2015-03-18 14:07:00

Letër e hapur e studiuesve islamikë kundër Isis: tradhton Islamin


Studiues, ekspertë, aktivistë e individë nga e gjithë bota vijojnë të nënshkruajnë Letrën e hapur për të vetëquajturin “Kalif” të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, për të cilën qenë nismëtarë 120 përfaqësues e intelektualë myslimanë. Letra përbën një nga qëndrimet e pakta publike të botës islamike kundër lëvizjes terroriste, e cila, në pak muaj, ka shtënë në dorë territore të mëdha në Irak e Siri. Duke ndjekur ideologjinë e xhihadit, pra të luftës së shenjtë kundër të pafeve, integralistët synojnë krijimin e një “Kalifati” (pra, të një shteti me bazë ligjin e sharisë), ku të përfshihet Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia. Madje, kanë ndërmend edhe sulmin kundër vendeve-simbol të Evropës.

Islami nuk është fe e dhunës

         Intelektualët e krerët fetarë, nënshkrues të Letrës, akuzojnë Isis se ka tradhtuar Islamin, duke e interpretuar si “fe të dhunës, të torturës, të mizorive e vrasjeve”. E për ta vërtetur këtë i drejtohen edhe doktrinës myslimane, e cila për shembull, nuk lejon të shpallen “fatwa” (edikte fetare) pa respektuar procedurat e parashikuara, ose të citohet një rresht i Kuranit pa pasur parasysh kontekstin e mësimin e përgjithshëm, që nxirret nga pjesa ku është shkëputur.

Islami nuk parashikon persekutime kundër të krishterëve

         Gjithashtu, shkruhet në Letër, Islami nuk lejon të vriten të pafajshmit, kërkon të mos injorohet realiteti dhe të mos vriten ambasadorët, diplomatët, gazetarët dhe veprimtarët humanitarë. Së fundi, feja myslimane nuk parashikon, në asnjë mënyrë, abuzime, apo persekutime kundër të krishterëve ose “njerëzve të Librit” (hebrenjtë e të krishterët), nuk lejon kthime me forcë në Islam e as dhunë në emër të Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.