2015-03-04 16:18:00

Papa në Sarajevë: nis veprimtaria e Komitetit organizues


Në Bosnjë-Hercegovinë u krijua, më 23 shkurtin e kaluar, Komiteti përgatitor, i ngarkuar të organizojë, në bashkëpunim me Selinë e Shenjtë, vizitën e Papës Françesku në Sarajevë, caktuar për datën 6 qershor. Njoftimin ia dha agjensisë Sir sekretari i përgjithshëm i Konferencës ipeshkvnore  boshnjake, Imzot Ivo Tomasheviç. Komiteti, i kryesuar nga kryeipeshkvi i Sarajevës, kardinali Vinko Puljiç, përbëhet nga ipeshkvijtë e Banja Luka-s dhe të Mostarit, nga rregulltarë, rregulltare, priftërinj, laikë të angazhuar me punë të ndryshme në fushën baritore: nga katekizmi, tek liturgjia dhe mediat.

Papa Françesku, simbol i paqes dhe i pajtimit

Po studiohet, në këtë periudhë, zgjedhja e vendeve, vendosja e zyrës së shtypit, vendi ku do të kremtohet mesha, mjaft i hapur, për t’i zënë të gjithë besimtarët, që priten me shumicë, e jo vetëm nga Bosnja. Sipas imzot Ivo Tomasheviç. “Papa Françesku vjen të sjellë mesazhin e pajtimit e të paqes, e jo vetëm në Bosnjë, por në të gjithë rajonin e në mbarë Evropën. Vizita do të ketë në qendër të vëmendjes dialogun, posaçërisht atë ndërfetar e ndëretnik. Krerët fetarë, pohon prelati, duhet të jenë edhe në krye të dialogut.  Besimtarët boshnjakë presin nga Papa edhe një mesazh drejtuar të rinjve. Shumë prej tyre janë larguar nga vendi, sepse nuk shikojnë perspektiva në viset tyre. Ndërsa duhet të qëndrojnë këtu, sepse Bosnja ka nevojë për ta. Pa ta vendi nuk ka ardhmëri!

 








All the contents on this site are copyrighted ©.