2015-03-13 12:59:00

Papa tregon në Televisa dy vjetët e Papnisë


Zoja e Guadalupes

Në dhomën e Shtëpisë së Shën Martës, ku Papa takohet me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, bie menjëherë në sy një figure e Zojës e Gudalupes, që nderohet me shumë devocion në mbarë Kontinentin latinoamerikan. Në këtë dhomë, me dëshirën e vetë Papës, zhvillohet intervista dhënë emitentes meksikane Televisa. Për Françeskun, Zoja e Guadalupes është “burimi i unitetit kulturor, që çon drejt shenjtërisë, në mes të morisë së mëkateve, mungesës së drejtësisë, barrës së rëndë të shfrytëzimit e sundimit të kulturës së vdekjes”.

Drama e dyndjes së emigrantëve

Të këqijat e Meksikës janë krejtësisht të ngjashme me ato të mbarë botës: drama e emigracionit dhe ajo e mureve, që ngrihen, për t’ vënë pritë. Françesku flet për kufirin ndërmjet SHBA-ve e Meksikës, por pa i harruar edhe emigrantët, që detyrohen të kapërcejnë Mesdheun në kërkim të një jete më të mirë ose në ikje nga luftërat e nga uria. E shkaktarë për gjithë këtë tragjedi njerëzore janë sistemet e mbrapshta ekonomike, mungesa e punës, kultura e hedhurinës, e zbatuar mbi njeriun. E pastaj, plaga e trafikut të drogës. Ku ka varfëri e mjerim, krimi gjen tokë pjellore, pohon Papa, për të kujtuar, më pas, 43 djemtë e mbytur nga trafikantët e drogës në Iguala e për të pohuar se deshi ta nderojë kujtimin e tyre edhe duke krijuar kardinal kryeipeshkvin e Morelias, njeri i Kishës e dëshmitar i jetës së krishterë, në një zonë tepër të vështirë.

Të mos e kthejmë kokën në anë tjetër, përballë shëmtimeve të botës

Pikërisht sepse bir emigrantësh, Papa e ndjen fort detyrën të bëhet zë i tyre: zë i viktimave të trafikut të njerëzve, në gjirin e një shoqërie të padrejtë, ndonëse, vëren, do të ishte gjykim foshnjor t’u ngarkohej e gjithë përgjegjësia vetëm qeverive. Duhet të mësohemi për të mos u kthyer nga ana tjetër, përballë shëmtimeve të botës, e kjo ka të bëjë me secilin nga ne. Angazhimi i katolikëve për njerëzit më të fundmë, kërkon ushtrimin  e afërsisë. Është terreni mbi të cilin Kisha sfidohet nga sektet e nga lëvizjet ungjillore, posaçërisht në Amerikën Latine.

Klerikalizmi dhe reforma e Kuries

Françesku flet me sinqeritet, kur kritikon paaftësinë e klerit për t’i aktivizuar laikët, për shkak të klerikalizmit të tepruar. Papa, i ardhur nga ana tjetër e botës, prek temat, që karakterizuan dy vjetët e para të Papnisë së tij e, para së gjithash, vëmendjen për të varfërit e të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë. E pastaj, flet për reformimin e Kuries, jo aq të formës së asaj, që e quan “oborri i fundmë i Evropës”, por të brendisë. Çdo ndryshim nis nga zemra - shpjegon Papa - e ka si pasojë kthesën, mënyrën e re të jetesës. E gjithë kjo nuk e përjashton as vetë Papën, madje është në bazë të sjelljeve të tij jashtë protokollit, që e entuziazmojnë aq shumë popullin e Zotit.

E paktë, koha në dispozicion

Thjeshtësi çarmtosëse edhe kur Françesku pohon se i mungon koha për të shëtitur lirisht, për të shkuar në piceri, pa i rënë në sy askujt. Po koha në dipozicion nuk është kurrë e mjaftueshme. Përkundrazi: është e paktë. Françesku parandjen se papnia e tij do të jetë e shkurtër, duke pohuar se ndoshta edhe gabohet. Intervistueses i cek mundësinë e tërheqjes, kur të mbushë atë moshë, në të cilën ipeshkvijtë dalin në pension. Gjithsesi, nuk mendon se kjo mund të përkojë me çdo rast, lidhur me figurën e Papës, ngaqë, nënvizon, Papnia është hir i veçantë. Por kjo nuk e pengon ta vlerësojë udhën e hapur nga Benedikti XVI, me figurën e Papës së nderit. Zgjedhje guximtare, e quan, ashtu si i guximshëm ishte edhe vendimi për t’i bërë publike  faktet e rënda të shpërdorimit të të miturve, kryer nga disa anëtarë të Kishës si dhe nevoja e kujdesit për viktimat. Vetë Françesku priti gjashtë prej tyre në Vatikan e Komisioni i themeluar ad hoc, po në Vatikan, ka pikërisht qëllimin t’i parandalojë shpërdorimet e t’i mbrojë fëmijët.

Sinodi kushtuar familjes

Të ruajë, të mbrojë, të shoqërojë! Janë këto detyrat e Kishës, të cilat  Françseku i kujton, kur flet për Sinodin kushtuar familjes, që do të mblidhet në tetor për etapën e tij të dytë. I quan të pafundme pritjet lidhur me tema të ndërlikuara e delikate, si ajo e Kungimit për të divorcuarit e rimartuar ose e homoseksualitetit. Çka Françesku e ka fare të qartë, është se familja po kalon një krizë të paparë ndonjë herë e se duhet rinisur nga një baritori, që u drejtohet kryesisht të rinjve e të sapomartuarve. Papa i ka vënë shenjat në udhën, ku duhet ecur e tani shikon drejt shtatorit, me takimin në Filadelfia, për Ditën Botërore të Familjes, drejt Afrikës, që do ta vizitojë e drejt  Amerikës Latine, që po  e pret. 

 

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.