2015-03-06 17:12:00

8 marsi, Dita ndërkombëtare e gruas, në Vatikan


Sot, pranë Akademisë së Shkencave, në shtëpizën Piu IV, në orën 15.00. u mbajt takimi i dytë i “Voices of Faith” “Zëri i Fesë”, me rastin e  Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Folën e festuan gra katolike, ardhur nga mbarë bota, që treguan një mori historish nga veprimtaria e tyre në ndihmë të të varfërve e në luftë për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Në kuadrin e manifestimit u dha një çmim prej 20 mijë eurosh, titulluar “Gratë, lastarë të zhvillimit”. U dha për të vlerësuar projektet që vënë në pah kontributin e grave në sigurimin e ushqimit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve e të bashkësive të tyre. 

Ndërmjet grave që sollën përvojën e tyre, ishte Mukti Bosco, bashkëthemeluese e sekretarisë së përgjithshme të Healing Fields e Ashoka Fellow,  e cila u ndalua tek ndihma shëndetësore e kualifikuar që u jepet të varfërve në Indi. Motra Hatune Dogan, pastaj, themeluese e Hatune International Foundation, që tregoi sesi rrezikoi jetën në vende të rrezikshme, për të ndihmuar pakicat e krishtera të persekutuara në Lindjen e Mesme. Folën edhe gra të tjetra, si Mary McFarland, e njohur për ndihmesën në arsimimin e lartë në kampet e refugjatëve; ish-refugjatja  Suad Mohamed, pjesëmarrëse në këtë veprimtari; Marta Pelloni, themeluese e Infancia Robada (rrjet kombëtar për fëmijërinë e mohuar), që tregoi si luftohet kundër dhunës brenda mureve të shtëpisë, kundër trafikut të grave e fëmijëve dhe korruspsionit të organizuar. Gra nga mbarë bota treguan ç’janë në gjendje të bëjnë, jo për të rinuar fytyrat  e tyre, por për t’ia rinuar faqen jetës së vet, të familjes e të botës mbarë!

Voices of Faith është një nismë e Fondacionit Fidel Götz, me Seli në Liechtenstein, që synon pikërisht përmirësimin e jetës së grave e të vajzave të mbarë botës. Fondacioni mbështet nisma të ndryshme brenda Vatikanit dhe bashkëpunon me organizata katolike të nivelit botëror për zhvillimin dhe vënien në jetë të programeve të frytshme.

Në Vatikan sot, gra nga mbarë bota, sollën kontributin e tyre me vlerë, në të gjitha fushat e jetës, nga universiteti, tek kuzhinat familjare, nga djepat, tek organizmat kombëtare e ndërkombëtare.  Duke ia uruar kështu grave të mbarë botës festën e tyre ndërkombëtare të cilën, të mos harrojmë, ua uroi edhe Papa.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.