2015-03-19 09:23:00

Kardinali Sepe: Papa do t’i japë Napolit mesazhin e shpresës


Papa Françesku priti, në Shtëpinë e Shën Martës, kardinalin Crescenzio Sepe, kryeipeshkëv i Napolit, pak ditë para të vizitës e tij baritore në qytet, më 21 mars. Për këtë takim flet sot kardinali Sepe, në mikrofonin tonë:

Pyetje: - Hirësi, si shkoi takimi me Papën?

Përgjigje: - Shumë mirë. Ndjehet një entuziazëm i madh. Nga ana jonë, natyrisht. Napoli vlon në pritje të vizitës së Papës e po bën një përgatitje të bukur shpirtërore. Kur i fola për këtë Papës e pashë se mbeti shumë i prekur. Pastaj i dhashë letrën, që ia kanë kushtuar 16 personalitete të shquara të Napolit. Mund të them se Papa është vërtet entuziast. Për shumë gjëra. Edhe për ta njohur nga afër këtë qytet, të cilit i këndojnë të gjithë, ndoshta sepse këndon për të gjithë.

Pyetje: - Mesazhi, që do të japë Papa në Napoli?

Përgjigje: - Është e qartë se Papa nuk mund të mos nënvizojë ato, që janë dritat, duke nisur nga angazhimi i meshtarëve, vërtet shembullorë. Pastaj unë i thashë: Atë i Shenjtë, ju e dini se këtë vit në qytet kremtuam tre shenjtërime, përveç një lumnimi. Prej këndej tani, në prag të vizitës suaj, Napoli ka tre shenjtorë të rinj. Kjo do të thotë se kemi forca të pakufishme, edhe në fusha të tjera, në fushën civile, në mjekësi, në letërsi, në muzikë, sidomos! Pa harruar edhe të këqijat, duke nisur nga papunësia e kriminaliteti i organizuar, nga Kamorra, nga një realitet që, sidomos, nuk po arrin t’i japë kuptim jetës së të rinjve. E Papa është tejet i ndjeshëm, kur bëhet fjalë për rininë. Ne po jetojmë një krizë brenda krizës. Nëse krizën e ndjejnë të gjithë, ne, edhe më shumë, sepse përfshihet në një krizë, që zgjat tashmë prej shumë vitesh.

Pyetje: - Pra, Napoli pret një mesazh shprese nga Papa?

Përgjigje - Një mesazh të fortë. Po them fjalët që pati shqiptuar Shën Gjon Pali II, kur pati ardhur në Napoli: “Do ta riorganizojë shpresën”.

Pyetje: - Cilat janë etapat kryesore të vizitës?

Përgjigje: - Në fillim do të hyjë në periferi, në Scampia. Scampia e famshme, ku do të takojë përfaqësuesit e fushave të ndryshme të qytetit: përfaqësuesin e kulturës, të ligjshmërisë e të profesioneve të tjera, që do të jenë të pranishëm në takimin e parë me Papën nga njëra anë; e nga ana tjetër, gjithnjë në të njëjtin shesh, Sheshi Gjon Pali II, do të takojë përfaqësuesit e punës, të emigrantëve, të të pastrehëve, të romëve… Këta janë gjashtë sektorët, që do të jenë të pranishëm në takimin e parë me Papën. Prej atje, do të  shkojë ngadalë me papamobil mes njerëzve, derisa të arrijë në Sheshin e Plebishitit, ku do të bashkëkremtojë me 7-800 meshtarët e dioqezës dhe me të gjithë ipeshkvijtë e Campania-s. Ky do të jetë çasti kulmor, më i bukuri, më kuptimploti: kremtimi i Meshës, me të gjitha realitetet kishtare-dioqezane. Prej këtu, Papa do të shkojë për drekë tek të burgosurit e Poggio Reale. Do të drekojë me ta e do t’i njohë së afërmi.  Pas një ndalese të shkurtër në kryeipeshkvi, sa për të marrë pakëz frymë, do të niset menjëherë për në Bazilikën e Jezusit të Ri, ku do të takohet me përfaqësues të të sëmurëve, ardhur nga spitale të ndryshme të Napolit, e, më pas, me fëmijët, të rinjtë, të sëmurët onkologjikë... Pas takimit me të sëmurët e para se Papa të niset, do të bëjmë festë gjatë bregdetit të Napolit, në Rotonda Diaz, ku Ati i Shenjtë do të takohet me të rinjtë e të moshuarit: do të jetë festë dhe manifestim shumë simpatik. Ashtu si dinë ta bëjnë të rinjtë!

 








All the contents on this site are copyrighted ©.