2015-03-11 14:11:00

Kubë: do të ndërtohet një kishë e re, e para që nga 1959-ta


Kisha katolike kubane do të ndërtojë një vend të ri kulti. Do të jetë i pari, që nga koha e revolucionit, në vitin 1959. Sipas njoftimit të kryedioqezës së Havanës, dhënë agjencisë Fides, vendi i zgjedhur është një qytezë në provincën perëndimore të Pinar del Rio.

Do t’i kushtohet Zemrës së Krishtit

Kisha e re, që do t’i kushtohet Zemrës së Krishtit, do të shtrihet në një sipërfaqe prej 200 m/k në qendër të Sandinos, Komuna më e madhe e provincës, e do të mund të zërë 200 vetë të ulur, siç njofton ipeshkvi i dioqezës së Pinar del Rio, imzot Jorge Enriques Serpa Pérez. Sipas të dhënave të kryedioqezës së Havanës, 60% e popullsisë kubane (11,1 milionë banorë) është katolike, ndërsa në ishull numërohen 650 kisha, 340  priftërinj e 600 rregulltarë.

Shenjë e shkrirjes së akujve ndërmjet qeverisë kubane dhe Kishës Katolike

Autorizimi për ndërtimin e kishës së re u dha më 9 shtator 2014, duke vijuar, kështu, fazën e shkrirjes së akujve në marrëdhëniet ndërmjet Kishës katolike dhe qeverisë kubane, që çoi në autorizimin për kremtimin e proçesioneve publike, në  shpalljen e së Premtes së Madhe ditë feste, në lejimin e transmetimit televiziv të mesazhit të kardinalit Ortega e në rikthimin në pronësi të Kishës të disa vendeve të kultit të shtetëzuara. Në këtë vijë, ngritja e ndërtesave të kultit është një nga kërkesat e Kishës katolike, që dëshiron të ketë hapësirat e nevojshme për kryerjen e misionit të saj ungjillëzues.

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.