2015-03-13 11:16:00

Papa shqiptarëve: Shqiponja nuk e harron folenë…Fluturoni lart!


21 shtatori 2014 është pjesë përbërëse e këtij dyvjetori të papnisë së Atit të Shenjtë Bergoglio, çast tejet prekës për Papën Françesku që, duke shkelur në vendin e parë evorpian e ballkanik, u kujtoi shqiptarëve: 

“Liria, të cilën e gjetët përsëri, ju ka lejuar ta shikoni ardhmërinë me besim e shpresë, të nisni projekte e të rilidhni marrëdhënie miqësore me kombet e afërta e të largëta. Respektimi i të drejtave njerëzore, ndër të cilat spikat liria fetare dhe ajo e shprehjes së mendimit, është kushti paraprak për vetë zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të një vendi. Kur respektohet dinjiteti i njeriut dhe njihen e garantohen të drejtat e tij, lulëzon edhe shpirti krijues e nismëtar, e personaliteti njerëzor mund t’i shpalosë nismat e veta në dobi të së mirës së përbashkët”.

Urimi e bekimi, pastaj:

“...paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në Kombin tuaj!”.

 E, gjatë kremtimit të Meshës, kujtimi i murit të varrezёs sё Shkodrёs, ku u pushkatuan sa e sa vetё:

“Shkoj sot, shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet, dhe, i prekur thellë në shpirt, vë lulen e lutjes e të kujtimit mirënjohës e të përjetshëm. Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur më këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit (cfr Leximi I). Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira”.

Në takimin me krerët e feve dhe të bashkësive të tjera të krishtera  në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë, nënvizimi: 

“Kur, në emër të një ideologjie, synohet përjashtimi i Hyjit nga shoqëria, arrijmë të adhurojmë të tjerë idhuj e shumë shpejt edhe vetë njeriu përhumbet, i nëpërkëmbet dinjiteti e i dhunohen të drejtat. Ju e dini mirë çfarë mizorie mund të shkaktojë mohimi i lirisë së ndërgjegjes e i lirisë fetare dhe si, nga të tilla plagë, natyra njerëzore varfërohet gjer në palcë, sepse i mungon shpresa dhe pikësynimet ideale”.  

Dhe ftesa e paharrueshme nga Sheshi Nënë Tereza: “Fluturoni lart, shqiponja s’e harron folenë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.