2015-03-12 13:01:00

Françesku: o i shërbejmë dashurisë, o hipokrizisë


I krishteri nuk ka rrugë tjetër: nëse nuk e lë veten të preket nga mëshira e Zotit e nëse nuk i do të tjerët, siç bëjnë shenjtorët, përfundon si hipokrit, që shkatërron e përçan, në vend që të bëjë mirë. Kështu tha Papa Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës ne Vatikan. Fillimisht ishin profetët, pastaj u takoi shenjtorëve. Me ta, Zoti e ka krijuar në kohë, historinë e marrëdhënieve të tij me njerëzit. E megjithatë, pavarësisht nga mësimet e veprimet e këtyre të zgjedhurve nga Hyji, historia e shëlbimit është plot me hipokrizi e pabesi.

Zoti derdh lot për zemrën e pashpirt

         Është pa funnd, horizonti i reflektimit të Papës Françesku, që nga Abeli deri në në ditët tona. Në zërin e Jeremisë, propozuar nga Leximet e sotme, është zëri i Zotit vetë, i cili vëren me hidhërim si populli i zgjedhur, megjithëse ka përfituar mjaft, nuk e dëgjon. Zoti i ka dhënë gjithçka, vuri në dukje Papa, por ka marrë veç të këqia në këmbim. Populli nuk i qëndron besnik:

         “Kjo është historia e Zotit. Duket sikur Zoti vajton, këtu. Të kam dashur shumë, të kam dhënë shumë e ti… Gjithçka kundër meje. Edhe Jezusi, kur pa Jeruzalemin, derdhi lot. Sepse zemra e Jezusit e dinte historinë e besnikërisë së zhdukur. Kur bëjmë vullnetin tonë në udhën e jetës, ndjekim rrugën e pashpirtësisë: zemra bëhet e pashpirt, ngurtësohet. E Fjala e Zotit nuk hyn. E populli largohet. Edhe historia jonë personale mund të bëhet kështu. E sot, në këtë ditë kreshmore, mund ta pyesim veten: ‘A e dëgjoj unë zërin e Zotit, apo bëj ç’të dua, ç’më pëlqen?”.       

Nga heretikë në shenjtorë

         Edhe episodi i Ungjillit të sotëm na jep një shembull zemre të pashpirt, që nuk e dëgjon zërin e Zotit. Jezusi shëron një të djallosur e në vend që ta falenderojnë, e akuzojnë se i largon djajtë  në emër të djallit, pra se është shtrigan. Janë njerëz, që besojnë se jeta ecën përpara me ligjet e tyre, theksoi Ati i Shenjtë:

         “Edhe kjo ka ndodhur në historinë e Kishës! Mendoni për të shkretën Zhanë D’Ark: sot është shenjte! E varfra: këta dijetarë e dogjën të gjallë, sepse thoshin se është heretike, e akuzonin për herezi… Po ishin ‘dijetarë të mëdhenj’, ata që dinin doktrinën e sigurtë, …këta farisenj të larguar nga dashuria e Zotit. Edhe më afër në kohë, mendoni për të Lumin Rozmini: gjithë librat e tij në listën e zezë. Nuk mund të lexoheshin, ishte mëkat. Sot është i Lum. Në historinë e Zotit me popullin e vet, Hyji dërgonte profetët për t’i thënë popullit se e donte. Në Kishë, Hyji dërgon shenjtorët. Janë shenjtorët, që e çojnë përpara jetën e Kishës: janë shenjtorët. Jo të fuqishmit, jo hipokritët, jo! Shenjtorët”.

Nuk ka rrugë të mesme

        Shenjtorët, shtoi Françesku, janë ata, që nuk kanë frikë të ledhatohen nga mëshira e Zotit. Prandaj, ata e kuptojnë mjerimin njerëzor dhe e shoqërojnë popullin nga afër, pa e përçmuar:

         “Jezusi thotë: ‘Kush nuk është me mua, është kundër meje’. Po, a nuk ka ndonjë vijë të mesme, pak andej e pak këndej? Jo. Ose ecën në udhën e dashurisë, ose në atë të hipokrizisë. Ose e lë veten në dorën e mëshirës së Zotit, ose bën ç’të duash, siç të thotë zemra, e cila ngurtësohet gjithnjë e më shumë në këtë udhë. ‘Kush nuk është me mua, është kundër meje’: nuk ka rrugë të tretë kompromisi. O je shenjt, ose shko në rrugë tjetër. Kush nuk mbledh me mua, i lë gjërat pas… Madje, më keq: shkatërron, përçan. Është korruptues. Është i korruptuar, që korrupton”.








All the contents on this site are copyrighted ©.