2015-03-17 12:49:00

Imzot Tomasi: OKB-ja të ndalë genocidin kundër të krishterëve në Lindjen e Mesme


OKB-ja të ndalë genocidin kundër të krishterëve. Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në selinë e OKB-së në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomasi, e ngre sërish zërin në media, pas dy atentateve terroriste të së dielës, në dy kisha, në Pakistan. “Ideale – shpjegon imzot Tomasi, në thirrjen e tij për OKB-në – do të ishte zgjidhja politike - pa dialog nuk ka paqe - por nëse kjo nuk është e mundur, bashkësia ndërkombëtare mban përgjegjësi për mbrojtjen e jetës e të të drejtave themelore të njerëzve, e ka për detyrë të ndërhyjë për t’i mbrojtur. Nuk i takon Kishës Katolike të thotë ç’duhet bërë – përfundon imzot Tomasi. Është OKB-ja ajo, që duhet të vendosë”.

         Ndërkaq, nuk mund të ketë qetësi për të krishterët edhe në Irak. Furia xhihadiste vazhdon të marrë me vete kisha e simbole fetare. Fotografitë e shtatoreve e të ikonave të shkatërruara, të varreve të dhunuara, të kryqeve të zëvendësuara me flamurin e Isisit, publikohen në internet e bëjnë xhiron e mediave, në të gjithë botën. Patriarkati i Babilonisë së Kaldeasve kërkon një ligj për dënimin e atyre, që nxisin dhunën.

         Në Pakistan, qindra njerëz morën pjesë në funeralin e viktimave të së dielës në Lahore. Ndër 16 viktimat, nëntë janë të krishterë, ndërsa shtatë të tjerët, myslimanë. Atentatet shkaktuan edhe 82 të plagosur. Dje, në të gjithë vendin, u zhvilluan protesta për të kërkuar siguri më të madhe për vendet e kultit të pakicave fetare. Edhe gjatë manifestimeve, humbi jetën një person e shumë të tjerë u plagosën. Në të gjitha kishat, besimtarët u mblodhën në lutje.

         Sipas Shoqatës Ndërkombëtare “Porta të Hapura”, të krishterët e persekutuar e të diskriminuar për fenë në botë, arrijnë në rreth 100 milion vetë. Vetëm gjatë vitit 2014, kanë humbur jetën 4344 të krishterë e janë sulmuar 1062 kisha. Një fenomen në rritje, denoncon shoqata, siç shpjegon në mikrofonin tonë, sekretarja e degës italiane, Cristina Merola:

         Po, persekutimi është në rritje në shumë vende. Lista jonë hartohet, duke pasur parasysh pesë fusha të jetës së përditshme, në të cilat të krishterët munden ose s’munden ta jetojnë lirisht fenë: sfera private, bashkësia ku bëjnë pjesë, ambienti që frekuentojnë e, jeta publike. Këtyre u shtohet një fushë e gjashtë, që shërben për të matur nivelin e dhunës së pësuar. Dhjetë vendet e para të kësaj liste të zezë janë: Koreja e Veriut, Somalia, Iraku, Siria, Afganistani, Sudani, Irani, Pakistani, Eritrea dhe Nigeria.








All the contents on this site are copyrighted ©.