2015-03-09 12:33:00

Atë Anton Luli, martir, jezuit shqiptar


Kujtojmë sot më 9 mars përvjetorin e vdekjes së Atë Anton Lulit, martir, jezuit shqiptar, ( Lohe-Koplik, 17 korrik 1910 - Romë, 9 mars 1998).

Dëshmitar i kalvarit të shqiptarëve gjatë regjimit komunist, Atë Anton Luli e bëri të qante Karol Vojtilën duke treguar historinë e martirizimit të klerit shqiptar nën diktaturën komuniste e historinë e jetës së tij të jashtëzakonshme, gjatë pjesëmarrjes në kremtimet për 50-vjetorin e meshtarisë së Atit të Shenjtë Gjon Palit II në Vatikan më 7 nëntor 1996.

Aq e jashtëzakonshme ishte jeta e jezuitit shqiptar, Atë Anton Lulit, sa sivëllezërit jezuitë nëpër botë e dinin të martirizuar, duke mos pasur prej vitesh asnjë lajm për atë, që ishte varrosur për së gjalli ndër burgje e kampe përqendrimi të regjimit komunist në Shqipëri.

Prandaj, kur munden ta takonin përsëri, gati–gati si të dalë nga varri, i kushtuan librin “Già dato per martire” (përkthyer shqip me titullin “Atë Lulin ne e dinim martir”) - botuar më 1996 nga Civiltà Cattolica.

Pikërisht dëshmitë rrënqethëse të këtyre viteve u solli me vete sivëllezërve jezuitë Atë Luli, kur më në fund doli i gjallë nga varri e nisi të tregojë, që breznitë e sotme e të ardhme që të mos harrojnë atë që ndodhi, ta ruajnë lirinë si gjënë më të shtrenjtë, nëse nuk duan të rijetojnë tragjedinë e atyre që, edhe në varr, i kanë mbi eshtra shenjat e martirizimit .








All the contents on this site are copyrighted ©.