2015-03-19 12:01:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Mëshira Hyjnore


Vetëm pak ditë më parë, Papa Françesku shpalli një Jubile të jashtëzakonshëm, Vitin Shenjt kushtuar Mëshirës Hyjnore. Por ç’do të thotë “Mëshirë Hyjnore” e si duhet kuptuar ajo? A është e ndarë nga drejtësia? Vërtet, nuk mjafton të besojmë në Të, por duhet të kuptojmë edhe se si Zoti punon në ne përmes drejtësisë e mëshirës.        

         Për të folur mbi këtë temë, duhet të nisemi nga mëkati. Në kulturën fetare ekziston një bindje e dyfishtë: mëkati është fyerje kundër Zotit dhe vuajtjet e mëpasme janë pasojë e dënimit të Tij. Me bindje të tilla s’bëjmë tjetër veçse zhvendosim te Zoti sjellje e ndjenja, që u përkasin sjelljeve e ndjenjave tona. Le të përpiqemi të kuptojmë më thellë!

         Mëkati nuk i bën asnjë lloj dëmi Zotit, nuk ia ul nderin e përsosmërinë, por siç thuhet në Enciklikën “Gaudium et Spes” (13), është “përulje për vetë njeriun, pasi e pengon të jetojë në plotësi”. Pasojë e mëkatit është dështimi i jetës sonë personale dhe e marrëdhënieve me të tjerët, por meqenëse ai prodhon edhe  largimin nga Zoti, atëherë mund të thuhet se përbën “fyerje kundër Hyjit”. Shën Toma i Akuinit saktëson se Zoti nuk fyhet, përveçse kur veprojmë kundër së mirës sonë dhe atë të të afërmit. Duke u bërë protagonist i përhapjes së të keqes, njeriu ndahet nga Zoti, pengon planin që Ai e konsideron të shenjtë: të mirën në botë.

         Ideja e dytë, sipas së cilës e keqja shkakton dënimin hyjnor, gjen konfirmim në shumë tekste biblike, ku, përveç mëshirës, flitet edhe për drejtësinë e Zotit. Nuk është një çështje e thjeshtë, pasi nëse flitet vetëm për mëshirën rrezikojmë të paraqesim një Zot indiferent ndaj fatit të njerëzve, e nëse flasim vetëm për drejtësi rrezikojmë ta shndërrojmë Zotin në një Hyj hakmarrës. Sidomos këtu, duhet të kemi parasysh kufizimet njerëzore të arsyetimit tonë. Në ungjill, dishepujt, duke i treguar një person që kishte lindur i verbër, pyesin Jezusin: “Rabi, kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij që leu i verbët?” E Jezusi përgjigjet: “Nuk mëkatoi as ky, as prindërit e tij” (Gjoni 9,1-3). Teksti thekson faktin se Zoti nuk hakmerret për mëkatet e njerëzve dhe paraqet veprën e Krishtit, i cili ka ardhur të zbulojë një Hyj, që nuk dëshiron vdekjen e mëkatarit, por rilindjen e tij.

         Kur në Punën e Pendimit themi se me mëkatet “kam bjerrë Parajsën e kam merituar Ferrin” nuk duhet të projektojmë mekanizmin mëkat-dënim në imazhin e Zotit, që kështu do të shkaktonte vetëm vuajtje e dhimbje. Kjo shprehje na shërben që të mos e banalizojmë mëkatin, na kujton se falja kërkon pendesë të sinqertë e zhdëmtim. Është njëlloj si të thoshim: duke mëkatuar kemi merituar gjykimin dhe një botë larg nga plani i Hyjit. I kërkojmë Zotit të na dhurojë hirin për ta pranuar faljen e Tij, për të komunikuar me gëzim miqësinë e pajtimin me Të.








All the contents on this site are copyrighted ©.