2015-03-05 15:56:00

Papa: shteti nuk duhet të fitojë nga mjekësia: duhet të mjekojë, të mos e lërë njeriun të vdesë


 Kur logjika e dobisë merr epërsi mbi atë të solidaritetit e të ndihmës pa shpërblim, shoqëria ka për detyrë ta ndihmojë njeriun. E theksoi Papa, duke pritur pjesëmarrësit në mbledhjen plenare të Akademisë Papnore për Jetën, mbledhur këto ditë në Vatikan ku po diskutojnë rreth temës: “Ndihma për të moshuarit dhe mjekimet paliative”. Është fjala për mjekimet, që ua lehtësojnë dhimbjet njerëzve, në prag të vdekjes.

Njeriu, dhuratë e çmuar, edhe në brishtësi

“Njeriu mbetet gjithnjë i çmuar, edhe kur plaket e sëmuret”. E pohoi Papa Françesku në Sallën Klementine, duke reflektuar me pjesëmarrësit e plenares së Akademisë Papnore për Jetën mbi qëndrimin e shoqërisë bashkëkohore ndaj njerëzve të shkuar nga mosha: “Logjika e dobisë merr epërsi mbi atë të solidaritetit e të ndihmës pa shpërblim, deri në gjirin e familjeve”.

Të moshuarit sot, të harruar deri në braktisje

Ndërsa njeriu ‘I dashur nga Zoti’ është pasuri për vetveten e për të tjerët, kujtoi Papa. Kur jeta e tij bëhet shumë e ligshtë e i afrohet fundit tokësor, ndjejmë përgjegjësinë ta ndihmojmë e ta shoqërojmë sa më mirë që të mundemi. Majde Bibla i qorton rëndë ata, që i harrojnë ose i keqtrajtojnë prindërit. I njëjti gjykim vlen edhe për sot, nënvizoi, duke kujtuar shembuj të shumtë, që flasin për bij që arrijnë deri për braktisjen e prindërve.

Papa i ftoi të gjithë të marrin, me zemër të hapur, shtytje nga Fjala e Zotit, që na flet nga Urdhërimet Biblike, posaçërisht nga urdhërimi, që kërkon t’i nderojmë prindërit, gjë që nënkupton nderimin për të gjithë njerëzit me moshë të shtyrë. Por vërejti me qortim Papa: “T’i nderosh, sot mund të kuptohet edhe si detyrë për të pasur respektin më të madh e për t’u kujdesur për ata njerëz që, për shkak të kushteve  fizike ose shoqërore, mund të lihen të vdesin ose t’u shkaktohet vdekja”.

Pleqtë duhen kujdesur me dashuri familjare e, kur nuk munden më, kur sëmundja përparon e bëhet vdekjeprurëse, të moshuarit duhet të kenë një asistencë vërtet njerëzore, duke iu përgjigjur nevojave të tyre përmes mjekimeve paliative. Në fazën e fundme të sëmundjes, mjekimet paliative synojnë të lehtësojnë vuajtjet, duke i siguruar njeriut një shoqërim vërtet njerëzor.

Shkenca duhet të jetë gjithnjë ndihmë për njeriun

Në përfundim, Françesku përsëriti thirrjen e Gjon Palit II: “Respektoje, mbroje, duaje, shërbeji jetës, çdo jete njerëzore! Vetëm duke ecur në këtë rrugë, do të gjesh drejtësi, zhvillim, liri të vërtetë, paqe e lumturi”.

 

 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.