2015-03-15 17:16:00

Papa takohet me Grupin “Seguimi” dhe me anëtarët e UCIIM


Sot, Papa Françesku tha si zakonisht, Lutjen e Engjëllit të Tënzot, nga dritarja mbi Sheshin e Shën Pjetrit, ku ishin mbledhur mijëra besimtarë. Ndërsa dje, Ati i Shenjtë u takua me rreth 400 anëtarë të Bashkësisë kishtare laikale “Seguimi” në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, si edhe me rreth 2000 anëtarë të Bashkimit Katolik Italian të mësuesve, drejtuesve, edukatorëve dhe formatorëve, në Sallën Pali VI në Vatikan. Të njihemi me këto organizata të Kishës.

Grupi “Seguimi”

 Grupi “Seguimi”(Më ndiq) u themelua në Romë, më 19 mars 1965, por kishte dhjetë vjet që mësueset e fesë, Paola Majocchi dhe Irma Gaspari nga Modena, së bashku me nxënëset e tyre, jetonin e vepronin sipas mësimeve të Ungjillit, duke u përpjekur t’i zbatonin në jetën dhe në veprimtarinë e përditshme. Disa prej tyre patën shprehur dëshirën për t’ia kushtuar krejtësisht jetën Zotit e në atë rast, ndërhyri një rregulltar klaretian, atë Anastasio Gutiérrez, ekspert kanonist e profesor universitar, i cili vuri bazat juridike kishtare për realizimin e kësaj aspirate. Ai, së bashku me Paola Majocchi-n konsiderohen të dy njëlloj, si themeluesit e grupit.

Më 21 qershor 1965, grupi “Seguimi” (Më ndiq) u miratua si “bashkim i përshpirtshëm” nga ipeshkvi i Sansepolcro-s (Arezzo), ndërsa më 19 mars 1984, Këshilli Papnor për Laikët e miratoi Grupin si “shoqatë ndërkombëtare besimtarësh” të së drejtës papnore. Ai është i pranishëm në 17 qendra në Itali, pastaj në Spanjë, në Republikën Demokratike të Kongos, në Kamerun e në Burundi. Në të bëjnë pjesë rreth 900 vetë, meshkuj e femra, që mundohen ta shenjtërojnë së bashku jetën e kanë veprimtari të veçanta në shërbim të të moshuarve.

Bashkimi Katolik Italian i mësuesve, drejtuesve, edukatorëve dhe formatorëve(UCIIM)

Shoqata tjetër, Bashkimi Katolik Italian i mësuesve, drejtuesve, edukatorëve dhe formatorëve të shkollave shtetërore e jo, është themeluar në vitin 1944, me nismën e prof. Gesualdo Nosengo, që ishte i bindur se shkolla dhe demokracia përbëjnë shtyllat, mbi të cilat mbështetet zhvillimi i një vendi. Shoqata organizon kurse për mësuesit, boton një revistë mujore të quajtur “Shkolla dhe Njeriu”, kontribuon në hartimin e programeve e të reformave shkollore, promovon personalitetin e studentëve dhe të bashkësive, duke respektuar etikën profesionale të krishterë.

Themeluesi, Gesualdo Nosengo, lindi në S. Damiano të Astit, i katërti i shtatë fëmijëve. Studioi tek salezianët e Torino-Valsalice. Hyri në Shoqërinë e Shën Palit e njëkohësisht mbaroi universitetin për pedagogji, në vitin 1935. Animator i grupeve rinore, themeloi të ashtuquajturën “banda e viles së rrushit”, duke i bërë të dyshonin autoritetet fashiste. Motoja e bandës ishte “Pista”, që do të thoshte në latinisht “Paremus Jesus semitas tenacissimus ardore”(Përgatisim udhën e Jezusit me këmbëngulje të zjarrtë). Qarkoret për anëtarët e bandës kishin në krye “Pista A”, ndjekur nga monograma e Jezu Krishtit. U thirr në kuesturë për këtë dhe e pyetën: “Ç’do të thotë kjo ‘Pista A’? Ç’gjë të fshehtë po organizoni?”. Në testamentin e tij shpirtëror, prof. Gesualdo, i cili i ka dhënë mësim edhe kardinalit Angelo Sodano, ish-Sekretar i Shtetit të Vatikanit, shkruan: “Shoqatës(UCIIM) i kam kushtuar kohë, lodhje, vuajtje, ide, dashuri, lutje. E jam krenar, sepse jo vetëm ia kam dhënë këto Zotit, por edhe kam marrë më shumë nga sa kam dhënë: nxitje për të bërë mirë, ndihma, miqësi, hire, horizont apostolik”.








All the contents on this site are copyrighted ©.