2015-03-14 15:58:00

Dy vjet me Papën Françesku: intervistë e atë Lombardit


U mbush viti i dytë i zgjedhjes së Jorge Mario Bergoglio-s në fronin e papnisë. Kur u zgjodh Papë, ishte pikërisht data 13 mars 2013, dita e  dytë e Konklavit. E, si u zgjodh, mori, për herë të parë në historinë e Kishës, emrin Françesk. Për këtë përvjetor të rëndësishëm, intervistuam atë Federiko Lombardin, drejtor i Radio Vatikanit dhe i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë:

Pyetje: - Atë Lombardi, cilat janë përfytyrimet që të mbeten në mendje nga ky vit i dytë i Papnisë së Françeskut?

Përgjigje: - Në një rrjedhë të pafundme përfytyrimesh nuk është e lehtë të zgjedhësh. Por unë do të dëshiroja të kujtoj tre. I pari, përqafimi para Murit të Lotëve, në Jeruzalem, me Rabinin e me  prijësin mysliman. Çast thellësisht simbolik, ky, themelor për dialogun dhe paqen, gjatë shtegtimit të Papës në Tokën Shenjte, në një pikë absolutisht vendimtare për paqen në botë. Përfytyrimi i dytë, që u mbeti në kujtesë të gjithëve, është ai kur Papa Françesku, në përfundim të ceremonisë së madhe në katedralen ortodokse, në Kostandinopojë, kërkoi, në një farë mënyre, bekimin e patrikut e u përkul para tij. Çast vëllazërie e dialogu ekumenik, që shprehu dëshirën e madhe për bashkimin e të krishterëve. E pastaj, përfytyrimi i tretë, që nuk është një i vetëm, por një seri përfytyrimesh, të cilat vetë Papa i ka kujtuar disa herë: ai i shtegtimit në Filipine; turmat e njerëzve plot me përzemërsi. Gjithë dëshirë për ta parë Papën. Për ta dashur, për t’i shprehur entuziazmin e për t’i paraqitur fëmijët. Gëzimi e shpresa, përballë Papës, e njê populli, që e shikon ardhmërinë  e vet me optimizëm, duke i paraqitur fëmijët dhe breznitë e reja të Azisë e të njerëzimit.

Pyetje: - Pikërisht në lidhje me shtegtimin në Filipine e, më pas, në Kore e Sri Lankë, Azia ishte Kontinenti i privilegjuar i Papës në këtë vit të fundit?

Përgjigje: - Sigurisht. Kur e nisi papninë, nuk ishte e qartë nëse Papa Françesku do t’i jipte rëndësi të madhe shtegtimeve gjatë shërbesës së tij. Madje u duk sikur kishte një farë mosbesimi, një farë druajtjeje, sepse nuk  ka natyrë shtegtari. Por më pas, duke e jetuar shërbesën papnore, ai vetë e thelloi këtë përmasë të shërbimit baritor, duke parë rëndësinë e tij të madhe dhe dëshirën e popujve të botës për ta takuar e të Kishës, për ta inkurajuar. E natyrisht në këto dy vite papnie, posaçërisht në të dytin, Azia zuri vendin që pritej, edhe pse prej kohe në Azinë lindore nuk kishte shkelur asnjë Papë. Atëherë, dy shtegtimet e mëdha në Kore e në Sri Lankë-Filipine, në një farë mënyre flasin për rihapjen e frontit aziatik, të angazhimit të Kishës universale, i cili nuk ka munguar asnjëherë, por natyrisht, me Papën që prin e jep shembullin e tij, fiton gjallëri e thellësi të re. E meqenëse jemi në Azi, në kontinentin, që zë vendin e parë përsa i përket numrit të popullsisë dhe të perspektivave të zhvillimit të mbarë njerëzimit, kontinent ku, në një farë mënyre, krishterimi njihet më pak, është pakicë, e vogël, e vogël, atëhere ky horizont i ungjillëzimit, i kumtimit të shëlbimit të Krishtit, është posaçërisht i rëndësishëm për të ardhmen e njerëzimit. Prej këndej, besoj se horizonti aziatik ishte karakteristik posaçërisht në këtë vit të dytë të papnisë.

Pyetje: - Pastaj ky vit la shenja të dukshme edhe në udhën e dialogut ndërfetar dhe ekumenik?

Përgjigje: - Sigurisht. Këto janë përmasat e përhershme të Kishës, që nga Koncili II i Vatikanit e tutje, ndoshta edhe më përpara, por sidomos nga Koncili e pas tij. E Papa Françesku i ushqen këto përmasa. Për ekumenizmin patëm posaçërisht lidhjen me patrikun e Kostandinopojës, pra frontin drejt ortodoksëve, shumë intensiv, por edhe shumë interesant e origjinal në mënyrën sesi e përballoi Papa; dialogun e takimin me pentekostalët, me bashkësitë e krishtera, që nuk bëjnë pjesë në Kishat klasike tradicionale. Për këtë, që është një nga angazhimet më të rëndësishme në pikëpamje ekumenike, sepse një nga përmasat më dinamike të krishterimit në botën e sotme, Papa Françesku, me mënyrën e tij origjinale të takimit personal, hapi horizonte e nisi udhë jashtëzakonisht domethënëse. Nga pikëpamja e dialogut ndërfetar e dimë se ka një traditë të madhe takimi, miqësish personale të Papës Françesku me hebrenjtë, por edhe me liderët myslimanë. Prej këndej, në një kohë si kjo e sotmja, edhe në ekuilibrin e botës, me tensionet ndërmjet popujve, me problemet e karakterit fetar, kjo frymë dialogu, dialogu paqësor, inkurajimi të çdo forme mirëkuptimi ndërmjet feve, është jashtëzakonisht e çmuar.

Pyetje: - Në nivelin ndërkombëtar, këtë vit Papa thelloi edhe rolin ndërmjetësues të Kishës. Cilat janë çastet kryesore të kësaj veprimtarie?

Përgjigje: - Po… Papa bëri një mori thirrjesh për paqe, posaçërisht në situatat më kritike e më dramatike,  të cilat i njohim mirë: ato, që kanë të bëjnë me Lindjen e Mesme, e pastaj, me Ukrainën, në teatrin evropian… Çastet më kuptimplote, që kemi parë, ku u duk qartë edhe prania personale e Papës Françesku, ishin “lutja për paqen”, pas shtegtimit në Tokën Shenjte, me ftesën personale për t’u lutur së bashku me presidentin e Izraelit dhe presidentin e Autoritetit Palestinez, këtu, në Vatikan. Çast origjinal e personal lutjeje, që hapi një portë për të kërkuar horizonte të reja paqeje, në një situatë shumë të vështirë. E një çast tjetër, që zgjoi edhe interesimin ndërkombëtar, shoqëruar me një farë befasimi, ishte ai kur presidenti Obama dhe presidenti Raul Kastro e falënderuan Papën për kontributin në përtëritjen e lidhjeve ndërmjet SHBA-së dhe Kubës. Këtu u kuptua, edhe pse me mjaft maturi, ndihmesa personale e Papës. Tani besoj se është shumë i bukur fakti që Kisha katolike të vijojë të luajë, edhe në nivel ndërkombëtar, një rol të madh për paqen. Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, e përshkroi në një fjalim të madh mbajtur pranë Universitetit Papnor Gregorian, pikërisht këto ditë, në kuadrin e shërbimit diplomatik të Selisë së Shenjtë për paqen ndërmjet popujve. Por Papa Françesku, personalisht, ka prirje për të dhënë kontribut personal, mbi bazën e karizmës së tij të takimit; ai flet gjithnjë për kulturën e takimit e kulturën e takimit e jeton personalisht, kur bisedon me liderët e përpiqet të vendosë me ta marrëdhënie mirëbesimi, lidhje personale, që shkojnë përtej studimit të problemeve objektive, në kompleksitetin e bisedimeve e kështu me radhë; ndihmon, pra, për ta bërë këtë hap përpara, në të cilin luan rol të dorës së parë edhe personaliteti, madje kryesisht personaliteti, me guximin, me shpresën e tij… Vijnë, pastaj hapat vendimtare, që ndikojnë mbi sistemin e marrëdhënieve diplomatike të bisedimeve e që pasohen nga zgjidhja më afatgjatë e problemeve. Ja, pra, unë besoj se Françesku e ka këtë dhanti të nxisë, edhe me personin e tij e me aftësinë për të krijuar lidhje, me krerët fetarë e me liderët, që takon, të cilët shikojnë në të forcën e një personaliteti, që di të bëjë hapa përpara konkretisht, në jetë. Jam shumë i bindur për këtë. Kështu dy gjërat nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën: karizma personale e Papës dhe shërbimi diplomatik, edhe i bashkëpunëtorëve të tij të Selisë së Shenjtë, më gjerësisht. Shpresojmë se kjo do të ndihmojë për të bërë hapa të tjerë në drejtim të paqes, në të katër anët e botës, sepse kemi tepër nevojë.

Pyetje: - Brenda Kishës, kemi reformën e Kuries: cila është udha e bërë në vitin e fundit?

Përgjigje: - Siç e dimë, Papa, që në fillim të papnisë, themeloi Këshillin e kardinajve, për ta ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të mëdha të Kishës, duke e këshilluar, por edhe në fushën e reformës së Kuries, sipas dëshirës së shprehur në kongregacionet para konklavit të kardinajve. E është bërë një copë udhë në këtë drejtim, pa hap të nxituar, që shkon përpara me ritmin e rregullt të reflektimit, të këshillimit. Çka reflektohet në Këshillin  e kardinajve, shikohet, pastaj, në takimet e krerëve të dikastereve të Kuries. E akoma, në koncistor, së bashku me kardinajtë e tjerë, e kështu me radhë. Papa pohon se nuk nxitohet. Ajo që kërkon është sa më shumë mirëkuptim. Por çka më duket më domethënëse për t’u shënuar, është se ideja e reformës, që ka Papa, niset nga zemra, nga shpirti. E fjalimi i madh drejtuar Kuries pikërisht në ditët para Krishtlindjes, e thekson këtë: çdo reformë nis me shndërrimin e vetvetes. Papa, atëherë, ftoi për t’u  rrëfyer, në sa afrohej Festa e Madhe, për ta rrëmuar ndërgjegjen deri në thellësi. Ua tha këtë anëtarëve të Kuries, që ishin të pranishëm në audiencë, por të gjithë njerëzit e botës, që bëjnë pjesë në ndonjë institucion, e kuptuan se fjalimi mund të vlente shumë mirë edhe për ta, në formë të përshtatshme e analoge. Prej këndej mund të themi se ajo, që i intereson Papës, është çdo reformë me karakter logjistik, organizativ. Që ndikon kryesisht në përtëritjen e sjelljes, gjë  që Ungjilli e kërkon vazhdimisht nga ne të gjithë. E, dëshiroj të shënoj se gjatë këtyre dy vjetëve, Papa u kërkoi bashkëpunëtorëve të tij kryesorë të Kuries, të shkojnë e t’i bëjnë ushtrimet shpirtërore jashtë selive të zakonshme të Pallatit Apostolik, në ndonjë shtëpi ushtrimesh, pikërisht për t’u lutur me të vërtetë gjatë një jave të tërë.  Fjalimi para Krishtlindjes dhe ushtrimet shpirtërore të Kuries janë, sipas meje, tregues të tipit të reformës ose të përtëritjes, që kërkon Papa, para mekanizmave të tipit organizativ të cilat, pastaj, si gjithnjë, mund të funksionojnë më mirë a më pak mirë, duke mbetur gjithnjë objekt diskutimesh në këndvështrimin praktik. Rëndësi ka përtëritja shpirtërore.

Pyetje: - Sinodi për familjen e ka monopolizuar paksa këtë vit të dytë të papnisë. Diçka për bilancin dhe perspektivat, në dritën e asaj që thotë Papa Françesku?

Përgjigje: - Jemi për udhë. Unë jam i bindur se kjo përtëritje e Sinodit, si metodë për ta vënë për udhë bashkësinë e Kishës më gjerë, që pastaj mund të arrijë pjekurinë në takimet e ipeshkvijve, është një nga aspektet e rëndësishme në shërbimin e tij ndaj Kishës. Është përpjekje, që Kisha ta jetojë vërtet përvojën e bashkësisë, që ecën krah për krah, duke e dëgjuar së bashku edhe zërin e Shpirtit Shenjt, i cili e shoqëron në ecje, pa frikë, për t’i shikuar ndershmërisht problemet e botës, që na rrethon, shenjat e kohëve, e  për të shkuar, pa u trembur, drejt tokave të reja, sepse njerëzimi po shkon pikërisht drejt tokave të reja. Nuk i njohim ende mirë, me të gjitha hollësitë, por me besimin e patundur në Krishtin e me rrënjosjen e fuqishme në Ungjill, duhet të dëgjojmë çfarë i thotë sot Shpirti Kishës, për t’i përballuar si duhet e për t’iu përgjigjur sa më mirë situatave të reja, që krijohen. Tani Papa Françesku, siç e thotë edhe ai vetë, e jo nga tavolina, por duke ndjekur këshillat e Shpirtit Shenjt,  e  ka  vënë në krye të vendit tematikën e familjes. Faktikisht, familja lidhet me jetën konkrete të shumicës së njerëzve të kësaj bote e, prej këndej, fakti i reflektimit të mënyrës si jetohet kjo përmasë, i këtyre problemeve themelore të jetës personale e shoqërore, parë në dritën e Ungjillit, është një ndihmesë e madhe edhe për të mirën e mbarë njerëzimit, është mënyrë për ta kryer shërbimin e Kishës në dobi të njerëzimit të sotëm.

Pyetje: - Papa, edhe në këtë vitin e fundit, i ka vënë të varfërit, dinjitetin e tyre dhe mbrojtjen e njeriut, në qendër të veprimtarisë së tij baritore…

Përgjigje: - Po: këtë e kemi kuptuar shumë mirë. Deshi të quhej Françesk, që të varfërit të ishin në qendër të vëmendjes së tij. Dhe e dimë se janë pikërisht të varfërit, në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale, janë të gjithë njerëzit, që u shkelet dinjiteti, jo vetëm ekonomikisht, por edhe shpirtërisht, është varfëria e marrëdhënieve shoqërore. E kësaj Françesku i kushton vëmendje të madhe, duke tërhequr edhe vëmendjen publike mbi shumë aspekte, që kanë të bëjnë me dinjitetin e njeriut: mbi problemet e emigrantëve, të refugjatëve, problemin e skllavërive të reja, të trafikut të organeve e të njerëzve, të braktisjes së pleqve e të sëmurëve. Të gjitha këto i ka shumë për zemër e i kujton me spontaneitet të madh, me gjeste e me fjalë. Dëshiroj të them edhe se tema, me të cilën jemi marrë shumë këto vite, ajo e shpërdorimeve seksuale mbi të miturit, është pjesë përbërëse e vëmendjes së Françeskut për “të varfërit” e për të lënduarit nga jeta, në rrethana të ndryshme, por me shumë koherencë. Për Papën, të miturit e shpërdoruar janë tipikisht njerëz të prekur në dinjitetin e tyre e, prej këndej, kanë nevojë për  vëmendje. E fakti që themeloi Komisionin e ri për mbrojtjen e të miturve, në një perspektivë, që nuk shikon të kaluarën me gabimet e saj, por vë kryesisht theksin mbi parandalimin e shpërdorimeve, edhe jashtë Kishe, në botën e sotme, flet për mendjemprehtësi të madhe e edhe për hapa të rëndësishme përpara, në vazhdimësi të angazhimit të Papës Benedikti, por me një horizont më të gjerë e edhe me pjesëmarrje të drejtpëdrejtë në këtë luftë për dinjitetin e vërtetë të njerëzve.

Pyetje: - Po e pyes drejtorin e Sallës së Shtypit të Vatikanit: si e shikoni lidhjen e Papës Françesku me mediat?

Përgjigje: -  Mund të them se më duket lidhje, që vijon të jetë me përmasa të gjera dhe pjesërisht pozitive. Marr pothuajse çdo ditë tri a katër pyetje për intervista me Papën nga ana e gazetave dhe revistave nga më të rëndësishmet, prej të katër anëve të botës. Pa kujtuar këtu edhe më pak të rëndësishmet. Kjo, sa për të treguar dëshirën e madhe, interesimin e madh, sepse natyrisht mediat interpretojnë, në një farë mënyre, pritjet, interesat e njerëzve. E kjo më tregon se njerëzit e ndjekin Papën me shumë vëmendje, me shumë shpresë; dëshirojnë të dëgjojnë nga ai një fjalë, i besojnë, i tërheq dëshmia e tij si lider moral-fetar- për botën e sotme, e sidomos, për njerëzit, që kalojnë situata nga më të dëshpëruarat, në të katër anët e botës.  Pra mund të them se interesi i mediave është gjithnjë plot gjallëri e, në shumicën e rasteve, edhe pozitiv. Kjo për mua është gjë e bukur, në kuptimin se besoj në mediat, mendoj se mund të kenë, se duhet të kenë, edhe funksion shumë pozitiv në botë për formimin e opinionit publik, për informimin, e atëherë, edhe se duhen ndihmuar për të gjetur kauza të mira, lajme pozitive, shqetësime të vërteta, për t’ia paraqitur botës së sotme. E fakti që i nxit e u intereson një figurë, si kjo e Papës Françesku, i cili natyrisht ka në qendër të vëmendjes të gjitha përpjekjet për të mirën e njeriut e të njerëzimit, në lidhjen e tij me Zotin e edhe në lidhjen me të gjithë njerëzit e me bashkëjetesën e popujve, është diçka vërtet  e bukur. Shpresoj që kjo të zgjasë e të vazhdojë. Nganjëherë ka edhe palë  të dorës së dytë nga bota mediatike, që i habit liria dhe origjinaliteti i Papës në përballimin e disa situatave e mbeten paksa të çorientuara, paksi të pështjelluara  dhe e vënë në dukje këtë aspekt. Por kjo varet nga fakti se ndoshta nuk e kanë pozitivitetin e perspektivës, parë me sytë e fesë, ose të aftësisë për të shkuar përpara, gjë që ka shumë rëndësi për ta kuptuar e për ta shoqëruar një papni, si kjo e Françeskut.      








All the contents on this site are copyrighted ©.