Rubrika “Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve, mbështeur mbi librin, dhuratë e Françeskut për të na ndihmuar të ecim përkrah me Zotin në udhën tonë kreshmore, na kujton sot virtytin e tretë e të fundit teologal: më të madhin: dashurinë. “Dashuria e krishterë, pra, është virtyt teologal. Na frymëzon ta duam Zotin mbi gjithçka e të afërmin, si vetveten, për dashuri të Zotit. Është Urdhërimi i ri i Jezusit me të cilin përmbushet plotësisht Ligji. Dashuria është filli i artë, që i lidh së bashku të gjitha virtytet (Kol 3,14), është themel i tyre. “Dashuria gjallëron, frymëzon, këshillon: pa të nuk kemi jetë. Pa të asgjë nuk mund të na gëzojë”, na kujton Shën Pali (1 Kor 13, 1-3), autor i njërit nga Himnet më të bukura të Besëlidhjes së Re, kushtuar pikërisht dashurisë (1 Kor, 13, 1-13)”. ...
Po t’i flisja gjuhët e njerëzve
Edhe ato të engjëjve,
por të mos kisha dashurinë,
do të isha porsi bronzi që kumbon
e porsi çembali që tingëllon.
Po ta kisha dhuratën e profecisë
e t’i njihja të gjitha misteret
e të gjitha dituritë;
e të kisha fe,
Sa t’i tundja nga vendi malet
por po të më mungonte dashuria,
s’do të isha asgjë!
Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time
e po ta jepja trupin tim të kallej flakë,
por, po të më mungonte dashuria,
nuk do të më vlente asgjë!
Dashuria është e durueshme
zemërgjërë,
nuk ka smirë,
nuk mbahet në të madh,
nuk bën punë të pahijshme,
nuk kërkon interesin e vet,
nuk zemërohet,
nuk e mban mend të keqen,
nuk i gëzohet padrejtësisë,
por kënaqet për të vërtetën.
Gjithçka arsyeton,
gjithçka beson,
gjithçka shpreson,
gjithçka duron.
... ... ... ... ... ...
Tani, pra mbeten tri sende:
Feja, Shpresa, Dashuria
Por më e madhja ndër to është dashuria.
(1 Kor. 13, 1-7, 13)
All the contents on this site are copyrighted ©. |