2015-03-13 12:13:00

Kisha shqiptare uron Papa Françeskun e kujton vizitën e tij


Sot bie dy vjetori i zgjedhjes së Jorge Mario Bergoglio në selinë papnore. Pra, më 13 mars, dy vjet më parë, kryeipeshkvi i Buenos Ajresit Jorge Mario Bergoglio në konklavin e kardinajve zgjidhej si 265-i Pasardhës i Pjetrit: i pari jezuit, i pari latinoamerikan dhe i pari Papë me emrin Françesku. Në Vatikan,  nga e gjithë bota i kanë ardhur Papa Françeskut mesazhe të shumta urimi, jo vetëm nga njerëz e besimtarë të thjeshtë por edhe nga autoritete shtetërore, civile e fetare të mbarë botës. Edhe shqiptarët, i kanë shprehur Atit të Shenjtë Bergoglio urimet, me të cilat bashkohemi edhe ne si redaksi e gjuhës shqipe të Radio Vatikanit: “Gëzuar, Atë i Shenjtë Françesku!” E në 2-vjetorin e zgjedhjes së Papa Françeskut në fronin e Shën Pjetrit, e gjithë bota katolike shtrëngohet rreth krye Bariut të vet, në këtë moment të veçantë për jetën e Kishës e të botës.

E dyvjetori i zgjedhjes papnore të Atit të Shenjtë Papa Françeskut, sivjet përkon me nismën, që filloj sot në Shën Pjetër në Vatikan së bashku me të, ' 24 orë lutje në botë'. Këshilli Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të Ri përtërinë kështu takimin e përvitshëm 24 orë lutjeje drejtuar Zotit. “Si edhe vitin e kaluar, shpjegon imzot Rino Fisichella, president i dikasterit të Vatikanit, nisma e uratës mbahet dy ditë para së dielës së IV të Kreshmëve, të dielën kur Kisha katolike kremton në mënyrë të veçantë mëshirën e Hyjit Atë. Tema që orienton reflektimet e këtij viti është pikërisht “Zoti është plot mëshirë” e trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë domethënien dhe synimin e kësaj nisme shpirtërore: kremtimin e përdëllimit të Zotit”.

Kisha katolike në trevat shqiptare, e posaçërisht në Shqipëri, bashkohet me këtë nismë urate, duke organizuar takime lutjesh me besimtarë nëpër Kisha të viseve të ndryshme. Nisma, siç dihet, sivjet, përkon me dy vjetorin e Papnisë së Atit të Shenjtë Bergoglio. Për këtë përvjetor, Nunci Apostolik në Shqipëri, imzot Ramiro Ingles, organizoi sot pranë selisë diplomatike të Vatikanit në Tiranë, një pritje solemne me rastin e dy vjetorit të papnisë së Atit të Shenjtë Bergoglio, ku morën pjesë autoritete të larta të vendit, trupi diplomatik e përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të shoqërisë.

Edhe Kisha katolike e Shqipërisë i shpreh Papa Françeskut urimet e përzemërta për këtë përvjetor dhe siguron lutjen Hyjit për Bariun e Kishës Universale, siç shprehet zëvendës kryetari i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan Avgustini në mikrofonin e Radio Vatikanit, në bisedë me dom David Gjugjën, duke veçuar disa tipare që karakterizojnë këtë papni. Ta dëgjojmë...............

 








All the contents on this site are copyrighted ©.