2015-03-13 13:48:00

“Të shpëtohen të krishterët e Lindjes së Mesme”: deklaratë në Gjenevë


“Të mbështesim të drejtat e njeriut të të krishterëve dhe të bashkësive të tjera, veçanërisht në Lindjen e Mesme”: ky është qëllimi i deklaratës së përbashkët, promovuar nga Selia e Shenjtë, Federata Ruse dhe Libani, që u paraqit sot në asamblenë e Këshillit për të Drejtat e Njeriut, në OKB-në e Gjenevës. Deklarata është nënshkruar nga shumë shtete, gjë që tregon vullnetin politik për të punuar që dhuna e persekutimi në këtë zonë të botës të zhduken përfundimisht.

Mbijetesa e të krishterëve, në rrezik

         Pasi vihet në dukje gjendja e vështirë e gjithë popullsisë, deklarata ndalet në situatën e të krishterëve. “Të krishterët – shkruhet në të – janë veçanërisht të prekur. Këto ditë, edhe mbijetesa e tyre është në rrezik. Përpjekjet për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë janë të kota. Jemi dëshmitarë të një situate, ku dhuna, urrejtja fetare dhe etnike, radikalizmi fundamentalist, ekstremizmi, intoleranca, mënjanimi, shkatërrimi i indit të shoqërive e bashkësive të tëra, po kthehen në karakteristika të një modeli politik dhe shqëror të papraktikueshëm, duke vënë në rrezik edhe vetë ekzistencën e shumë bashkësive, në veçanti, të bashkësisë së krishterë”.

         Në deklaratë, përmenden miliona njerëzit, që janë larguar me hir a pahir nga tokat e stërgjyshërve të tyre. Ata, që kanë qëndruar në zonat e kontrolluara nga Shteti Islamik, pësojnë çdo ditë dhunë barbare, u merren shtëpitë, shiten si skllevër, vriten, u pritet koka dhe digjen të gjallë. Dyzina kishash të krishtera e shenjtëroresh të lashta të të gjitha feve janë shkatërruar. Shtetet nënshkruese të deklaratës shprehin shqetësimin e thellë për gjendjen e të krishterëve, që jetojnë në një tokë, ku janë autoktonë prej shekujsh. Tani, nënvizojnë ata, ka më shumë arsye për të pasur frikë për të ardhmen e tyre, se sa në 2000 vjetët e  krishterimit në këto troje. 

Qeveritë dhe OKB-ja të krijojnë siguri

         Duke pasur parasysh kontributin e madh dhe të rëndësishëm të të krishterëve në Lindjen e Mesme, shtetet nënshkruese u bëjnë thirrje të gjitha qeverive, krerëve fetarë të zonës, bashkësisë ndërkombëtare, të punojnë për paqen e për të siguruar praninë e të krishterëve në tokat ku shkeli Jezu Krishti e ku ata kanë rrënjët e tyre historike e kulturore. Gjithashtu, u kërkohet vendeve të zonës të ndërtojnë sisteme pluraliste politike e shoqërore, në të cilat të garantohen të drejtat e liritë themelore të njeriut, sidomos liria e fesë.

Lista e vendeve nënshkruese:

Federata Ruse, Libani, Selia e Shenjtë, Andorra, Armenia, Australia, Austria, Bjellorusia, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kanadaja, Kongo, Kroacia, Kuba, Qipro, Danimarka, El Salvadori, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Guatemala, Haiti, Hondurasi, Hungaria, Islanda, Iraku, Irlanda, Izraeli, Italia, Lihtenshteini, Luksemburgu, Malta, Monako, Hollanda, Panamaja, Peruja, Filipinet, Polonia, Portugalia, Rumania, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Somalia, Urdhëri Ushtarak i Maltës, Spanja, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-të.








All the contents on this site are copyrighted ©.