2015-03-06 16:04:00

Françesku: neokatekumenalët, dhuratë që i bën mirë Kishës


“Dhuratë e Provanisë Hyjnore”, që bën të mira në Kishë. Kështu i vlerësoi Papa Françesku anëtarët e Ecjes Neokatekumenale, që sot paradite, mbushën Sallën Pali VI, në Vatikan. Ata i paraqitën Atit të Shenjtë 200 familje të gatshme për t’u nisur në mision në të gjitha kontinentet.

Ecim në udhë të largëta

         Njëmijë e 100 familje ndodhen tashmë kudo nëpër botë, së bashku me 4.600 fëmijët e tyre. Me 200 të tjerat e sotme, kanë vendosur që shtëpia, shkolla, miqtë të jenë diku larg, në atë pjesë të botës ku Jezusi e Ungjilli akoma nuk njihen, ose janë bërë fjalë të thjeshta. Papa Françesku foli plot ngrohtësi me ta:

         “Ju keni marrë prej Zotit forcën për të lënë gjithçka e për t’u nisur në toka të largëta, falë edhe udhës së fillesës së krishterë, jetuar në bashkësi të vogla, ku keni zbuluar pasurinë e pafundme të Pagëzimit. Kjo është Ecja Neokatekumenale, dhuratë e vërtetë e Provanisë Hyjnore për Kishën e kohëve tona”.

“Zgjojeni fenë”

         Nismëtari i neokatekumenalëve, Kiko Arguello, thirri njëra pas tjetrës emrat e zonave ku do të shkojnë familjet e reja misionare: Franca e Gjermania, por edhe toka si Kosova e Ukraina, apo Kina, Vietnami e Papuazia. Çdo herë, një dyzinë u ngrit në këmbë e Papa përvijoi qartë pse nisen e cili është synimi i tyre:

         “Jo të krishterët, që s’kanë dëgjuar kurrë të flitet për Jezu Krishtin e shumë jo të krishterë, që kanë harruar kush ishte Jezu Krishti, kush është Jezu Krishti: jo të krishterë të pagëzuar, të cilëve shekullarizimi, mendësia e botës e shumë gjëra të tjera i kanë bërë të harrojnë fenë. Zgjojeni këtë fe”.

Ju përforcoj e ju bekoj

         Duke theksuar edhe një herë se Ecja Neokatekumenale bën shumë punë të mira në Kishë, Papa Françesku u dorëzoi 33 meshtarëve, në krye të misioneve, një miratim të mëtejshëm të rregullave themelore të Ecjes – Fjala e Zotit, Liturgjia, Bashkësia – si edhe përmendi zakonin e neokatekumenalëve për të kremtuar Eukaristinë në bashkësi të vogla, pas Mbrëmësoreve të para të së dielës. Së fundi bekimi i kryqeve:

         “Të shohësh gjithë këtë është ngushëllim, sepse konfirmon se Shpirti i Zotit është i gjallë e punon në Kishë edhe sot, se u përgjigjet nevojave të njeriut modern. Në raste të ndryshme kam ngulur këmbë në domosdoshmërinë që Kisha të kalojë nga baritoria e ruajtjes së thjeshtë të fesë në një baritori vendosmërisht misionare. Sa herë, në Kishë, e kemi Jezusin brenda dhe nuk e lemë të dalë… Sa herë! Kjo është gjëja më e rëndësishme, nëse nuk duam që uji të bëhet i amullt në Kishë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.