2015-03-16 13:57:00

Bosnjë-Hercegovinë. Papa: çdo energji, për të ndihmuar nevojtarët


Mos i kurseni energjitë për të ndihmuar nevojtarët e të gjithë ata, që duan të qëndrojnë në atdhe, duke shmangur kështu shtimin e radhëve të emigracionit. Kjo qe thirrja e Papës Françesku për ipeshkvijtë e Bosnjë-Hercegovinës, të cilët i priti në vizitë “ad Limina”. Papa foli për problemet e papunësisë, kujtoi luftën e shprehu solidaritet për popullin e vendit, që do ta takojë më 6 qershor, gjatë vizitës së tij në Sarajevë.

         20 vjet qetësi relative nuk e shlyejnë nga kujtesa luftën, sidomos nëse ajo është veçanërisht mizore, siç qe në mesin e viteve ’90 në Ballkan. E pesha e kujtimeve është si kripa mbi plagët e sotme të papunësisë, të mungesës së perspektivës, të dëshirës për të ikur.

Ndihmoni kë nuk do të emigrojë

         Papa është i vetëdijshëm për këtë e, siç shkruan në fjalën që u dorëzoi ipeshkvijve, duhen shpenzuar të gjitha energjitë për të ndihmuar ata, që kthehen nga emigracioni, por sidomos ata, që dëshirojnë, me të drejtë, të rrinë në tokën e tyre amtare. Famullitë janë vendi ku përballohen shpirtërisht problemet e paqëndrueshmërisë së familjeve, kujtesa e gjallë e konfliktit që nxit urrejtje, ndjenjat e cënuara e shkatërrimi i indit shoqëror të një bashkësie të tërë. Kisha duhet të gjejë përgjigje për ata, që kanë uri shpirtërore, që besojnë në vlerat e pashlyeshme të Ungjillit.

Në prag të vizitës apostolike

         Fjalët e Papës Françesku tingëllojnë si prelud për vizitën e tij të 6 qershorit, gjatë së cilës do të shohë me sytë e vet Sarajevën e krejt kombin e Bosnjë-Hercegovinës. Bashkësive të krishtera do t’u kërkojë të mos mbeten vetëm brenda traditave të tyre, megjithëse “fisnike”, por ta zgjerojnë “perimetrin liturgjik të Kishës”, falë frymës së freskët të Ungjillit.

Ipeshkvijtë, të bashkuar me Selinë e Shën Pjetrit

Ati i Shenjtë i këshillon ipeshkvijtë të kujdesen për të rinjtë, sidomos për ata, të cilët duan të marrin rrugën e meshtarisë, duke i zgjedhur mirë, që t’i shërbejnë vërtet ndërtimit të Mbretërisë së Hyjit. U kërkon të qëndrojnë të bashkuar me Pasardhësin e Shën Pjetrit. “Pavarësisht se nganjëherë, jo i përsosur, – vëren Papa – ky bashkim duhet realizuar me gjallëri në të gjitha nivelet, përtej individualiteteve të veçanta. Duhet vepruar mbi bazën e përkatësisë në të njëjtin Kolegj Apostolik; konsiderata të tjera – përfundon – kalojnë në plan të dytë e duhen analizuar në dritën e katolicitetit të fesë e të shërbimit tuaj”.








All the contents on this site are copyrighted ©.