2015-03-21 16:18:00

Papa në Scampia: korrupsioni bie erë të keqe, "jo" shfrytëzimit të punëtorëve


Pas vizitës në Shenjtëroren e Pompeit, Papa shkoi në Napoli, duke hyrë nga periferia, nga lagjja e Scampia-s. Tejet e ngrohtë, pritja e një turme të pafundme besimtarësh, mbledhur për ta takuar në Sheshin Gjon Pali II. Françesku iu drejtua me të njëjtën ngrohtësi, duke folur më shumë jashtë tekstit zyrtar.

“Desha ta filloja prej këndej, u tha, prej kësaj periferie, vizitën time.  Ju përshëndes të gjithë e ju falënderoj për pritjen e përzemërt. Vërtet shihet menjëherë se napoletanët nuk janë njerëz të ftohtë, apo jo? Falënderoj Kryeipeshkvin për përshëndetjen e mirëseardhjes e, sidomos, për ftesën, me dëshirën që të më shikonte doemos në Napoli.

Mos lejoni kurrë që e keqja ta thotë fjalën e fundit

Ju, tha në vijim, i përkisni një populli me histori të gjatë, plot ngjarje të ndërlikuara e dramatike. Jeta e Napolit nuk ka qenë kurrë e lehtë, por as e trishtuar. Kurrë. Udha e përditshme e këtij qyteti, me vështirësitë e pengesat, e nganjëherë, edhe me prova të rënda, prodhon kulturën e jetës, që të ndihmon të ngrihesh përsëri në këmbë, pas çdo rrëzimi e të mos e lejosh kurrë të keqen ta thotë fjalën e fundit. Sfidë e bukur, kjo: mos  lejoni kurrë që e keqja ta thotë fjalën e fundit. Është shpresë, ju e dini mirë, kjo trashëgimi, kjo levë e shpirtit, tejet e çmuar, por edhe e rrezikuar nga sulme e plaçkitje. E dimë se kush e merr vullnetarisht rrugën e së keqes, e vjedh një copëz shprese. Fiton diçka, por i vjedh shpresën vetvetes e edhe të tjerëve, mbarë shoqërisë. Udha e së keqes është gjithnjë udhë që grabit shpresën, që ua vjedh njerëzve të ndershëm e punëtorë, e edhe namit të mirë të qytetit, ekonomisë së tij.

Emigrantët nuk janë qytetarë të kategorisë B

Dëshiroj t’i flas motrës, që u bë zë i emigrantëve e i të pastrehëve. Ajo kërkoi një fjalë, që të sigurojë se emigrantët janë bij të Zotit e edhe qytetarë. Po a është e nevojshme të arrijmë deri këtu? Janë njerëz të klasës së dytë emigrantët? (Besimtarët: Jo!). Vëllezërit e motrat tona emigrante duhet ta dëgjojnë se janë qytetarë, janë si ne, bij të Hyjit, janë emigrantë si ne, sepse ne të gjithë emigrojmë kah një atdhe tjetër, eh? E shpresoj të arrijmë të gjithë, apo jo? E askush të mos humbasë rrugës! Jezusi na siguron se të gjithë jemi bij të Hyjit, bij të dashur, bij të dëshiruar, bij të shpëtuar. Ta mendojmë këtë! Të gjithë jemi shtegtarë në udhët e jetës. Askush nuk ka banesë të përhershme mbi këtë tokë. Të gjithë duhet të shkojmë. Të nisemi për të takuar Zotin. Kush më parë e kush më pas ose, siç thoshte një plak velet: “Po, po, të gjithë. Veçse shkoni ju përpara, e unë, pas jush, i fundit”.

Papunësia rrëmben dinjitetin

Pastaj foli punëtori. E falënderoj, sepse natyrisht, desha ta prek këtë pikë, që është shenjë negative e kohës sonë. Në mënyrë të veçantë, mungesa e punës për të rinjtë. E rëndë kjo, çfarë mund të bëjë një i ri pa punë? Ç’ardhmëri ka? Ç’rrugë jete mund të zgjedhë? E për këtë ka përgjegjësi jo vetëm qyteti, jo vetëm vendi, por e gjithë bota! Pse? Sepse kemi një sistem ekonomik, që i përjashton njerëzit, i shikon si hedhurina e tani u takon radha të rinjve, që të përjashtohen, të mbeten rrugëve, pa punë. E kjo është shumë e rëndë. Pse? “Por, o Atë, janë veprat e dashurisë së krishterë, janë  vullnetariatet, Karitasi, kjo qendër, ai klub. Nuk mbeten pa ngrënë…”. Po problemi nuk është tek e ngrëna, problemi më i rëndë është të mos kesh mundësi të çosh bukën e përditshme në shtëpi. E kur nuk arrin ta fitosh bukën, humbet dinjitetin! Duhet të luftojmë, duhet ta mbrojmë dinjitetin tonë si qytetarë, si burra, si gra, si të rinj. E kjo është drama e kohës sonë.

Shfrytëzimi i punëtorëve nuk është i krishterë

Duke folur gjithnjë jashtë tekstit zyrtar, Papa theksoi: “Nuk duhet të heshtim! E as të pranojmë punë pa shpërblim”. Ç’do të thotë kjo? Shfrytëzim i njeriut në punë. Disa javë më parë, një vajzë që kishte nevojë për punë, e gjeti në një ndërmarrje turistike. Kushtet ishin këto: 11 orë punë, 600 euro në muaj, pa kurrfarë mbështetjeje për pension. “Eh, po është tepër pak!”. “Nëse nuk të pëlqen, shiko radhën e njerëzve që presin pas dere për punë!”. Kjo ka vetëm një emër: skllavëri! Ky quhet shfrytëzim, nuk është njerëzor, aq më pak i krishterë. E nëse kush e bën këtë e quan veten i krishterë, është gënjeshtar, nuk thotë të vërtetën, nuk është i krishterë. Edhe shfrytëzimi i punës së tjetrit, puna në të zezë, kur ti punon pa kontratë, pa kurrgjë, e unë të paguaj sipas dëshirës, quhet shfrytëzim i njeriut, E ne duhet ta rifillojmë luftën për dinjitetin tonë, luftën për të kërkuar e për të rigjetur mundësinë që të çojmë bukën në shtëpi. Kjo është lufta jonë!

Korrupsioni qelbet

E këtu mendoj për fjalët e Kryetarit të Gjykatës së Apelimit. Ai përdori një shprehje të bukur: “udha e shpresës”, duke kujtuar moton e Shën Gjon Boskos; “të krishterë të mirë e qytetarë të ndershëm”, drejtuar fëmijëve e të rinjve. Udha e shpresës për fëmijët, para së gjithash, kalon përmes edukimit, edukimit për të ardhmen, ndihmës për të ecur përpara. Por tha edhe një fjalë tjetër “korrupsion”. Që unë dëshiroj ta përsëris. Pa më thoni, nëse ne ua mbyllim portën emigrantëve, nëse u heqim punën e dinjitetin njerëzve, si quhet kjo? Quhet korrupsion! Quhet korrupsion! E të gjithë ne kemi mundësi të korruptohemi: askush nuk mund të pohojë: unë nuk korruptohem kurrë! Është tundim, shkarje drejt punëve të lehta, drejt  kriminalitetit, krimeve, shfrytëzimit të njerëzve. Eh, sa korrupsion ka në këtë botë! Fjalë e keqe kjo, korrupsion, kalbëzim. Sepse një gjë e kalbur është edhe e ndyrë. Po të gjejmë dikund një kafshë të ngordhur, që kalbet, na vjen për të vjellë. Është e korruptuar domethënë e kalbur, bie erë të keqe, qelbet! Korrupsioni qelbet. Shoqëria e kalbur, qelbet! Një i krishterë, që e lë kalbësirën t’i hyjë në shpirt, nuk është i krishterë Qelbet edhe ai. Kuptuat?

Prania ime, nxitje për të ecur me shpresë

Të dashur miq, tha në vijim Françesku, dëshiroj që prania ime të jetë nxitje për udhën e shpresës, të rilindjes e të shërimit, tashmë në vijim. E njoh impenjimin bujar e faktik të Kishës, me bashkësitë e shërbimet e saj në jetën e Scampias. Ashtu si edhe mobilizimin e vazhdueshëm të vullnetarëve, ndihma e të cilëve nuk mungon kurrë.

E porositë e fundit të Papës, ishin: “Bëni politikë të mirë, në shërbim të njerëzve. Kini guxim për të shkuar përpara në rrugën e së mirës. Napoli është gjithnjë gati të rilindë, me levën e shpresës. Rrënja e shpresës është në vetë shpirtin e napoletanëve, posaçërisht në gëzimin e tyre, në fenë e tyre, në përshpirtërinë e tyre”.

Më pas, duke folur lirisht, Ati i Shenjtë shtoi: “Ju uroj të keni guximin për të shkuar përpara me këtë gëzim, me këtë rrënjë, me këtë guxim, pa ia vjedhur askujt shpresën, por duke e çuar përpara, në udhën e së mirës, jo të së keqes, duke i mirëpritur të gjithë ata, që vijnë në Napoli, si vendas, ashtu edhe të huaj, sepse janë të gjithë napoletanë: që mësojnë të flasin napoletançe. Gjuhë e ëmbël e tejet e bukur. E përpara edhe në pastrimin e qytetit e të mbarë shoqërisë, që të mos ndjehet më era e keqe e kalbëzimit, domethënë e korrupsionit.

“A Maronna v’accumpagne!"

Papa përfundoi me fjalët: “Ju uroj gjithë të mirat, shkoni përpara me Shën Gjenarin, pajtorin tuaj. Ju ndihmoftë e u lutët për ju. Ju bekoj të gjithë. E dhe ju mos harroni të luteni për mua: “A Maronna v’accumpagne!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.