2015-03-16 13:03:00

Dom Zef Shestani, në përvjetorin e kalimit në amshim


Dom Zef Shestani, përgjegjësi parë i Programit Shqip të Radio Vatikanit, në përvjetorin e kalimit në amshim.

Kujtojmë themeluesin e programit shqip të Radio Vatikanit, dom Zef Shestanin në përvjetorin e kalimit të tij në shtëpinë e Atit Qiellor.

Figurë poliedrike, dom Zefi ( 29. 06. 1912 - 16. 03. 1990), qe prift shembullor, atdhetar i flaktë, gazetar i urtë, largpamës.

Në vitet më të vështira e të errëta të historisë së Shqipërisë, përmes valëve të Radio Vatikanit, dom Zef Shestani dha një kontribut të jashtëzakonshëm me kultivimin dhe transmetimin e vlerave shpirtërore, kombëtare, qytetare e ungjillore, duke mbajtur në zemra shqiptarëve e të dëgjuesve të RV përherë të ndezur dritë e shpresës së ngadhënjimit të së mirës mbi të keqën, të lirisë mbi robërimin, të dashurisë mbi urrejtjen, të dritës mbi errësirën.

Programi i parë i Radio-Vatikanit në gjuhën shqipe filloi më 3 tetor 1951 me një Udhë Kryqi, që simbolizonte atë udhë kalvari në të cilën nisi të ecte populli shqiptar dhe mbarë besimtarë katolikë e të tjerë . “Laudetur Iesus Christus! Ju flet Radio -Vatikani në gjuhën shqipe”.  Me këtë sigël që hapte emisionet në gjuhën shqipe, për dyzet vjet me radhë ishte pikërisht ky zë, zëri i dom Zef Shestanit, që përmes valëve të Radio-Vatikanit, u drejtohet shqiptarëve brenda e jashtë Atdheut.

Dom Zef Shestani lindi në Shkodër më 29 qershor 1912, njëherësh me Shqipërinë e Pavarur. U shkollua në Kolegjin Saverian të qytetit, ku Zoti e thirri për jetën meshtarake. Të parët menduan ta çojnë për të vijuar studimet e larta, në Padovë. Ishte viti 1935. 
Sapo u kthye, Dom Zefi u emërua zëvendës-famullitar i Shkodrës me seli në kishën e Shën Kollit, në Rus, ku tha Meshën e parë më 1 janar 1936. Filluan për të 3 vjet veprimtarie të pareshtur. U mor me të rinjtë, me muzikën, me publicistiken. Nisi t'i hapte baritorisë së Kishës horizonte të reja, gjithnjë me frymën tradicionale: Për “Fé e Atdhé". Pasi iu kundërvu pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, më 1939, e komunizmit të pafé e të paatdhé, më 1944, u detyrua të kalonte në Itali, ku rifilloi menjëherë edhe më me zell punën meshtarake e intelektuale në shërbim të idealeve, të cilave u kishte kushtuar jetën.
Në sa shërbente si famullitar në dioqezën Porto-Santa Rufina,  në periferi të Romës, Selia e Shenjtë e ngarkoi me detyrën të themelonte Programin Shqip të Radio-Vatikanit. Nuk ishte e lehtë: bashkëpunëtorët në mërgim ishin të paktë; lidhja me besimtarët në atdhe, e pamundur; çdo fjalë që thuhej para mikrofonit, mund të krijonte probleme e rreziqe të paparashikuara përtej perdes së hekurt për shumëkënd. Gjithsesi ai, që s'ishte trembur nga situata më të vështira, pranoi. Bashkëpunuan ngushtë me të Zef Pali, me të cilin njihej mirë që në Shqipëri, Andrea Shuli, Gjon Gjomarkaj e murgesha e parë engjëllore shqiptare, motër Luçia Laca. Më vonë, bashkëpunëtor i jashtëm u bë edhe atë Daniel Gjeçaj e shumë të tjerë. Dom Zefi vdiq në Romë më 16 mars 1990. Sot e kujtojmë figurën e tij me nderim, respekt, emocion e mirënjohje.








All the contents on this site are copyrighted ©.