2015-03-17 18:15:00

Me krahë të hapur për të fluturuar lartë. Përfundoi vizita e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit në Bjellorusi


“Zëri i lutjes tuaj dhe dëshmisë tuaj të jehojë sërish fuqishëm e të zgjojë zemrat e vakëta  të atyre që e kanë lënë” Kishën “për të ndjekur mitin e pasurisë, të kënaqësisë pa dashuri, të egoizmit që vret solidaritetin, të indiferencës që shkatërron pjesëmarrjen në gëzimin dhe në dhimbjen e të tjerëve”. Këtë porosi ia la kardinali Pietro Parolin komunitetit katolikë të Bjellorusisë në përfundim të vizitës së tij zyrtare nga 12 deri më 15 mars.
Duke kremtuar të dielën më 15 mars  Meshën në Katedralen e Minskit, mbushur përplot me besimtarë, sidomos me fëmijë, sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kujtoi kalvarin që përjetoi dhe përshkoi komuniteti katolikë gjatë regjimit të kaluar, e lavdëroi katolikët e Vendit, “të shumtë në numër ” për dëshminë e dhënë në momente vërtetë të vështira”, e permendi kalvarin deri “në atë masë sa që në kohë jo të largët, meshtarët qenë internuar, kishat qenë shkatërruar, bashkësitë fetare shpërndarë, ndërsa propaganda shumë e organizuar dhe shtypëse synonte ta shlyente nga zemra e besimtarëve imazhin e Zotit”, por kot.
Lidhur me këtë, kardinali siguroi se “Papa përkulet para kësaj historie të vuajtjes”, para “ së keqes së pamasë që është pësuar” nga populli bjellorusë në një varg të pashkëputur “luftërash, përndjekjesh, shkatërrimesh, vrasjesh, internimesh”. Para këtij tmerri, vërejti kardinali Parolin konstatojmë faktin se “kur njeriu largohet nga Zoti, bie në humnerën e mizorisë”.  Bie në kategorinë e “kafshëve” dhe bëhet “pre e instinkteve më të ulta”. Siç dëshmon ajo që është duke ndodhur  “edhe jo larg nga këtu, në tokën e dashur të Ukrainës, ku dhuna shpërthen në mënyrën më të vrazhdë, për çka jemi dëshmitarë të drejtpërdrejtë përmes pamjeve” që tregojnë mediat: “bashkësi të shkatërruara, fëmijë e të moshuar të pambrojtur të shfarosur pa mëshirë apo të detyruar të jetojnë nën tokë për një kohë të gjatë, ndërsa përreth shkatërrohet bota e tyre, sendet me të cilat janë pjesë e jetës së përditshme e deri edhe njerëzit e tyre të dashur”.  Me fjalë tjera, për sekretarin e Shtetit të Vatikanit “drama e lirisë së njeriut” imponon një betejë të pareshtur. E “pa betejë nuk ka fe”. Në mënyrë të veçantë në ditët e sotme na pret “beteja kundër idhujve të vegjël që duan ta zënë vendin e Zotin: mirazhi i pasurisë, humbja e kuptimit të së mirës e së keqes, indiferenca, ta ndjehesh fenë katolike gati si identitet etnik , e pastaj të jetosh pa kurrfarë kuptimi e orientimi. Të jetosh si egoistët, sikur Zoti të mos ekzistonte”. Nga këtu thirrja e kardinalin Parolin për t’u ndierë dhe “qenë të krishterë krenarë”, e të mos braktisët kurrë Kisha, për asnjë arsye, sepse “në të rra zemra e Krishtit”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.