2015-03-05 11:17:00

Imzot Khazen për Sirinë: konflikt i planifikuar nga fuqitë e huaja


Refuzimi i forcave anti-Assad për marrëveshjen humanitare në Haleb, propozuar nga i dërguari i OKB-së, Staffan de Mistura (të cilin shqiptarët e kujtojnë për impenjimin analog në Kosovë), është “fakt i rëndë” dhe tregon se konflikti sirian “nuk do të përfundojë derisa të mos duan të gjitha forcat, të cilat po e ushqejnë nga jashtë”. Kështu flet vikari apostolik i Halebit për katolikët e ritit latin, ipeshkvi Georges Abou Khazen, i cili vë në dukje se jo vetëm xhihadsitët e al-Nusrës, por edhe grupet e mbështetura nga Perëndimi, nuk do të pranojnë asnjë plan armëpushimi, që nuk përfshin dorëheqjen e presidentit sirian Bashar al Assad dhe të aparatit të tij qeveritar. Ata duhet të përgjigjet për krime lufte.

Lufta do të vazhdojë derisa fuqitë e huaja ta ushqejnë

Grupet e opozitës, të lidhura me Komisionin revolucionar të Halebit, deri tani, nuk kanë dashur të takohet me De Misturën. Sipas tyre, armëpushimi i zgjatur do të forconte pozitat e qeverisë. “Refuzimi i prerë – nënvizon ipeshkvi për agjencinë kishtare Fides – në mënyrën e vet, konfirmon atë, që të gjithë ne e kemi të qartë prej kohësh: lufta do të vazhdojë derisa fuqitë e huaja ta ushqejnë. Amerikanët dhe turqit, sapo kanë deklaruar se kanë një plan për përkrahjen dhe stërvitjen e grupeve rebele gjatë tre viteve të ardhshme. Pra, e kanë vënë në program që lufta do të vazhdojë edhe tre vite të tjera, ndërsa njerëzit këtu do të vazhdojnë të vuajnë e të vdesin për tre vite të tjera. …Para revoltave, 900 km e kufirit me Turqinë ruheshin e, nëse edhe një bari kapërcente kufirin për të kapur delen e ikur, e qëllonin dhe e vrisnin. Tani, mijëra milicë hyjnë prej aty në Siri, me armë të rënda, ndërsa kthehen mbrapsht refugjatët që nga Siria përpiqen të shkojnë nga ana tjetër për t’i ikur dhunës së xhihadistëve”.

Fati i Sirisë është në duart e Zotit

Para këtij skenari tragjik, shpjegon ipeshkvi, mbetet vetëm shpresa, që lind nga feja: “Ashtu si Shën Pali, shpresojmë kundër çdo shprese. E dimë nga përvoja se Zoti ynë është i madh dhe i mirë. Fati ynë është në duart e tij e jo në manovrat e interesuara të njërës apo tjetrës fuqi të botës, sado e madhe të jetë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.