2015-03-15 13:03:00

Viti Shenjt. Françesku: mëshira e bën botën më pak të ftohtë


“Jini të mëshirshëm, si Ati Qiellor”: do t’i prijë ky verset i shkëputur nga Ungjilli i Lukës, Jubileut të jashtëzakonshëm të mëshirës, shpallur nga Papa Françesku, dy vjet pas fillimit të papnisë. Viti Shenjt do të hapet më 8 dhjetorin e ardhshëm e do të mbyllet më 20 nëntor 2016. Është ftesë drejtuar besimtarëve të mbarë botës për të kremtuar Sakramentin e Rrëfimit, të Pajtimit me Zotin.

Mëshira e bën botën më të drejtë

“Mëshira e bën botën më pak të ftohtë e më shumë të drejtë”: ishte 17 marsi i vitit 2013, kur Françesku i shqiptonte këto fjalë në lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot si papë. Përvijonte, kështu, një nga vijat udhëheqëse të shërbesës së tij papnore: mëshirën. Nga ana tjetër, tema e faljes është themelore: që kur ishte ipeshkëv, Jorge Mario Bergoglio zgjodhi moton: “Miserando atque eligendo”. Si Papë, pastaj, krijoi neologjizmin “misericordiando”, duke i shkrirë në një, tri fjalët e motos. Në Nxitjen apostolike “Evangelii Gaudium”, fjalën “mëshirë” e citon 31 herë, ndërsa në mesazhin për Kreshmët 2015, i porosit besimtarët “të bëhen ishuj mëshire në mes të detit të indiferencës”.

Jubileu i  tretë i jashtëzakonshëm, që nga shekulli i kaluar

I shpallur me rastin e një ngjarjeje të madhe, me shumë rëndësi, Jubileu i Papës Bergoglio është i treti i jashtëzakonshëm, që nga shekulli i kaluar, pas atyre të viteve 1933 e 1983, shpallur përkatësisht nga Piu XI e Gjon Pali II, për të kremtuar 1.900 dhe 1.950 vjetorin e Shëlbimit. Ndërsa vitet e zakonshme të shenjta, kremtuar deri më sot, janë 25, një kremtim, për çdo çerek shekulli. I fundmi ishte Jubileu i vitit 2000, shpallur nga Gjon Pali II.

Më 8 dhjetor, hapja e Portës Shenjte

Akti simbolik i Jubileut të ardhshëm, do të jetë hapja e Portës Shenjte në Bazilikën e Vatikanit, më 8 dhjetor, në solemnitetin e Zojës së Papërlyer. E murosur që nga fundi i Jubileut të 2000-it, Porta Shenjte hapet vetëm me rastin e Vitit Shenjt, pikërisht për t’u ofruar besimtarëve një udhë të jashtëzakonshme drejt shëlbimit. Sipas ritit, Papa Françesku do ta godasë tri herë me çekan murin prej tullash, që mbyll hyrjen, për të kapërcyer, pas shembjes së tij, pragun e Bazilikës.

Ungjilli i Lukës, ungjilltari i mëshirës

Pas kësaj të Bazilikës së Shën Pjetrit, do të hapen edhe tri portat shenjte, në tri Bazilikat e tjera papnore: ajo e Shën Gjonit në Lateran, e Shën Marisë së Madhe dhe e Shën Palit jashtë Mureve. Gjatë Vitit Shenjt, leximet për të dielat e kohës së zakonshme, do të merren nga Ungjilli i Lukës, i njohur si “ungjilltari i mëshirës”, ai që rrëfen shembëlltyrën e deles së humbur e të djalit plangprishës.

Në gjurmët e Gjon Palit II

Duke ndjekur gjurmët e Shën Pjetrit, Papa Françesku kujton, kështu, shërbesën e paraardhësve të tij: qe Gjon Pali II ai, që vuri fort theksin mbi temën e mëshirës, si me enciklikën “Dives in Misericordia” të vitit 1980, ashtu edhe me themelimin e së Dielës së Mëshirës Hyjnore, që kremtohet tetë ditë pas Pashkëve. Jo rastësisht Jubileu i mëshirës do të shpallet solemnisht më 12 prillin e ardhshëm, pikërisht të Dielën e Mëshirës Hyjnore, me leximin dhe botimin, pranë Portës së Shenjtë të Vatikanit, të Bulës zyrtare jubilare.

Viti Shenjt  i Benediktit XVI

Emri i Benediktit XVI lidhet me Vitin e Fesë. Ku Vit Shenjt u shpall nga Papa Ratzinger në 2012-tën, 50 vjet pas hapjes së Koncilit II të Vatikanit. Viti i Fesë u mbyll më 20 nëntor 2013, në solemnitetin e Krishtit Mbret. Tri vjet më pas, në të njëjtën ditë të vitit 2016, do të mbyllet Jubileu i Mëshirës, një gjysëm shekulli pas përfundimit të Koncilit.








All the contents on this site are copyrighted ©.