2015-03-02 13:11:00

Një jezuit në Siri: të krishterët e masakruar nga Isis, mesazh Perëndimit


Në Siri, milicët kurdë kanë sërish nën kontroll qytetin strategjik të Tal Hamisit, në verilindje të vendit. Ndërkaq, Isis liroi sot 19 të krishterë të tjerë, pas 29-ve që i liroi dje. Janë të gjithë asirë, të marrë peng në zonën e Hasakës ditë më parë. Sipas Rrjetit asir për të drejtat e njeriut, të krishterët, të cilët janë gjykuar me anë të sharisë(ligji islamik), janë liruar pas pagesës së “jizya”, taksës për jo myslimanët. Edhe në nëntorin e kaluar, disa asirë u liruan, pasi paguan 1700 dollarë për person. Në duart e terroristëve të Shtetit Islamik mbeten rreth 200 të krishterë të tjerë. Mbi gjendjen në vend, të dëgjojmë jezuitin sirian, atë Mourad Abou-Seif:

E keqja po i prek të gjithë! Nuk mund të thuhet që një bashkësi vuan më shumë se tjetra: të krishterët jetojnë me myslimanët, krah për krah, e pësojnë nga e keqja, ashtu si gjithë Siria. Ndoshta, të krishterët janë më të shqetësuar për të ardhmen e tyre e përpiqen të kuptojnë ç’po ndodh në të vërtetë. Kur ka kaq pak shpresë, si tani, e ardhmja nuk premton shumë, por të tashmen e jetojnë si gjithë të tjerët.

Të krishterët janë gjithnjë e më shumë viktimma abuzimesh…

Është e vërtetë e mund të them se gjërat po ndryshojnë, pasi më parë ekstremistët kontrollonin vendet e banuara nga të krishterë dhe ekzistonte mundësia t’i trajtonin mirë. Si pakicë, por nuk dërgoheshin në gjyq e as shfaroseshin, si tani. Duket, se ky ndryshim është mesazh i grupeve ekstremiste për Perëndimin, pikërisht përmes të krishterëve të Lindjes së Mesme, siç pamë në mesazhin e grupit, që theri 21 egjiptianë koptë.

Para këtij kërcënimi, sipas jush, cili duhet të jetë reagimi i bashkësisë ndërkombëtare? 

Kam përshtypjen se bashkësia ndërkombëtare ka qenë praktikisht indiferente para këtyre ngjarjeve. Përpjekjet për ndihmë ishin sikur problemi i Sirisë dhe i gjithë Lindjes së Mesme nuk u përkiste. Por tani, duket se po e kuptojnë gjithnjë e më shumë se kjo është e keqe, që prek botën mbarë. Ka një vetëdije të re për rëndësinë e fenomenit: tashmë e konsiderojnë si një kancer, që po përhapet në të gjithë botën. Prandaj, sipas meje, janë të nevojshme masa të tjera.








All the contents on this site are copyrighted ©.