2015-03-10 15:19:00

Papa: nesër takon rrëfyestarët, të premten kryeson liturgjinë pendestare


Papa Françesku do të trajtojë të enjten temën e Sakramentit të pajtimit apo të rrëfimit, në një audiencë me pjesëmarrësit e një seminari formues për rrëfyestarët, organizuar nga Pendestaria Apostolike. E pasnesër, të premten, Papa Bergoglio do të kryesojë kremtimin e liturgjisë pendestare, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, gjatë së cilët do të rrëfejë disa besimtarë. Vitin e kaluar, me njëjtin rast, Papa Françesku qe ulur në gjunjë para një meshtari për t’u rrëfyer.

“Kreshmët janë kohë e volitshme për përtëritjen tonë të brendshme shpirtërore, për të marrur faljen e mëkateve, për çka na fton pikërisht Sakramenti i Pendesës, Rrëfimit e Pajtimit, që na ndihmon të kalojmë nga errësira e mëkatit në dritën e hirit hyjnor e të miqësisë me Jezu Krishtin”, tha Papa Françesku në homelinë e Meshës, kremtuar të shtunën e kaluar, në kishën famullitare Të të Gjithë Shenjtorëve, në lagjen romake Appia Latino.

“Nuk duhet të harrojmë – shpjegoi Ati i Shenjtë Bergoglio – forcën e madhe që ka ky Sakrament për jetën e krishterë: kjo rritet pikërisht në bashkimin tonë me Zotin, bashkim ky që na bënë ta fitojmë përsëri gëzimin e humbur dhe ta përjetojmë  e ta ndjejmë ngushëllimin e atij përqafimi përdëllimtar të Atit Qiellor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.