2015-03-13 18:02:00

Papa: Jubile i jashtëzakonshëm kushtuar Mëshirës Hyjnore


Papa Françesku shpalli sot “një Jubile të jashtëzakonshëm, që do të ketë në qendër mëshirën e Zotit”. “Do të jetë një Vit Shenjt i Mëshirës Hyjnore, që do të fillojë në solemnitetin e ardhshëm të Zojës së Papërlyer, më 8 dhjetor, e do të përfundojë më 20 nëntor 2016, në të dielën e Zotit tonë Jezu Krisht, Mbret i Gjithësisë e fytyrë e gjallë e mëshirës së Atit Qiellor”. Këto ishin fjalët e Papës Françesku, kur dha këtë lajm të pritur me duartrokitje të stuhishme, gjatë Liturgjisë Pendestare, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, pikërisht në vitin e dytë të zgjedhjes, me të cilën hapi nismën “24 orë për jetën”, që ndiqet edhe nga Kisha në trevat shqiptare. Hapja e këtij Jubileu të ri të Kishës Katolike do të bëhet pikërisht në 50-vjetorin e mbylljes së Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, më 1965 e, pikërisht për këtë, merr domethënie të veçantë, sepse e nxit Kishën Katolike ta vazhdojë veprën e filluar atëherë.

Bula zyrtare, që e shpall solemnisht Jubileun do të lexohet para Portës Shenjte në të dielën e Mëshirës Hyjnore, më 12 prill, festë e themeluar nga shën Gjon Pali II, që kremtohet menjëherë pas Pashkëve.

Qe një lajm në fund të homelisë, ky i Jubileut, të cilin Papa na fton ta jetojmë në dritën e fjalës së Zotit: “Jini të mëshirshëm si Ati Qiellor”. Organizimi i këtij Viti Shenjt i është besuar Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri. Temës së mëshirës së Hyjit, Ati i Shenjtë i kushtoi krejt homelinë e meshës. Duke komentuar pjesën ungjillore të mëkatares, që i lan këmbët Jezusit dhe i fshin me flokët e saj, i puth e i lyen me vaj të parfumuar, ndërsa Simoni, i zoti i shtëpisë e gjykon si mëkatare, Papa Françesku nënvizoi dy fjalë, që përsëriten vazhdimisht: dashuri dhe gjykim.

“Është dashuria e gruas mëkatare, që përulet para Zotit; por edhe më parë akoma, është dashuria e mëshirshme e Jezusit për të, që e nxit të afrohet… Çdo gjest i asaj gruaje flet për dashuri dhe shpreh dëshirën për të pasur një siguri të patundur në jetën e vet: atë të ndjesës. E kjo siguri është shumë e bukur. Është Jezusi, që e jep këtë siguri: duke e pranuar, i dëshmon dashurinë e Zotit për të, pikërisht për të! Zoti i fal shumë, gjithçka, sepse ‘deshi shumë’. Kjo grua, me të vërtetë takoi Zotin. …Për të nuk do të ketë asnjë gjykim, përveçse atij që vjen prej Hyjit e ky është gjykimi i mëshirës. Protagonistja e këtij takimi është natyrisht dashuria, mëshira, që shkon përtej drejtësisë”.

Në të kundërt, vërejti Papa, Simoni, fariseu, nuk arrin ta gjejë rrugën e dashurisë. Mendimet e tij janë kapluar vetëm nga ideja e drejtësisë e gjykimi për gruan e largon nga e vërteta. Nuk arrin as të kuptojë kush është i ftuari i vet. Ndalet në sipërfaqe, s’është në gjendje të shohë zemrën.

“Qortimi i Jezusit e nxit secilin prej nesh të mos ndalet në sipërfaqen e gjërave, sidomos kur kemi përpara njeriun. Duhet të shohim përtej, të vemë gishtin mbi zemër për të parë për sa bujari është i zoti secili. Askush nuk mund të përjashtohet nga mëshira e Zotit; të gjithë e dinë rrugën për t’ju afruar asaj e Kisha është shtëpia, që mirëpret të gjithë e nuk refuzon askënd. Portat e saj mbeten të hapura dykanatësh, që të prekurit nga Hiri Hyjnor të gjejnë sigurinë e ndjesës së Zotit”, përfundoi Papa Françesku.








All the contents on this site are copyrighted ©.