2015-03-17 08:25:00

Më 17 mars kalendari kishtar përkujton Shën Patrikun


Patriku, bir i diakonit të bashkësisë Bannhaven Taberniae, Patriku lindi në vitin 385 në Angli, por shpejt u kap nga piratët e u shit skllav në Irlandë, vend i banuar nga keltët e skotët, ende paganë. Gjurmët e rinisë së tij janë të zbehta. Dimë me siguri se para vitit 448 kishte ikur nga Irlanda e qe vendosur në Okserrë, pranë Gjermanit ipeshkëv, njeri me dije të thella e shenjtëri të jashtëzakonshme.

Më pas Patriku u rikthye në Irlandë, jo më si skllav, por si predikatar i Ungjillit. Aftësia e tij gjeniale për t'u bërë një me shpirtin irlandez e për ta kuptuar me fund, shpjegon pse predikimi i fesë së re ndërmjet irlandezëve nuk pati asnjë martir në këtë tokë, banorët e së cilës qenë fise luftarake, shpesh në konflikt ndërmjet tyre.

Patriku formoi klerin vendas dhe bashkësitë e para të krishtera, duke respektuar thellësisht traditat. Synoi së pari të kthente në fenë e krishterë kryetarët e fiseve, pas të cilëve vinte gjithë fisi. Ndërtoi abacitë, që u bënë të famshme e bërthama të qyteteve të ardhshme. Vuajti shumë për shkak të shpifjeve, që bënë kundër tij heretikët pelagjianë. Atëherë Shenjti hartoi shkrimin e titulluar "Rrëfim" duke sqaruar se gjithë veprimtaria e tij misionare s'ishte tjetër, veçse zbatim i një urdhri hyjnor, e urrejtja e pelagjianëve kundër tij, buronte thjeshtë nga urrejtja që ata kishin për Zotin, të cilit ai i bindej pa kushte.

Patriku i përfundoi në paqe ditët e veta në vitin 461 në Ulster e pikërisht në Daun, që nisi të quhej Downpatrick. La pas një trashëgimi të shkëlqyer: një radhë të gjatë shenjtorësh e një popull të lidhur pazgjidhshmërisht me fenë e krishterë në rrjedhë shekujsh.








All the contents on this site are copyrighted ©.