2015-03-12 18:27:00

Të Enjten e Pashkëve, Papa do t’u lajë këmbët të burgosurve


Më 2 prillin e ardhshëm, me rastin e së Enjtes së Madhe të Pashkëve, Papa Françesku do të shkojë në ndërtesën e re të burgut romak Rebibbia për t’i takuar të burgosurit. Në ora 17.30 Ati i Shenjtë Bergoglio do të kremtojë Meshën “në Darkën e Mbrame” në Kishën “Ati Ynë”: gjatë ritit do t’u lajë këmbët 12 të burgosurve. Se çka do të thotë për të burgosurit kjo vizitë papnore, përgjigjet kapelani don Sandro Spriano:

“Vizita e Papës tregon sigurisht vëmendjen e rëndësishme të Kishës së Romës në mënyrë të veçantë ndaj kushteve në cilat gjenden  të burgosurit. Themi gjithmonë se janë njerëz fatkeq; në këtë rast, ata do të shohin se janë bijë të Zotit të dashur nga Kisha e në mënyrë të veçantë nga Papa, e kjo për ata është shumë, shumë e rëndësishme. Mes tjerash, do të jetë hera e parë kur kremtojmë Meshën së bashku me meshkuj e gra të burgosur, prandaj gratë e burgosura do të transferohen nga burgu femëror deri në vendin e kremtimit të Meshës së Papës: e për të gjithë do të jetë diçka vërtetë e bukur”.

T’i kthehemi ritit të larjes së këmbëve e të pyesim çka e shtyni Jezusin t’u lajë këmbët Apostujve e çka mund të mësojmë nga ky gjest? Dashuria. Jezusi u thotë Apostujve: “E shikoni ç’po bëj për ju? Nëse unë, Mësuesi, po laj këmbët tuaja, edhe ju duhet t’ua lani këmbët të tjerëve”. Sot ne, në jetën tonë shoqërore, nuk ia lajmë kujt këmbët, por ama mund ta zëvendësojmë këtë gjest me gjeste të tjera: mund t’i urojmë tjetrit mirëseardhjen, mund ta përqafojmë, ta falim, ta puthim… Edhe sot e kësaj dite, në shumë vise të botës e ndër shumë kombe,  sapo vjen miku në shtëpi, i bëhet gati ujin për të larë duart e pastaj vijohet me rite tjera, në shenjë të mirëseardhjes. Në çdo rast, larja e këmbëve ka qenë simbol i dashurisë për të tjerët: Jezusi bën një gjest përvujtërie; Ai Mësuesi Hyjnor, gjunjëzohet për t’u larë këmbët Apostujve, meshtarëve të tij të parë, duke u dhënë vetë i pari shembullin për të ecur në këtë rrugë e për të pasur këtë stil jete. Kjo lidhet ngushtë me Eukaristinë. Shën Gjoni Ungjilltar nuk tregon si u themelua Eukaristia, por flet për larjen e këmbëve. E bën këtë, sepse dashuria dhe Eukaristia lidhen ngushtë: Deus caritas est – Zoti është dashuri!








All the contents on this site are copyrighted ©.