2015-03-06 16:39:00

Përkujtimi i martirëve Daniel Dajani dhe Giovanni Fausti


Dioqeza e Sapës kujton martiren e kohës së diktaturës komuniste.
Ipeshkvi i Sapës, imzot Avgustini, me 4 marsin e kaluar,  në famullinë e Shën Shtjefnit në Blinisht, kremtoi Meshën në përkujtim  të martirëve Atë Daniel Dajani dhe Atë Giovanni Fausti dhe  nënvizoi thesarin e madh shpirtëror që përfaqësojnë martirët për Kishën e shoqërinë. Më hollësisht të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit nga dioqeza e Sapës.

Në kuadër të vizitës kanonike që Ipeshkvi i Sapës po zhvillon në famullitë e grigjës së tij, vizita e radhës u bë me 4 mars 2015 në famullinë e Shën Shtjefnit në Blinisht. Kjo datë përkoi edhe me përvjetorin e kushtimit të kishës famullitare dhe me përkujtimin e martirëve Atë Daniel Dajani dhe Atë Giovanni Fausti, një ditë e veçantë kjo e kujtimit të asaj ngjarjeje të 4 marsit të vitit 1946, kur biri i kësaj famullie Atë Danieli, ish rektor i seminarit papnor në Shkodër u pushkatua së bashku me Atë Giovanni Faustin, ish eprorin e jezuitëve në Shqipëri dhe me seminaristin Mark Çuni duke dëshmuar besimin në Krishtin, dashurinë dhe faljen ndaj armiqve. 
E të bashkuar në kishën qe i kushtohet Martirëve Shqiptarë, Imzot Lucjan Avgustini kremtoi Meshën Shenjte bashkë me famullitarin dhe me bashkësinë e besimtarëve të kësaj famullie, ku në fillim shprehi gëzimin dhe falenderoi Zotin që na bekon me dhuratat e tija, e në mënyrë të veçantë, dita e 4 marsit tha ai është një dhuratë e mirësisë dhe dashurisë së Tij ndaj nesh falë punës dhe sakrificave të meshtarëve dje dhe sot. E ndërsa kujtojmë këto ngjarje vazhdoi Ipeshkvi, kujtojmë dhe lusim Zotin për ish famullitarin tashmë i kaluar në amshim, dom Antonio Sciarrën, i cili me mund dhe sakrifica të mëdha është angazhuar për ngritjen shpirtërore të besimtarëve, por edhe për ngritjen me gurë të kishave ku mblidhen sot besimtarët. E për këtë flet vetë fakti i këtij tempulli ku jemi bashkuar dhe po kremtojmë eukaristinë shenjte. Në mbyllje përfundoi me kujtesën e fjalëve që Papa Françesku na i la si porosi me rastin e vizitës së tij në Shqipëri: “Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre. Nuk munguan provat e guximit të madh e të qëndrimit të patrandshëm në shpalljen e fesë. Zoti ishte pranë jush, për t’ju mbajtur në këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit. Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira”. 
I paraparë sipas Kodit Kishtar, Vizita kanonike e Ipeshkvit vazhdoi me takimin me klerikët dhe rregulltarët që shërbejnë në këtë famulli dhe që kujdesohen për mbarëvajtjen shpirtërore dhe pastorale; me vizita në objektet e kultit, kishat, kapelet dhe oratorët. Po ashtu një vizitë  e veçantë u tregua edhe për zyrën e famullisë duke verifikuar regjistrat, Amzat dhe gjithë dokumentat e ruajtura në famulli.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.