2015-03-12 14:39:00

Françesku: nuk ka mëkat, që s'mund të falet prej Zotit


Rrëfimi të mos jetë torturë ose proces hetimor, por takim, që çliron e që e bën të dukshme mëshirën pa fund të Zotit. Papa Françesku u foli kështu pjesëmarrësve të kursit të Forumit të Brendshëm, organizuar në Romë nga Gjykata e Pendestarisë Apostolike, për të ndihmuar meshtarët e rinj ta mbarështojnë si duhet Sakramentin e Pajtimit. Duke marrë duartrokitje plot përzemërsi, Ati i Shenjtë Bergoglio kujtoi se pikërisht sot bie 57-vjetori i hyrjes së tij në jetën rregulltare pranë jezuitëve.

Rrëfimi, dhembshuria e Zotit

 Sakramentet, kujtoi Papa, tregojnë dhembshurinë e Zotit për ne, dëshirën e Tij për të na përqafuar, pa shikuar kufizimet tona e pa u turpëruar prej nesh. Kjo vlen sidomos për Sakrementin e Rrëfimit e të Pajtimit:

“Të mos harrojmë kurrë, si pendestarë e si rrëfyes: nuk ekziston asnjë mëkat, që Zoti nuk mund ta falë! As edhe një! Vetëm ç’nuk i nënshtrohet mëshirës hyjnore, nuk mund të falet, ashtu si ai, që po e zuri diellin, nuk mund të shndritet e as të ngrohet”.

Besimtarët të dalin të lum nga rrëfyestorja

Papa u dha tri këshilla rrëfyesve. Së pari, ta jetojnë Sakramentin si mjet për t’i edukuar njerëzit të kenë besim në mëshirën e Hyjit, të përjetojnë paqen e mirëkuptimin njerëzor e të krishterë:

“Rrëfimi nuk duhet të jetë ‘torturë’, por të gjithë duhet të dalin nga rrëfyestorja me lumturi në zemër, me fytyrën që rrezaton shpresë, megjithëse, nganjëherë – e dimë – të lagur nga lotët e kthimit në udhën e Zotit e nga gëzimi, që vjen prej kësaj. Sakramenti, përfshirë aktet e pendesës, nuk duhet të kthehet në një proces të rëndë hetimor, të bezdisshëm dhe irritues”.

Rrëfyesi, as i ngurtë, as tepër zemërgjerë

Pendestari, nënvizoi Ati i Shenjtë, duhet ta kuptojë se Rrëfimi është sakrament, që e çliron nga mëkati, por edhe e pasuron me humanitet, pasi e nxit ta ndreqë të keqen e bërë. Rrëfyesi duhet të jetë i mëshirshëm, por jo të kalojë lehtësisht gjithçka e as të tregohet zemërgur:

“As rrëfyesi tepër zemërgjerë, as rrëfyesi zemërgur nuk është i mëshirshëm. Asnjë nga të dy. I pari thotë: ‘Ec, ec, ky nuk është mëkat’. Tjetri thotë: ‘Jo, sepse ligji kërkon…’. Asnjëri prej të dyve nuk e konsideron pendestarin si vëlla, nuk e merr për dore për ta shoqëruar në udhën e kthimit kah Zoti! …Ndërsa i mëshirshmi e dëgjon, e fal, por edhe e merr për dore dhe e shoqëron, sepse kthimi në rrugën e Zotit fillon, ndoshta, në atë çast, por duhet edhe të vazhdojë me këmbëngulje… E merr mbi vete, ashtu si Bariu i Mirë, që kërkon delen e humbur dhe e mban mbi supe”.

Në rrëfyestore ndodhin mrekulli

 Papa i ftoi meshtarët të edukohen nga Sakramenti i Pajtimit. Shpesh, vërejti, dëgjojmë rrëfime, që na përforcojnë në fe, kur takojmë shpirtra të thjeshtë, që e braktisin krejtësisht veten në duart e Zotit, që kanë besim tek Kisha e tek rrëfyesi:

 “Shpesh, na jepet rasti të shohim mrekulli të vërteta kthimi kah Zoti. Njerëz, të cilët me muaj e, nganjëherë, edhe me vite, janë nën pushtetin e mëkatit e si djali plangprishës gjejnë sërish vetveten e vendosin të ngrihen e të kthehen në shtëpinë e Atit Qiellor për t’i kërkuar ndjesë(shih Lk 15,17). Sa bukur është kur i presim këta vëllezër e motra të penduara me përqafimin plot bekime të Atit të mëshirshëm, që na do fort e bën festë për çdo bir që kthehet tek Ai me gjithë zemër!”.

Shpirti i pendestarit është tokë shenjte

 Si këshillë të tretë, Papa nënvizoi nevojën që çdo meshtar ta ketë parasysh se nuk zgjidh mëkate për meritë të tij, por për hirin e Tënzot. Jemi mbarështues të mëshirës, falë mëshirës së Zotit, theksoi Ati i Shenjtë, prandaj duhet të jemi të përvuajtur, mikpritës e të mëshirshëm para atyre, që kërkojnë të rrëfehen. Duhet të personifikojmë hyjnoren, “të heqim sandalet” para tjetrit, duke e konsideruar shpirtin e tij “tokë shenjte” e duke menduar se po e fal në emër të Zotit e jo timin, sepse unë vetë mund të bëj mëkate shumë më të rënda se të tijat. Së fundi, Papa i ftoi meshtarët t’i kushtojnë kohë rrëfimeve në këtë periudhë Kreshme, që besimtarët të arrijnë me shpirt të pastër në festën e Pashkëve të Ringjalljes së Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.