2015-03-11 10:57:00

Regjenti i Pendestarisë: meshtarët, më shumë në rrëfyestore.


Pranë Pallatit të Kancelarisë, në Romë, vijon deri më 13 mars Kursi i 26-të  mbi forumin e brendshëm të Pendestarisë Apostolike, që nisi më 9 të muajit në vijim. Më 12 mars, në orën 12.00, pjesëmarrësit do të takohen me Papën. Ndërmjet temave, rreth të cilave po diskutohet, është mbarështimi korrekt i Sakramentit të Pendesës, aspektet e tij kanonike, morale e liturgjike baritore, por edhe të drejtat dhe detyrat e pendestarëve, etika e gjenetika. Intervistuam imzot Krzysztof Nykiel, regjent i Pendestarisë Apostolike:

Përgjigje: - Që prej më se një çerek shekulli, gjatë kohës kreshmore, kohë tipikisht liturgjike e pajtimit dhe e kthesës, Pendestaria Apostolike e organizon këtë kurs, me bindjen se vlerësimi i shërbesës pendestare, posaçërisht i rrëfimit, varet në një masë të madhe nga meshtarët dhe nga vetëdija se janë ruajtës të një shërbese të çmuar e të pazëvendësueshme. Dikasteri ynë, duke mirëpritur ftesat e vazhdueshme të Papës Françesku për të qenë të mëshirshëm, për të mos pasur frikë  e për t’i besuar përdëllimit hyjnor, synon të nënvizojë rëndësinë që ka për çdo të krishterë Sakramenti i Rrëfimit, si  mjet shpëtimi, pas humbjes, në detin e së keqes, të hirit hyjnor. Si na mëson Katekizmi i Kishës Katolike, Sakramenti i Pajtimit me Zotin krijon mundësi të reja për ta rifituar hirin e humbur të shfajsimit.

Pyetje: - Si shpjegohet që sot, në shumë vende të Evropës sonë të krishterë, është pakësuar ndjeshëm numri i besimtarëve që rrëfehehen rregullisht? Mund të na e shpjegoni arsyen?

Përgjigje: - Është e vërtetë. Shkaku, mendoj, është përhapja e humbjes së kuptimit të mëkatit. Pasojë, kjo, e përjashtimit të Zotit nga horizonti modern. Shumë njerëz nuk e vënë më Zotin në qendër të jetës së tyre. Nuk  duan ta pranojnë në vendin e parë, që i takon. Rryma të ndryshme të mendimit modern (relativizmi, ateizmi, idealizmi, materializmi) duke shpallur absolutizimin e arsyes njerëzore, çuan në shlyerjen e çdo përgjegjësie morale dhe etike. Gjithçka është e ligjshme, e lejueshme. Njeriu mund të bëjë gjithçka, pa e vrarë fare ndërgjegjja. Sepse lejohet gjithçka. Opinioni personal vlerësohet si e vetmja e vërtetë. Jetojmë, kështu, në një atmosferë amorale, në të cilën nuk ekziston asnjë kufi ndërmjet vesit e virtytit, ndërmjet së mirës e së keqes.  Lidhur me këtë dua të kujtoj atë, që Papa i nderit, Benedikti XVI, pati pohuar gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të 13 marsit 2011: “Nëse zhduket Zoti nga horizonti i botës, nuk mund të flitet më as për mëkatin. Ashtu si kur zhduket dielli, me të zhduken edhe hijet; hija duket veç kur shndrit dielli: kështu eklipsi i Hyjit çon doemos në zhdukjen e mëkatit. Prej këndej, kuptimi i mëkatit - gjë që ndryshon prej kuptimit të fajit, ashtu siç kuptohet nga psikologjia - fitohet vetëm duke e rizbuluar kuptimin e Zotit”(Cfr Benedikti XVI, Engjëlli i Tënzot i 13 marsit 2011). Mund të pohojmë, atëhere, që faji më i rëndë i sotëm është se nuk ndjehemi mëkatarë e, prej këndej, nuk e ndjejmë as nevojën për t’u rikthyer tek Zoti, për të provuar bukurinë e faljes së tij. E është pikërisht kjo vështirësi e njeriut modern për të pranuar mëkatin e ndjesën, që e shpjegon, në rrënjë, edhe vështirësinë e praktikës së krishterë të rrëfimit, të pajtimit me Zotin.

Pyetje: - Si mendoni se Kursi mbi Forin e brendshëm, në të cilin marrin pjesë vetëm meshtarë, mund t’i ndihmojë të gjithë, e sidomos besimtarët laikë, për ta rizbuluar e për ta rivlerësuar Sakramentin e pendesës?

Përgjigje: - Ju falënderoj për këtë pyetje, e cila më krijon mundësinë të saktësoj qellimin shumë të rëndësishëm, që dëshiron të arrijë Pendestaria përmes këtij kursi. Është pikërisht t’i formojë meshtarët, që të jenë gjithnjë më shumë apostuj e misionarë të mëshirës së Hyjit. Kursi synon t’i ndihmojë meshtarët për të qenë edukatorë të mirë të mëshirës e pedagogë të përkryer, që të çojnë te Krishti.

 

Pyetje: - Imzot, nga përgjigjet tuaja kuptohet se rrëfyestorja është një ndalesë e detyrueshme në udhën e shenjtërimit personal e kishtar. A mund të na e shpjegoni më hollësisht pse?

 

Përgjigje: - Natyrisht. Siç e dimë, njeriu mund të vendosë të bëjë keq, por nuk mund ta çlirojë veten nga e keqja. Vetëm Zoti mund ta shlyejë mëkatin e botës. Vetëm Ai mund të shfajsojë e të shpërblejë. E Hyji e ushtron pushtetin e faljes pikërisht përmes Sakramentit të Rrëfimit.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.