2015-03-17 12:17:00

Papa: jini të mëshirshëm, mos i mbyllni portat e Kishës


Kisha është “shtëpia e Jezusit”, një shtëpi mëshire, që pranon të gjithë, prandaj të krishterët nuk mund t’ia mbyllin dyert. Ky qe thelbi i homelisë së Papës Françesku, në meshën e sotme në Shtëpinë e Shën Martës. Është një antitezë, që Ati i Shenjtë e përdor shpesh tashmë: Jezusi i hap dyert për këdo që e kërkon, ndërsa të krishterët, shpesh, ia përplasin portën e kishës në fytyrë atij, që troket në të. Një konflikt ndërmjet mëshirës së plotë të Krishtit e asaj tepër të paktë, që tregojnë ata, të cilët thonë se besojnë në Të.

Mos e ndalni atë, që kërkon Krishtin

         Reflektimi i Papës mori shkas nga leximet e sotme liturgjike, të cilat flasin për ujin, që shëron. Ezekieli profet përshkruan bukur ujin, që rrjedh nga tempulli e që jashtë tij bëhet një përrua i fuqishëm e pastaj lumë, në ujrat e të cilit, plot me peshq, gjithkush mund të rigjallërohet. Është fjala për ujin e pishinës së Betsatasë, e cila përmendet edhe në Ungjill. Pranë saj, që prej 38 vjetësh, qëndronte një paralitik, që s’kishte njeri ta ndihmonte të zhytej për t’u shëruar. Jezusi e nxit të çohet e ai merr shtrojën e vet e ngrihet në këmbë, i shëruar. Dijetarët e ligjit e kritikuan me të madhe, sepse Jezusi e kishte shëruar ditën e shtunë. Histori e përhershme, komentoi Papa Françesku:

         “Një burrë – një grua – që ndjehet i sëmurë në shpirt, i trishtuar, që ka bërë shumë gabime në jetë, në një çast të caktuar, sheh se ujrat po lëvizin - është Shpirti Shenjt që i lëviz - ose dëgjon një fjalë… ‘Eh, dua të shkoj atje!’… Merr guxim e shkon. Po sa herë sot, në bashkësitë e krishtera, e gjen derën e mbyllur: ‘Jo, ti nuk mundesh, ti nuk mundesh. Ti ke gabuar e s’mund të hysh. Po deshe të vish, hajde në meshën e së dielës, por rri aty, mos bëj më shumë’. E të krishterët, me psikologjinë e dijetarëve të ligjit, shkatërrojnë kështu atë, që bën Shpirti Shenjt në zemrën e njerëzve”.

Kisha është shtëpia e Jezusit

         Kisha, theksoi Papa, duhet t’i ketë gjithnjë portat të hapura:

         “Është shtëpia e Jezusit e Jezusi mirëpret. E jo vetëm kaq, por shkon t’i kërkojë njerëzit, siç shkoi për paralitikun. E nëse njerëzit kanë plagë në shpirt, ç’bën Jezusi? I qorton? Jo, i merr dhe i mban mbi supe. E kjo quhet mëshirë. E kur Zoti e qorton popullin e vet – ‘Mëshirë dua, jo flijime!’ – kështu i thotë”.

Dashuria është ligji

           Ti që ia mbyll portat njeriut me dëshirë për t’u përmirësuar, nuk je askush, vijoi Ati i Shenjtë. Kreshmët, përfundoi, i ndihmofshin të gjithë të mos bëjnë të njëjtin gabim me ata, që përçmuan dashurinë e Jezusit për paralitikun, vetëm sepse ishte kundër ligjit:

         “T’i kërkojmë sot Zotit në meshë, për ne, për secilin prej nesh e për të gjithë Kishën, kthimin kah Jezusi, kthimin e zemrës kah Jezusi, kah mëshira e Tij. E kështu, Ligji do të plotësohet krejtësisht, sepse Ligj është të duash Zotin e të afërmin, si vetveten”.








All the contents on this site are copyrighted ©.