Atë Mati Prennushi, françeskan, lindi në Shkodër, më 02 tetor 1882, nga Nikolla
dhe Roza l. Kraja. Në pagëzim mori emrin Pal.
Ndoqi shkollën fillore, të mesmen dhe liceun në shkollën françeskane në Shqipëri.
Vazhdoi studimet e filozofisë në Graz (Austri).
Në noviciat hyri më 04. 08. 1896. Kushtet solemne dha më 20. 10. 1900. Shugurimin
meshtarak mori më 25 mars 1904.
Mori pjesë në kryengritjen e Malsisë së Madhe dhe në Deçiq në vitin 1911 ishte me
Dedë Gjon Lulin dhe të tjerët kur u ngrit flamuri shqiptar.
Ishte guardian, definitor, zëvendës-provincial, famullitar në Kastrat, Iballe, Gomsiqe
dhe epror i rezidencës ne Tiranë. Më në fund u bë provincial i françeskanëve në Shqipëri,
më 17. 06. 1944, e në atë detyrë mbeti deri në vdekje. E dha jetën dhe lirinë e vet
në flijim për të mirën e Shqipërisë.
Në vitin 1946 qe arrestuar me akuzën e rreme se kishte fshehur armë nën altarin e
shën Antonit në kishën françeskane të Shkodrës, dhe për këtë qe pushkatuar nga komunistët.
Fjalët e tij të fundit janë dëshmi feje: “Rroftë Krishti Mbret!” dhe: “I fali armiqtë
tanë”. Vdiq më 11 mars 1948. Martir i vërtetë.
Prekëse është dëshmia e fretërve të vjetër, të cilët e mbijetuan persekutimin komunist.
Ata dëshmojnë se në qershor të vitit 1944 Provinca Françeskane Shqiptare deshi ta
zgjidhte përsëri për provincial P. Çiprian Nikën (i cili ishte provincial edhe në
vitin 1938-1941) – por P. Matia tha: “Jo! P. Çipriani ende është shumë i ri. Po vjen
komunizmi, i cili më së pari do t’i zhdukë eprorët më të lartë të Kishës dhe të fretërve.
Unë jam i vjetër dhe më pak dëm është në qoftë se më likuidojnë mua se sa p. Çiprianin...”
Kështu fretërit e zgjodhën p. Matinë për provincial, e p. Çiprianin për guardian të
kuvendit të Gjuhadolit – por megjithatë komunistët të njëjtën ditë i likuiduan të
dytë!
AT M A T I P R E N N U S H I O.F.M.
PROVINÇIAL I FRANÇESKANËVE TË SHQIPNISË
(2 TETOR 1881 - 11 MARS 1948)
"Mbrojeni trimnisht me hekur qytetin e atdheun tuej, kjoftë edhe tue derdhë gjakun
deri në pikën e fundit!"
Marin Barleci
Ka lé në Shkodër më 2 tetor 1881, prej prindve Kolë e Drande Prennushi. Asht i pagëzuem
me emnin Paulin. Familja Prennushi asht e vjetër në qytetin e Shkodrës. Të parët e
tyne kanë ma shumë se 300 vjet që kanë ardhë nga Zhupa, fshat malor, por, që, asnjëherë
nuk asht shkelë nga turqit deri në ardhjen e kësaj familje në Shkodër, prandej edhe
nuk kanë ndrrue Fé. Tregojnë se vazhdimisht kanë pasë klerikë në za. Ndër të fundit
asht kenë Don Mati Prennushi, axha i At Matisë i cili ka vdekë në vitin 1904 dhe asht
varrosë në Remaji, ku sot janë vorret e kësaj familje.
Ai ishte i njohtun për aktivitet atdhetar në krahinat e Veriut. At Matia trashigoi
emnin e tij mbasi pikërisht atë vit kur ai vdiq ky u shugurue meshtar, më datë 4 prill
1904, në Kishën e Françeskanëve të Gjuhadolit. Mësimet e para i mori në Troshan, ku
edhe iu kushtue Urdhnit të Shën Françeskut i njoftun në Shqipni "Urdhni i Fretënve
të Vogjël, O.F.M.". Vazhdoi në Bosnje, ku, pothuej ishte traditë paraprëgatitore e
fretënve, për vazhdimin e studimeve të nalta në Austri. Kjo rrugë asht ndjekë nga
pjesa ma e madhe e françeskanëve shqiptarë, mbasi Austria jo vetëm se ishte forcë
e madhe por edhe ishte e vullnetshme me ndihmue Shqipninë me kuadër të naltë në të
gjitha fushat. Pregatitja e klerikëve atje bahej me dëshirën ma të madhe prej tyne
mbasi atë kohë ajo shihte edhe teposhtën që kishte marrë Përandoria Turke. At Matia
studimet e nalta i përfundoi në Grac në vitin 1904. E theksova këtë fakt mbasi edukata
dhe kultura e marrun në këto qendra edukimi në Austri la përjetësisht gjurmët e veta
të pashlyeshme në formimin atdhetar e fetar në të gjithë ata shqiptarë që, edhe pse
ishin ende nën pushtimin mizor turk, formuen atë brezni që Shqipnia nuk do të mundët
me e përsëritë kurrëma.
Në moshën 24 vjeçare At Matia zotnonte gjuhët: latinisht, greqishtën e vjetër, italisht,
gjermanisht, serbo-kroatisht dhe frengjisht, gjuhë, të cilat i fliste dhe i shkruante
saktësisht.
Françeskani i ri e filloi misionin e tij si profesor në gjimnazin e fretënve dhe,
mbas një viti shkon në Katund të Kastratit të Koplikut, ku, përfshihej edhe Bajza.
Ka edhe sot familje e që kujtojnë me respekt meshtarin e ri ndër votrat e të parëve
të tyne.
Shumë shpejt u fiton zemrën besimtarëve të vet. At Dioniz Maka më tregonte më 14 prill
1995: " Kur turqit në agoninë e tatpjetës, mendonin aty nga 1905 me djegë Shkodrën,
në shenjë hakmarrjeje për përpjekjet që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë
së tyne, njëditë të dielë, mbas meshët At Matia, çveshi teshat e meshës, u tha besimtarëve
me pritë në oborr pesë minuta. Ai vetë shkoi te qela, doli para Kishës dhe iu drejtue
të pranishëmve tue nxjerrë prej xhepit të zhgunit një alltije: - Kush asht burrë dhe
e don me zemër Shkodrën, o sot o kurrë, me ardhë mbas meje, do t'ju prij unë e do
të shkojmë me i ndalue dorën hasmit turk, që don me zharitë vëllaznit tonë!
Të gjithë si ishin shkuen ndër shtëpia, ndrruen teshat, u armatosën dhe u rreshtuen
mbas tij ndër kuaj për pak kohë. Dhanë kushtrimin përreth ndër male dhe nën drejtimin
e At Matisë u nisën në drejtim të Shkodrës. Lajmi erdhi shumë shpejt edhe në Shkodër.
Me të marrun vesht Valia dërgoi ndërmjetësit tek Kisha e Madhe e Shkodrës për me e
ndalue këtë veprim, tue premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë reprazalje kundër
shkodranëve. Imzot Guarini i dërgoi një përfaqësues me u dalë para malësorëve që po
vinin me At Matinë në krye. Përfaqësuesi i klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë
dhe mbasi ishin marrë garancitë prej Valisë, malësorët u kthyen, Shkodra shpëtoi.....
At Matia qysh i ri asht dallue në trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun...
e, si tash e kam ndër veshë zanin e tij kur këndonte Gloria......"
Me shkuemjen e Imzot Lazër Mjedjes, në Prizren, aty nga 1908, At Matia shkon në Traboin,
Deçiq dhe Greçë. Tue pa përditë me sy tiparët e malësorit të kulluem atje ai preku
me dorë gjanë ma të çmueshme që e karakterizon shqiptarin dhe që e veçon nga kombët
tjera, aty ishte burrnia e besa!
Në çdo votër përcillej ndër breza qëndresa e kreshnikia pa mburrje.
Virtyti ma i shenjti i yni besa, qarkullonte ndër damarët e gjakut të malësorit fisnikinë,
me formulen Fé e Atdhé, aqsa dukej sikur ky ny i pazgjidhshëm asht lidhë njëherit
me kërthizën e tij.
Prova ma e saktë asht vetësakrifica për hatër të mikut, ndërsa, për priftin edhe binte
në zjarr e nuk i dhimbej jeta si me lé së dyti. Ishin françeskanët të parët që e provuan
këtë gja ndër male mbasi me ndore të këtyne, ata mërrijtën me falë edhe gjaksin.
Ishte besa që në karakterin e atyne burrave, ruante të forta dhe të freskëta ndjesitë
atdhetare që prisnin çdo çast me u zgjue nga dora e bekueme me gjakun e martirëve,
nga dora e atij Kreshniku që shpejt do të thërriste: "Çonju burra, ku jeni, drejt
e në Deçiq!..."
E, mbas Tij, fluturuan edhe shqipet e Alpëve tona!
Më 24 mars 1911 janë, At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj që shpalosin nga gjoksi i
tyne Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, dhe ia dorëzojnë të pathyeshmit
Trim të Traboinit, DED GJO'LULIT, që me ata dy sy zhgabë, që i vezullojshin prej gëzimi,
e buzëngërthye nën ata mustakë të bardhë si biluri, me kësulë mbi një sy si bora e
MAJËS SË BRATILES, i mbërthyem ndër armët e Të Parëve në atë brez të punuem prej lokes
qysh se rrezja e diellit kishte shkrepë ndër ato maje, me ata çakçirë nën të artin
xhamadan ku rrahte ORA E SHQIPNISË, aty, po, ishte zëmreku i kombit, ku gufonte gjaku
i shkuem rrëkajë i Fatosave; aty, po, ishte ajo e forta zemër që me duer prej bronxi,
ngjiti në atë shtizë të latueme në shekuj atë cohë KUQ E ZI, të qëndisun nga duert
e bijave të Rozafës, në atë shkam ku asht daltue amaneti i GJERGJIT që për pesë shekuj
priti: AGIMIN E LIRISË....
Po po, bash AI BURRË, që sot nuk ka as vorr!
Për këtë ngjarje kaq të randësishme përveç dokumentëve të botueme historike të asaj
kohe, fotografive në revistat "Leka", "Hylli i Dritës", etj. shkruan edhe Stephen
Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San
Francisco: "On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for
the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised
on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly
carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.";
dhe, e përkthyeme shqip: "Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut,
për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit
në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga
Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij."
At Matia nuk asht i knaqun vetëm me lirinë e malëve mbasi atje liria pothuej nuk ishte
shkelë asnjëherë. Vepra fisnike e Deçiqit vërtetë që ishte një shpërblim i luftës
së vazhdueshme të malëve tona, por, kënaqësia duhej me u shtri në të gjithë vendin.
Asht kjo arsyeja që në qelën e At Matisë, në Greçë, shkon Imzot Lazër Mjedja dhe organizojnë
takimin historik ku përpilohet një dokument i randësishëm "Memorandumi i Greçës",
më 10 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së madhe të Pavarësisë Kombtare në Vlonë,
më 28 nandor 1912. Ky memorandum u shkrue në gjuhën frenge nga dora e atdhetarit Luigj
Gurakuqi dhe u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, At
Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, etj. Ajo që sot bie në sy asht përdorimi i saktë i
terminologjisë juridike të asaj kohe, që të jep përshtypjen e përpilimit të tij në
kohën e sotme moderne prej ndonjë grupi juristësh të një shteti shumë të përparuem.
Kur malazezët shkelin tokat tona, për këto akte atdhetarie që At Matia kishte organizue
e kapin dhe e dënojnë me varje në litar. Gjatë zhvillimit të gjyqit, një anëtar i
trupit gjykues i thotë: "E sheh litarin që ke në brez, në atë litar do të varim!"....dhe,
At Matia me buzë në gaz i përgjigjët: -"Jua dij për nderë me më varë në konopin tem,
mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën!"
Thanja kishte dy kuptime: Së parit, konopi i Françeskanit do të këputej, mbasi nuk
do të pranonte që të varet kush në atë litar; së dyti, litari i tij nuk kishte si
me bajtë peshën e randë të trupit të madh e të shëndetshëm të At Matisë. Asht e vërtetë
që me At Fishtën ishin miq, por ishin edhe bashkëpunëtorë. Për hirë të kësaj dashtnie
që kishte At Fishta për té, ai ndërhyni tek Krajl Nikolla për me i falë jetën At Matisë.
Krajli jo vetëm i fali jetën por edhe e liroi dhe ia dha me vedi. Erdhën në Shkodër,
ku për pak kohë punoi si profesor në Gjimnazin Françeskan. Siduket, ata i përpiqte
bashkë edhe humori. Fishta e tregonte shpesh thanjën e At Matisë para gjyqit dhe qeshëshin.
Kjo vërehet edhe ndër ato pak letra të korrespondencës së tyne, që për fat, nuk janë
zhdukë dhe prej të cilave një muejta me e fotokopjue. Pjesa ma e madhe e tyne asht
e vështirë me ra në duert e mija.
Nuk zgjati shumë kohë dhe At Matia u kthye në Bajzë të Kastratit edhe njëherë mjedis
miqve të vjetër, që e pritën me dashtninë ma të madhe. Në vitin 1924 asht përkrah
Opozitës si gjithë Kleri Katolik, kryesisht ai Françeskan kundër Regjimit të Zogut.
Lëvizjet e 1926 e përfshijnë edhe At Matinë i cili mbas vrasjes së Luigj Gurakuqit
nuk donte me i ndigjue emnin Zogut dhe as Musa Jukës. Arrëstohet prap në këtë Lëvizje
bashkë me shumë klerikë tjerë. Don Gjon Gazulli u dënue me varje dhe u ekzekutue vëndimi
në Shkoder. At Matia u dënue me pushkatim. Këtë herë asht At Palë Dodaj që ndërhyn
tek Zogu, i cili për miqësinë që kishte me At Palin, ia fali jetën At Matisë. Edhe
ky e liron por me kusht që At Matia, me u largue nga ato krahina. Atëherë detyrohët
me u largue përfundimisht dhe emnohet në Laç të Kurbinit. Në vitin 1928 shkon në Iballe
të Pukës dhe mbas pak vitësh asht famullitar në Gomsiqe. Në vitin 1941 emnohët në
Tiranë, megjithëse aty nuk shtrihej veprimtaria e Françeskanëve. Bashkë me Provinçialin
e tyne At Anton Harapin, hapin Kishën Françeskane të kryeqytetit, ku At Matia ushtron
një aktivitet të gjanë atdhetar. Aty bashkëpunon me At Meshkallën, Imzot Vinçenc Prennushin,
Imzot Bumçin, Don Lazër Shantojën etj. At Matia jo vetëm ishte antifashist por ishte
edhe anti-italian. Nuk pajtohej me pushtimin e Shqipnisë nga Italia, gja të cilën
e ka shpreh pa kurrfarë frike. Në Kishën Françeskane të Tiranës më 28 nandor 1942,
ai ka vue Flamurin Kombëtar me shqipën e flamurit të Deçiqit, pa stemat e fashizmit.
Kryente vizita kortezie ndër autoritetet shtetnore edhe italiane, që i kishte të detyrueme
por, prej tyne konsiderohej "françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste
italiane". Dëshmi e At Dioniz Makës.
Në Tiranë ai u njoht me shumë përsonalitete si me Shefqet Vërlacin, Mustafa Krujën,
Maliq Bushatin, Iliaz Agushin, Musa Gjylbegun, Rexhep Mitrovicën, Ibrahim Biçakun,
Lef Nosin, Cafo Beg Ulqinin etj. Të gjithë dokumentet arkivore të marrëdhanjëve të
At Matisë, me këta përsonalitete, flasin vetëm për ATDHETARIZËM. Ai, edhe pse ishte
në Tiranë, ruen miqësinë me fisin e Ded Gjo'Lulit, me Prenkë Calin, Kol Zefin e Grudës,
Kol Ndoun - Bajraktar'i Shalës, Lulash Gjeloshin e Shoshit dhe e veçon Gjelosh Lulin,
si trim dhe atdhetar. Në grupin e politikanëve të njoftun ruen respekt të veçantë
për Mehdi Frashërin, si politikan, jurist, historian dhe liberal shumë i kulturuem.
Ndër takimet e bame me italianët shihët kjartë interesa që ata kishin për té, dhe
ky përfiton tue u marrë të holla për ndërtime qelash e kishash në zonat e Tiranës.
Kjo dokumentohët edhe me shpjegimet e shpënzimeve të bame në materialin e ruejtun
në Arkivin e Shtetit në Tiranë (shif librin "Françeskanët").
Në vitin 1943 vjen në Shkodër. Mbas emnimit të At Anton Harapit në Regjencë, në vendin
e tij si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë emnohet At Matia, detyrë e cila i
njihët zyrtarisht nga eprorët në muejin qershor të vitit 1944. Detyrën e fillueme
në gjysmën e vitit 1943 e vazhdon paemnim zyrtar, mbasi rruga e ndjekun me At Harapin
për aprovimin e emnimit të tij në Regjencë vazhdoi aq kohë. Mënyrën si u veprue, do
ta shpjegoj tashti nga burimet e vërteta për këtë çashtje.
Zgjedhja e At Mati Prennushit si Provinçial asht mjaft origjinale. Po filloj me citue
At Konrad Gjolaj, i cili ishte i pranishëm në atë mbledhje posa kishte ardhë nga studimet
prej Italie. Në librin "Çinarët" (fq. 67) shkruen: "At Çiprian Nika ishte ndër françeskanët
ma me vlerë që ka pasë kleri e kjo asht edhe arsyeja që kur u zgjodh Provinçial At
Matia, pat ngulë kambë mos me u zgjedhë At Çipriani, se komunistët punën e parë që
kanë me ba kanë me pushkatue Provinçialin, prandej, t'a ruejmë At Çiprianin për ma
vonë, mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né. Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit
me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë, nuk i bante përshtypje pushkatimi,
se edhe dy herë maparë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile edhe deri tek stoli
i konopit në Serbi.". Po në këtë mënyrë e shpjegon edhe At Dioniz Maka mënyrën e zgjedhjes
së tij Provinçial.
Në fq 65 (po aty), At Gjolaj shkruen: "Ardhjën e At Mati Prennushit si Provinçial
të Françeskanëve të Shqipnisë, unë e kam konsiderue gjithmonë si një fat i madh i
Kishës Katolike dhe i Françeskanëve të Shqipnisë. Ai asht kenë portreti shpirtnuer,
fizik e moral i një françeskani të vërtetë. Inteligjent, trim dhe organizator. Janë
tri cilësi të vështira me u kombinue, por sidukët Zoti tue dashtë me na ruejtë me
faqe të bardhë na shndriti mendjën me zgjedhë At Matinë, në kohën ma të rrezikshme
dhe delikate, në të cilën asht ndodhë Kisha përballë terrorit sllavo-aziatik komunist".
Shkuemjen e At Anton Harapit në Regjencë, At Matia e konsideron të rregullt dhe në
përputhje të plotë me normat ligjore të Urdhnit, mbasi vetë At Antoni ka kërkue rrugën
ligjore.
Mbasi u mblodhën françeskanët: At Mati Prennushi, At Pal Dodaj, At Çiprian Nikaj,
At Donat Kurti, At Pashko Bardhi, At Gjon Shllaku dhe At Augustin Ashiku; At Matia
deklaron: "...... U bisedue në se mund t'i sillej ndonji dobi Atdheut me pjesëmarrjen
e tij (Padër Antonit) në regjencë, e arritëm në përfundimin se mund t'i sillet shumë,
prandej e autorizueme Padër Antonin të marrin pjesë në Regjencë. (A. M. Prennushi
Dosja 1302, fq. 56, Arkivi Min. Mbrendshme, Tiranë).
Ma poshtë vazhdon: "Mbas kësaj mbledhjeje i asht kërkue mendimi Papës dhe Vatikani,
në bazë të Kodit Kishtar, e lé në dorë të Argjipeshkvit. Argjipeshkvi i Shkodrës e
pëlqen këtë vëndim dhe Padër Antoni shkoi në Regjencë".(po aty fq. 57.)
Kur hetuesi e pyet At Matinë, se konsiderohët apo jo At Antoni "kriminel lufte", përgjigja
asht kjo: "Për Padër Anton Harapin nuk ka ndonjë fakt që të më bindin se ky mund të
jenë kenë kriminel lufte". (Dosja 1302 fq. 6). Letra e At Antonit dhanë Osman Kazazit,
njëditë para pushkatimit, ende nuk po botohet. E quej me vlerë po të ishte mundësia
e një studimi të plotë për At Anton Harapin, me nxjerrë në dritë një letër të Lef
Nosit që ruhet në Arkivin e Shtetit, me të cilën Lef Nosi kërkon me çdo kusht kenjen
e At Antonit në përbamjen e Regjencës. Po aty asht e ruejtun një letër tjetër që At
Matia u dërgon të gjithë françeskanëve me rastin e vrasjes At Lekë Lulit në mënyrë
mizore dhe trathtisht, vetëm me i plaçkitë të hollat që kishte me vedi. Në këtë letër
jep urdhën të premë, që asnjë frat të mos merrët me politikë dhe të mos iu besojnë
asnjenës parti, mbasi jo vetëm mund të pësojnë fatin e At Lekë Lulit por, edhe do
të njolloset me akuzat ma të këqia nga ajo parti që do t'i marrë edhe jetën. Porosia
asht e padiskutueshme. Ka një shënim me të cilin akuzojnë At Matinë, se kjo letër
asht shkrue vetëm kundër Lëvizjes N.Çl. dhe formacionëve partizane. Qëllimi i vërtetë
me sa duket asht frika e përzimjes klerikëve në turbullinat e kohës.
Në të vërtetë koha e turbullt dhe e pasigurt e vitit 1944 sjell të paprituna të njëmbasnjëshme.
Shumë nana shkodrane zanë derën e kuvendit për me iu shpëtue kokat e djelmëve të kapun
nga gjermanët, si komunistë ose të dyshimtë; shumë të tjerë afrohën me vërejtë se
çfarë qëndrimi po mbante kleri kundrejt partizanëve; shumë të tjerë vijnë me lypë
ndihmë për jetesë si Pjerin Kçira me shokë; shumë të tjerë kërkojnë me rrahë në të
dy krahët dhe me e pasë mirë me të gjitha palët e, që këta të fundit janë kenë ma
të shumtit. Praktikisht në Kuvendin e Fretënve gjetën strehë edhe shumë prej atyne
që ma vonë, do të dëshmojnë për "veprimtarinë antikombëtare" të françeskanëve, vetëm
e vetëm me sigurue një vend pune të rahatshëm, me marrë një gradë shkencore të pameritueme
etj. etj. që shtjellohën ma kjartë në ngjarjet e ndodhuna mbas vitit 1944. Proçesët
e bame ndër gjyqet e hapuna të Shkodrës janë dëshmi e mirë dhe mbahen mend nga qytetarët,
por proçesët e "mbylluna" që sot edhe ato janë të hapuna e publike, për fat të keq,
dëshmojnë se shumë vetë kanë mendue se komunizmi asht i "përjetëshëm" dhe asnjëherë
nuk kanë mendue se do të dalë në shesh e vërteta e vëprimeve të tyne.
Nuk ishte detyrë e thjeshtë me kenë Provinçial në një kohë ma keq se në kohë të paganëve,
mbasi për Françeskanët e Shqipnisë ishte koha ma e vështirë e shekullit. Mos harroni,
se gjithçka ishte në dorën e jugosllavëve e, kush ma parë se fretnit do të kishin
punë me ta?
At Mati Prennushi ruejti dinjitetin e vet dhe të shokëve pa madhështi. Ai u ndodh
i vorfën mjedis të vorfënve të Asizit, dijti me lidhë gjithmonë veprën me logjikën,
tue arsytue gjithçka e këshillonte atë vëllau i kuvendit. Ai ishte i sjellshëm, i
premë në vëndime, i njerëzishëm, bujar dhe i pakundërshtueshëm, mbasi me fjalë e vepra
nuk dijti me iu randue as anmikut. Ishte elokuent, të bante për vedi se ishte gjithmonë
dashamirës. Këshilla e vërejtja e tij mirëpritej si prej ATIT.
Punoi pa iu ndigjue zani për Fé e Atdhé si të gjithë françeskanët, mbasi në zemër
i vlonte LIRIA. Ai vdiq i respektuem edhe nga anmiqtë, se njihëj për burrë trim.
All the contents on this site are copyrighted ©. |