Më 20 mars 1592 në Piana dei Greci (fshatin e Arbëreshëve) mbi
Palermo të Sicilisë, dom Lukë Matrënga ( 150-1619) përfundoi ‘E mbsuame e
krështerë’, ‘Doktrinën e Krishterë’, veprën e dytë të shqipes së shkruar,
pas ‘Mesharit’ të dom Gjon Buzukut. Titullohet ‘E mbsuame e krështerë’, është, pra,
‘Doktrina e Krishterë’ e parë në gjuhën shqipe. Katekizmi prej njëzetetetë faqesh,
është përkthim i veprës së jezuitit spanjoll, Atë Dr. Jakob Ledesma (1516-1575), shkruar
latinisht. Kopja e përkthimit shqip në dorëshkrim, që ka ardhur deri në ditët tona
në tri variante të ndryshme, i pari nga të cilët me sa duket me shkrimin e vetë Lukë
Matrëngës, nxënës i Kolegjit Grek (Arbëreshë) në Romë, është kataloguar nën Codex
Barberini Latini 3454 në Bibliotekën e Vatikanit. Një Variant tjetër i botuar, nga
i cili ka shpëtuar vetëm një kopje, është ai i shtypur në Romë nga Guglielmo Facciotto
'me lejen e të parëve' më 1592, që u zbulua nga Mario Rok (Mario Roques). Nga një
tjetër dorëshkrim është botuar një edicion i Doktrinës me shënime të Prof. M. La Piana
në revistën ‘Roma e l’Oriente’ më 1912.
Titulli i plotë i botimit është: "Embsuame e chraesterae. Baeaera
per tae Vrtaenae Atae Ladesmae sciochiaeriet Iesusit. E prierrae laetireiet mbae gluchae
tae arbaeresciae paer Lecae Matraengnae. Imbsuam i Cullegit Graec tae Romaesae. Dottrina
Christiana. Composta dal Reuerendo P. Dottor Ledesma della Compagnia di Giesù. Tradotta
di lingua Italiana nell'Albanese per Luca Matranga alumno del Collegio Greco in Roma".
(Doktrina e krishterë. Bërë nga i urti Atë Ledesma i Shoqatës së Jezusit.
Përkthyer nga italishtja në gjuhën arbëreshe nga Lekë Matrënga, student i Kolegjit
Grek të Romës.)
Vepra e Lukë Matrëngës përmban një hyrje në italishte, një vjershë me tetë vargje
që përbën llojin e parë të vargut të shkruar në shqip, si dhe katekizmin në formën
e dialogut ndërmjet priftit e besimtarit që përgatitet për t’ marrë sakramentet e
shenjta. U hartua për t'u përdorur nga arbëreshët që nuk e kuptonin variantin italisht
të katekizmit dhe u përdor nga qindra familje me prejardhje shqiptare në Kalabri,
Sicili e në Pulje të Italisë.
Ja edhe vjersha, titulluar ‘Këngë e përshpirtshme” që konsiderohet si një nga vargënimet
e para në gjuhën shqipe:
“Gjithëve u thëres, kush do ndëliesë,
Të mirë të krështe, bura e gra,
mbë fjalët të Tinëzot të shihi Meshë,
se s’ishtë njerii nesh që mkatë s’’kaa;;
e lum kush e kujton se ka të vdesë,
e mentë bashkë mbë Tënëzonë i kaa,
se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë,
e bën për bijr të tij e për vëlla”…
vargje që në shqipen e sotme tingëllojnë si thirrje aktuale drejtuar besimtarëve në
këtë kohë të fortë Krezhmësh:
Të gjithëve ju thërres, kush do ndjesë,
Të krishterë të mirë, burra e gra,
me fjalë të Tënzot të shihni Meshë,
se s’është njeri prej nesh që mëkate s’ka.
E lum kush kujton se do të vdesë.
E mendtë bashkë në Tënzonë i ka,
se Krishti në parajsë atij i bën pjesë,
e bën për bir të tij e për vëlla”.
Vetëm me 28 faqe, ‘Doktrina e Krishterë’ e Matrëngës është me rëndësi historike e letrare jo vetëm si botimi i dytë më i vjetër i letërsisë shqiptare, por edhe si vepër e parë e shkruar në toskërishte nga një arbëresh.
All the contents on this site are copyrighted ©. |