2015-03-10 11:16:00

Tomazi: kush ka ndotur më shumë, ka përgjegjësi më shumë, jo të varfërit


Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së OKB-së së Gjenevës, imzot Silvano Maria Tomazi, foli dje para Këshillit të të Drejtave të Njeriut, i cili është mbledhur që nga 2 marsi në qytetin zviceran. Debati mbi promovimin dhe mbrojtjen e çdo të drejte të njeriut, përfshirë të drejtën e zhvillimit duke respektuar ambientin, e nxiti imzot Tomazin të sqaronte qëndrimin e Vatikanit mbi tri pika kryesore për arritjen e drejtësisë në këtë fushë. Së pari, kontributi i të gjithëve sipas mundësive konkrete ekonomike dhe teknologjike; së dyti, shkëmbimi i njohurive mbi përdorimin dhe prodhimin e burimeve themelore; së treti, marrja e përgjegjësisë në kuadrin e “drejtësisë zhdëmtuese”. Kjo e fundit, theksoi imzot Tomazi, kërkon që ata, të cilët kanë përfituar më shumë nga përdorimi i burimeve natyrore e, pikërisht për këtë e kanë ndotur ambientin, të punojnë më tepër se të tjerët për ta ndrequr atë e për ta përmirësuar, duke e kthyer në gjendjen e parë. Kryeipeshkvi shprehu vlerësimin e Selisë së Shenjtë për praktikën e hartimit të raporteve mbi qëndrueshmërinë e impianteve ekonomike, ambientale dhe shoqërore, të cilat tregojnë nëse mund të mbahet një veprimtari ekonomike e caktuar pa shkatërruar ambientin.

         “Është çështje drejtësie – shtoi – të ndihmohen të varfërit dhe të brishtët, që vuajnë për arsye, të cilat, në pjesën më të madhe, nuk janë shkaktuar prej tyre e janë jashtë kontrollit të tyre. Hap konkret mund të jetë vënia në dispozicion e teknologjisë më të mirë, që i zbut” dëmet e shkaktuara nga ndotja e ambientit. Tani, lajmëroi imzot Tomazi, sytë janë kthyer nga Konferenca e Parisit mbi klimën, e cila do të mbahet dhjetorin e ardhshëm, ku do të përcaktohet regjimi ligjor, që duhet zbatuar në çdo vend, pas vitit 2020.








All the contents on this site are copyrighted ©.