Arrijmë sot, në rubrikën “Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve, tek pjesa II e Doracakut, që na e dhuroi vetë Françesku për udhën tonë kreshmore. Titullohet “Feja e Kishës” dhe nis me Besojmën, Simbol i Apostujve.
“Besoj në Tënzonë” – ky është pohimi ynë i parë i fesë. “Besoj në një Zot të vetëm”- me këto fjalë nis Besojma, që shpallim gjatë Meshës çdo të diel. Të krishterët besojnë në një Zot të vetëm. Ashtu si e lexojmë në Librin e Ligjit të Përtrirë”: “Dëgjo, o Izrael: Zoti, Hyji ynë, është një Zot i vetëm”! E, si na mëson, në emër të Zotit, Izaia profet: “Kthehuni kah unë e do të shpëtoni... se unë jam Hyj e tjetër s’ka”. E vetmja natyrë e Zotit është në tri Vetje. Bëhesh i krishterë me pagëzimin në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt, që dallohen ndërmjet tyre, edhe pse nuk janë tre Zota, por një i vetëm. I krishteri nuk i lutet një hyjnie abstrakte, por u drejtohet Atit, Birit e Shpirtit Shenjt, të treve njëheresh, e edhe veçmas, secilës nga tri Vetjet. U drejtohet me shpresë që të hyjë në bashkimin e amshuar, plot dashuri e gëzim, me Hyjin, që është një i vetëm në Tri Vetje!
Prej këndej, Fjalët e Besojmën, Simbol i Apostujve:
Besoj në Tënzonë, Atin e gjithpushtetshëm,
Krijuesin e qiellit e të dheut.
E në Jezu Krishtin, Birin e tij një të vetmin, Zotin tonë,
i cili u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt.
U lind prej Virgjinës Mari.
Hoq mundimet nën Poncin Pilat.
U vu në kryq, vdiq e u varros.
Zbriti në ferr.
Të tretën ditë u ngjall së vdekuri.
U ngjit në qiell.
Rri në anë të djathtë të Tënzot Atit të gjithëpushtetshëm.
Andej do të vijë për të gjykuar të gjallët e të vdekurit.
Besoj në Shpirtin Shenjt,
Shenjten Kishë katolike
Shoqërinë e Shenjtorëve,
Faljen e mëkateve,
Ngjalljen e të vdekurve
Jetën e pasosur. Amen
All the contents on this site are copyrighted ©. |