2015-03-19 16:08:00

500 vjetori lindjes së Shën Terezës nga Avila në Nënshat


Murgeshat e vëllezërit Karmelitan në Shqipëri, shënojnë 500 vjetorin e lindjes së Shën Terezës së Avilës, themelueses së Urdhrit, me një kremtim solemn në kuvendin Karmelitan në Nënshat. Më tepër të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit nga Vau-Dejës.....

Shenjtora, Tereza e Jezusit, përfaqëson një nga majat më të larta të përshpirtërisë së krishterë të të gjitha kohëve:  Shenjtorja lindi në Avila të Spanjës, në vitin 1515, në familjen Ahumada. Prindërit, njerëz me virtyte të larta e me frikën e Zotit, e pagëzuan me emrin Terezë. Në jetëshkrimin e saj na njeh me shumë hollësira të miturisë: flet për bindjet fetare të prindërve, për nëntë vëllezërit e tri motrat, për çastet e lume e të shqeta të jetës në këtë familje kaq të madhe e, njëkohësisht, kaq të lidhur me Zotin. Ishte vetëm nëntë vjeçe, kur nisi të lexojë jetët e disa martirëve. I lindi menjëherë dëshira të ecë në gjurmët e tyre, të pësojë martirizimin për Krishtin, të ngjitet sa më shpejt në qiell, pranë të Kryqëzuarit, duke mbartur mbi supe kryqin e vet. Fëmijët e kanë zakon t’u kërkojnë prindërve lodra, ajo u kërkoi diçka krejt të jashtëzakonshme: “Dua të shoh Zotin”, u tha, në sa ishte ende krejt e njomë. Disa vjet më vonë Tereza do të fliste për leximet e miturisë e do të pohonte se kishte zbuluar të vërtetën, të cilën e përmbledh në dy parime kryesore. Parimi i parë: gjithçka i përket kësaj bote, kalon, zhduket, shpesh pa lënë asnjë gjurmë. Parimi i dytë, themelor: Vetëm Zoti mbetet përgjithmonë, përgjithmonë, përgjithmonë! E kjo do të ishte edhe tema e poezisë së saj të famshme:
Mos u shqetëso për asgjë,
nga asgjë ti mos ki frikë.
veç Zotit, gjithçka kalon, 
po ai kurrë nuk ndryshon.
Durimi i hap rrugën dritës, 
atij që ka Zotin,
asgjë s’i mungon:
Zoti mjafton!
Kemi nevojë t’i lutemi Hyjit të na mësojë t’i duam Atë e vëllezërit: këtë me pakt fjalë na mëson shembulli i jashtëzakonshëm i Shën Terezës së Avilës. Ndër çastet më të rëndësishme të jetës së Mistikes së madhe të Avilës, që jetoi në shekullin XVI, është sigurisht rëndësia e meditimit dhe lutja, jo vetëm për murgesha e priftërinj, por edhe në jetën e njerëzve të kohëve tona. 
Të gjithë kemi etje për Zotin, të gjithë në thellësitë e zemrës sonë kemi dëshirë të rrimë me Zotin e të jemi miqtë e tij, sepse në shoqërinë tonë, siç vërejmë shpesh, mungojnë në mënyrë të veçantë vlerat shpirtërore, e Shën Tereza e Jezusit na mëson të jemi dëshmitarë të palodhshëm të Zotit, të pranisë, së tij, të hirit të tij, të veprimit të tij në realitetin tonë të përditshëm.
Shembulli i kësaj shenjtoreje, kundruese e thellë dhe veprimtare e suksesshme, na shtyn edhe ne ta gjejmë çdo ditë kohën e duhur për t’iu lutur Zotit . Koha e lutjes Hyjit nuk është kohë e humbur, por kohë për të hapur rrugën drejt jetës së vërtetë, kohë për të mësuar nga Zoti dashurinë e zjarrtë për Të, për Kishën e tij, për bijtë e Tij, pra për njerëzimin.
Për shenjtoren spanjolle, reformatore e Urdhërit Karmelitan, të lutesh do të thotë të shkosh për vizitë miqësore te Zoti, i cili të do, të pret me dashuri të pakufishme. Ndër pikat themelore të përshpirtërisë, Shën Tereza në radhë të parë propozon virtytet ungjillore, si bazë e gjithë jetës së krishterë e njerëzore: posaçërisht, shkëputjen nga pasuritë dhe varfërinë ungjillore; dashurinë për njëri-tjetrin, si element themelor i jetës në bashkësi e në shoqëri; përvujtërinë, si dashuri për të vërtetën; vendosmërinë, si fryt i guximit të krishterë; shpresën teologale, të cilën e përshkruan si etje e pashuar për ujin e gjallë.
Por, në sa radhit virtytet hyjnore, Shën Tereza nuk i harron as virtytet njerëzore si: përzemërsinë, çiltërsinë, modestinë, mirësjelljen, gjallërinë, kulturën. Nuk mund të mos kujtojmë edhe veprën më të famshme të Shën Terezës, me titull “Kështjella shpirtërore”, në të cilën ajo përshkruan udhën e shpirtit të saj e, njëkohësisht, kodifikon mundësitë e zhvillimit të jetës së krishterë drejt përsosurisë. Prej këndej gjejmë shpjegimin e çfarë kuptimi kishte lutja për Terezën e Avilës.
Për të lutja është jetë, që ecën krah për krah me jetën e krishterë: nis nga urata e shqiptuar me zë të lartë, për të kaluar, përmes rrugëve të shpirtit, në meditim e në përqendrim të thellë, deri sa arrin në bashkim dashurie me Krishtin e me të Shenjtnueshmen Trini.
Nuk mund të mos përmendim edhe miqësinë ndërmjet mistikes e Shën Gjonit të Kryqit, me të cilin arriti të themelonte kuvendin e parë të karmelitanëve të zbathur. Po të shfletojmë veprën e Shën Terezës, “Libri i jetës”, në të  gjejmë se si ajo ia nënshtron shpirtin gjykimit të “Mësuesit të jetës shpirtërore”, Shën Gjonit të Avilës.
Qëllimi është të vërë në dukje praninë e veprimin e Hyjit të mëshirshëm në jetën e saj: për këtë arsye vepra shpesh ka formën e dialogut me Zotin, në lutje. Leximi i kësaj vepre të rrëmben, sepse rrëfimi është aq i fuqishëm, sa të bën ta rijetosh përvojën e thellë të lidhjes së saj me Zotin.
Së fundi kujtojmë temat më të dashura për Shën Terezën: ajo pati në qendër të vëmendjes Krishtin Zot e njeri dhe dashurinë për Kishën. Shën Tereza e deshi Kishën me dashuri pa asnjë kusht; ajo dëshmoi një “sensus Ecclesiae” të vërtetë, të cilin nuk e cenuan aspak përçarjet e konfliktet në jetën e Kishës së kohës, kur jetoi. Edhe Urdhrin Karmelitan e reformoi me qëllim që t’i shërbente më mirë “Kishës Shenjte Katolike Romake”, gjithnjë e gatshme të jepte për të, edhe jetën.

KREMTIMI I 500 VJETORIT TE LINDJES  SË SHËN TEREZES SË AVILËS  nga Violeta Marashi

Në kuadër të 500 vjetorit të lindjes së Shën Terezes së Avilës, mbarë kuvendet karmelitane në botë kremtojnë vitin 2015 si Viti Jubilar kushtuar themelueses së tyre. Këtë Jubile po e shoqërojnë  kremtimet e shumta të rastit që po mbahen sa në një kuvend në tjetrin. Një ndër këto kuvende është edhe  i motrave dhe vëllezërve Karmelitan në Shqipëri, që po kremton herë pas here evenimente kushtuar Shën Terezes së Jezusit. Kremtimi i radhës ishte gjatë kësaj jave në Kuvendin Karmelitan në Nënshat ku u përkujtua lindja e Nënës themeluese të këtij urdhëri. Me pjesëmarrjen e besimtarëve të famullisë, meshtarëve e motrave të Dioqezës së Sapës, në praninë e Atit Gjeneral të Urdhërit Karmelitan, Atë Saverio Cannistrà dhe Atit Provincial Atë Gabriele Morra, etërit dhe motrat karmelitane bashkëndanë me gëzim kremtimin e këtij përvjetori nëpërmjet eukaristisë shenjte të udhëhequr nga Ipeshkvi i vendit Imzot Lucjan Avgustini. Mes të tjerave Imzot Lucjani falenderoi Atin Gjeneral për praninë e tij këtu në Nënshat dhe për dhuratën bërë kishës lokale të Sapës me dërgimin e etërve karmelitan në këtë vend, dhe së bashku me motrat investimi i karmelit në Shqipëri tha ai, është burim hiresh dhe bekimesh prej Zotit.

Ndërsa në predikimin e rastit, Gjenerali i Karmelitanëve shprehi kënaqësinë e tij që gjendem në karmelin e Nënshatit, dhe jemi mbledhur në këtë eukaristi pikërisht për Shën Terezen e Avilës, nënës sonë themeluese. Ai u ndal në figurën e Shën Terezes që diti ta jetojë dhe ta dojë Ungjillin; një grua që Zoti në mirësinë e tij, e kishte ndriçuar të njohë mirë thesarin e madh. Por edhe pas 20 viteve që ishte bërë rregulltare, ka qenë përsëri e paqëndrueshme; ishte gjithnjë në kërkim të ujit të gjallë, në kërkim të burimit dhe ujit të freskët. E kjo ishte marrëdhënia me Atin që të freskon, të hap zemrën e të mbush me praninë e Hyjit. E gjithë këtë burim, gjithë eksperiencën e saj me Jezusin, Shën Tereza nuk e mbajti për vete, por e ndau me të tjerët. Dhe nën shembullin e saj, fryt i këtij burimi jemi edhe ne karmelitanët e ditëve të sotme tha Atë Saverio, që gjendemi nëpër vende të ndryshme të botës, përmes kuvendeve të cilët ajo vetë i themeloi. Në përfundim të fjalës së tij, Atë Saverio tha se i kërkoi Zotit që edhe karmeli në Shqipëri të jetë burim i dashurisë së Jezusit për çdo shpirt besimtari. Ky kremtim u mbyll me lutjen e pesëqind vjetorit, duke i kërkuar Zotit, që sikur shën Tereza, bija e kishës dhe mësuese e përshpirtërisë, të japim dëshminë e gëzimit të Jezusit përpara botës, gjithmonë të kujdesshëm për nevojat e njerëzimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.