2015-03-09 19:03:00

Papa: jo teologë muzeu, por kufijsh, shenjë e mëshirës së Hyjit


Teologji e gjallë, në kufijtë e fesë, që merr mbi vete të gjitha konfliktet e botës. Kështu shkruan Papa në letrën drejtuar kardinalit Mario Aurelio Poli, kryeipeshkëv i Buenos Ajres dhe kancelar i madh i Universitetit Katolik të Argjentinës (Uca), me rastin e 100 vjetorit të fakultetit të Teologjisë të së njëjtës shkollë të lartë të kryeqytetit argjentinas.

Teologë që e adhurojnë rrugën

Edhe teologët e mirë, ashtu si barinjtë e mirë, e adhurojnë popullin e rrugës. E kujton Papa Françesku, duke përshëndetur studentët dhe personelin e fakultetit, në njëqind vjetorin e tij, në përkim me përvjetorin e mbylljes së Koncilit II të Vatikanit, i cili solli lëvizjen e pakthyeshme të risimit, që buron nga Ungjilli.

Jo teologji tavoline, por kufiri

Duhet të ruhemi nga teologjia, që nis e mbaron me diskutime akademike a që e shikon njerëzimin nga “kështjella prej qelqi”. Ajo duhet rrënjosur mbi themelet e Zbulesës, mbi Traditën, shoqëruar me proceset kulturore e shoqërore, posaçërisht me ato më të vështirat. Teologjia, shkruan Françesku, duhet t’i marrë mbi vete edhe konfliktet: jo vetëm të Kishës, por edhe të botës.

Të ndërtojmë njerëzimin

Rikujton, më pas, një figurë të dashur për të, Papa. E quan Kishën  “spital fushor”, që duhet ta shpëtojë e ta shërojë botën, shprehje e së cilës është teologjia, përmes mëshirës, që nuk është vetëm sjellje baritore, por edhe, kujton, vetë thelbi i Ungjillit të Krishtit. Pa të teologjia, e drejta dhe baritoria, rrezikohen të rrëshqasin në meskinitet burokratik ose në ideologji që, shpjegoi, për vetë natyrën e saj, dëshiron ta zbusë misterin.

Ta kuptosh teologjinë, shtoi, “do të thotë të kuptosh Zotin, që është dashuri”.

Urimi përfundimtar është që Universiteti Katolik i Argjentinës të mos formojë “teologë muzeu”, studiues që rrinë e shikojnë nga dritarja si zhvillohet atje poshtë historia, as burokratë kishtarë, por njerëz të aftë për ta bërë më  njerëzore botën rreth vetes e për t’i përcjellë të vërtetat e krishtera në përmasa vërtet njerëzore.   

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.