e kësaj dite, e aq më tepër të numërosh emocionet e pafundme të cilat më mbërthenin në ato çaste. Gjendesha përballë një ngjarjeje që për shumë kënd dukej e çuditshme dhe gati-gati e pakuptimtë...Them kështu, sepse shumë persona nuk e kuptonin domethënien e kësaj shërbese; vetë fjala “Lexues zyrtar”, nuk u thoshte kushedi se çka! Por për mua edhe pse i parapërgatitur për këtë eveniment, ministrin që po merrja, me plot bindje e shihja si dhuratë, një dhuratë të bërë nga Zoti nëpërmjet Kishës së tij. E në fakt kështu është, dhe me të tilla ndjenja duhet të përjetohet!

Ndër të tjera besoj se, fakti i të qenit lektor, nuk duhet të fokusohet vetëm në të lexuarit, por duhet më së shumti të krijohet në vetvete stili i të interpretuarit të Fjalës së Zotit, sigurisht se nuk ka të bëjë me një Show, por me përjetimin e asaj çka shpallet e sidomos me mënyrën me të cilën përçohet tek asambleja e bashkuar. Nga kjo rrjedh se, detyra e lexuesit përpara së gjithash kërkon diçka më intime, domethënë brendësimin e asaj çka lexon, që mediton dhe që ua shpall të tjerëve. Kështu shihet qartë se, lypset nevoja për të krijuar një marrëdhënie më konkrete me këtë Fjalë, në mënyrë që duke përshkuar në vetvete të realizohet e të shihet e efektshme tek të tjerët.

E tani, me mirënjohje falënderoj Zotin, Ipeshkvin, Eprorët dhe të gjithë ata Mësues që gjatë këtyre viteve formimi, janë munduar të më njohin e të më mësojnë  të relacionohem me Fjalën e Gjallë të Hyjit, që përshkon intimitetin e çdo qenie njerëzore. Ndërsa juve miq të Radio Vatikanit, u kërkoj që t’i shtoni e t’i shumoni lutjet për mua, dhe për çdo seminarist që gjatë kësaj periudhe është pajisur me shërbesa të ndryshme, që Zoti Atë, që na ka thirrur të na mbajë të qëndrueshëm në fjalën e tij e të na e shtojë besnikërinë në ndjekje të tij, për të qenë një ditë dëshmitarë të zellshëm të Krishtit në botë”.

Seminaristi: Gasper Kolaj      

E tani vijojmë me dëshminë e Daniell Markprekaj  për ‘shërbesën e Akolitatit’: Akoliti, thirrje për të ndjekur dhe për ti shërbyer Krishtit

Në fillim  dëshiroj ta falënderoj Zotin për bukurinë e kësaj dhuratë të thirrjes që na ka dhuruar,  dhe nëpërmjet thirrjeve të ndryshme që na bën, për ti përgjigjur me bujari dhe në mënyrë të lirë zërit të Tij. Nga dëshira për të ndjekur më nga afër Krishtin Zot në rrugën e meshtarisë, me datën 14 mars, në Kishën e famullisë së shën Antonit në Prishtinë, në duart e shkëlqesisë së Tij mons. Dodë Gjergji dhe në praninë e shumë meshtarëve, rregulltarë e rregulltare si dhe familjarëve tanë, seminaristët Meriton Dedaj nga famullia e Novosellës (viti III Teologji) dhe Daniell Markprekaj nga famullia e Zymit (viti III Teologji) pranuan me gëzim dhuratën e Akolitatit për të qenë të dashuruar dhe të lidhur ngushtë me Trupin e Krishtit që është Kisha. Këtë moment Hiri dhe gëzimi e bashkëndanë me ne edhe bashkësia e seminarit të Shkodrës në krye me ekipin formues, që na ndihmojnë të thellojmë besimin e pranisë së Jezusit në Eukaristi dhe në dhurimin e vetvetes për të tjerët. Pas meshës pasoi dreka vëllazërore për të gjithë të pranishmit.

Dëshiroj të bashkëndajë me ju edhe domethënien e kësaj shërbese dhe rrolin e saj në ecjen tonë. Shërbesa e Akolitit është themeluar për ta ndihmuar diakonin dhe për ti shërbyer meshtarit. Prandaj, është detyrë e Akolitit të kujdeset për shërbimin në altar, ta ndihmojë diakonin dhe meshtarin në veprimet liturgjik, sidomos në kremtimin e Meshës së Shenjtë.  Duhet të marrim pjesë në Eukaristinë e  shenjtë me një devotshmëri shumë të zjarrtë dhe në këtë mënyrë mund ti ofrohet, çdo dite, krejtësisht Hyjit, dhe të ushqejë një dashuri të sinqertë për trupin mistik të Krishtit, që është populli i Hyjit dhe sidomos të ketë një kujdes të veçantë për të dobëtit dhe të varfrit.

Përshpirtëria e Akolitit konsiston në Përvujtëri, dhurim i vetës dhe dëshmi e bamirësisë. Vegël e dashurisë së Krishtit dhe e Kishës. Lidhje të ngushtë mes liturgjisë dhe bamirësisë: prej shërbimit në tryezën eukaristitke te shërbimi në tryezën e të varfërve.

Përfundoj më një thënie të shën Agustinit: “ A dëshiron të jetosh me Shpirtin e Krishtit? Duhet të jesh në Trupin e Krishtit... Trupi i Krishtit nuk mund të jetë tjetërkund përveçse në Shpirtin e Krishtit... Mister dashurie! Simbol njësie! Lidhje dashurie hyjnore!” . Në fund, e falënderojmë dhe i jemi mirënjohës Zotit për bujarinë e dhuratës së thirrjes, dhe se fjalët njerëzore nuk janë në gjendje ta përshkruajnë këtë gëzim që e jetojmë, sepse kjo dhuratë e tejkalon pafundësisht njeriun.

Daniell Markprekaj nga Viti III Teologji








All the contents on this site are copyrighted ©.