2015-03-16 11:57:00

Françesku: Zoti është i dashuruar me ne, ëndërron për ne


Zoti është i dashuruar me ne e ne jemi ëndrra e Tij e dashurisë. Këtë asnjë teolog nuk mund ta shpjegojë, ndërsa ne mundemi vetëm të qajmë nga gëzimi: ky, thënë përmbledhtas, ishte thelbi i homelisë, që mbajti sot Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Ëndrra e Zotit

Duke u nisur nga Leximi I i Izaisë profet, ku Zoti thotë se do të krijojë “qiej të rinj e tokë të re”, Papa Françesku pohoi se krijimi i dytë i Zotit është dhe më i mrekullueshëm se i pari, sepse, kur Zoti e ‘ribën’ botën e rrënuar nga mëkati, e ‘ribën’ në Jezu Krishtin. Në këtë risim të çdo gjëje, Zoti shpreh gjithë gëzimin e tij: Vërejmë se Zoti ka shumë entuziazëm: flet për gëzim e thotë një fjalë: “Do të kënaqem me popullin tim”. Zoti mendon atë që do të bëjë, mendon se Ai, Ai vetë, do të jetë në gëzim, bashkë me popullin e tij. Të duket si të ishte një ëndërr e Zotit: Zoti ëndërron. Ka ëndrrat e veta. Ëndrra për ne:

“Ah, sa gjë e bukur do të jetë kur të jemi gjithë bashkë, kur të jemi atje o kur ky apo ai njeri... do të ecë me mua… Po, unë do të kënaqem në këtë çast!’. Po jap një shembull, që mund të na ndihmojë për ta kuptuar këtë: si kënaqet vasha me të fejuarin, o djali me vashën, kur  mendon: ‘Po kur do të jemi bashkë, kur do të martohemi…’ Është ëndrra e Zotit”.

Ne jemi në mendjen e në zemrën e Zotit

Zoti, vijoi Papa, mendon për secilin prej nesh, mendon mirë, na do mirë, ëndërron për ne. Ëndërron për gëzimin, që do të ketë me ne. Prej këndej Zoti dëshiron ta ‘ri-krijojë’ zemrën tonë, për të bërë që të ngadhënjejë gëzimi:

“A keni menduar ndonjë herë? ‘Zoti ëndërron për mua! Unë jam në mendjen, në zemrën e Zotit! Zoti mund të ma ndërrojë jetën!’. E bën shumë plane: ‘Do të ndërtojmë shtëpi, do të mbjellim vreshta, do të hamë bashkë’… gjithçka që ëndërron njeriu i dashuruar… E kështu Zoti tregon se është i dashuruar me popullin e vet. E  i thotë popullit të tij: ‘Nuk të zgjodha pse je më i forti, më i madhi, më i pushtetshmi. Të zgjodha sepse je më i vogli nga të gjithë. Po unë të zgjodha kështu siç je. E kjo është dashuri”.

Dashurinë e Zotit për ne nuk mund ta shpjegojë asnjë teolog

Zoti është i dashuruar me ne, rikujtoi Papa, duke komentuar edhe fragmentin e Ungjillit, që flet për shërimin e djalit të nëpunësit mbretëror:

“Besoj se nuk ka asnjë teolog, që mund ta shpjegojë këtë: nuk mund ta shpjegojë. Këtë mundesh vetëm ta mendosh, ta ndjesh e të derdhësh lot gëzimi. Zoti mund të më shndërrojë. E ç’duhet të bëj? Të besoj! Duhet të besosh se Zoti mund të të bëjë njeri tjetër. Ai është i fuqishëm. Mjafton të besosh se Ai mundet! Si  babai, për të cilin flet Ungjilli. Ai besoi se Jezusi mund ta shëronte të birin. E Zoti ia shëroi. Kjo është fe. Kjo do të thotë të besosh, t’i bësh vend Zotit, që të vijë e të më shndërrojë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.